leoni

Shaban Polluzha

Haxhi Birinxhiku: Intervistë me HUMË GASHIN, bijën e Heroit Kombëtar SHABAN POLLUZHA, në vitin 1994

Një pasdite të zymtë  fund-vjeshte të vitit 1994 ia mësyjmë  shtëpisë së Riza dhe Humë Gashit të Kryshefcit të Drenicës, bashkë me Tafë Hamit  Gashin dhe Vesel Idriz Gashin, kushërinj të Rizait. Në odën e ngrohtë na presin bujarisht bashkëshortët: Riza e Humë  Gashi. të dy në moshë të shtyrë.. Kërkesës sonë për të risjellë kujtimet e saj për babanë Hero, për portretin e tij si familjar dhe jo vetëm Huma iu përgjigj pa përtesë megjithëse nuk ishte mirë me shëndet. Është interesant të thuhet edhe kjo se sipas fotos së vetme që dihet deri sot të  Heroit tonë e bija  i përngjet shumë babait të saj. Fillimisht ajo ishte paksa e përmbajtur, por pastaj biseda rrjedh natyrshëm. E njohtoj dhe kërkoj lejen e saj për regjistrimin në magnetofon të bisedës sonë, gjë që ajo pranoi pa hezitim.

 

H.B.:Ju jeni vajzë e  Heroit  Shaban  Polluzha. Ju lutem a mund të na flitni pak për jetën tuaj dhe të babait tuaj?

Humë Sh.zP.- Gashi: Po. Unë jam Huma, çika e   Shaban Polluzhës. Jam fëmija i pestë i prindërve të mi..  Unë kam ardhur nuse  në moshën 19 vjeçe këtu në Kryshefc. Jam e martuar me Riza Hamit Gashin. Baba Shaban ka qenë fëmija i vetëm i nënës së vet. S’ka pasur as vëlla as motër. Ka qenë biri i  Mustafë Kastratit.  Nëna ime e ka pasur emrin Hanife, prej Zhilivodes ka qenë. Prindët tanë kanë kaluar shumë mirë ndër vete. Ata merreshin vesh mirë. Nëna këshillohej me babën për gjithçka. E thirrte atë që rëndom rrinte në katin e tretë. “O Shabano.” Nëna e thirrte babën në emër, Shaban, ndërsa baba nënës i drejtohej me “Ajo gruja”.

 

HB.: Me çka është marrë, çka ka punuar babai para Luftës?

Humë Sh.P. – Gashi: Baci (kështu e quanim ne femijet) përpos mjeshtërisë  i ka kryer të gjitha punët e fushës derisa u bëmë ne çikat. Pastaj në rininë tonë ne çikat i kemi kryer të gjitha punët e shtëpisë: me punë të fushës, me gja (bagëti), me dru, me mal, me mulli, të gjitha punët  krejt çka i duhen një shtëpie.  Tafa vëllai ynë më i madhi nuk ka punuar gjë.  As edhe një kashtel nuk e ka marre  në toke  me e çue përpjetë. Baci  ka qenë mjeshtër i përpunimit të drurit..   Mbaronte vekna, burdila, shkëmba… . Çka është send që i duhet shpisë i ka mbaruar me dorë  të vet. Edhe qerre mbaronte, po që besa. Mbasi u rritëm ne çikat baci nuk ka punuar më punë krahu.

 

H.B.: Thuhet se babai i juaj  ka pasur marrëdhënie të mira, korrekte me njerëzit, me fqinjët…

Humë Sh. P. – Gashi: Baci ka kaluar mirë me kojshi dhe me të gjithë. I afronte dhe i këshillonte. Tafën, vëllain e madh, gjithnjë e këshillonte “Babo me kojshi nuk duhet me ba fjalë, me kojshi çoe mirë” Tafa ka qenë i ngutshëm nganjëherë. E prunte, e këshillonte dhe afronte. Baci, e mbaj mend, ka pasur një ngatërresë me istogtë e Polluzhes për do tokë, bile edhe kanë qeë gjuajtur mes vete. Kjo nuk ka zgjatur shumë dhe me nismën e tij janë marrë vesh, janë pajtuar. Nuk kanë pasur më kurrë fjalë.

 

H.B.: Po si prind si ka qenë ai?

 Humë Dh.P. – Gashi: Me ne fëmijët babai ka qenë shumë i mirë, kurrë nuk na ka ngucur. Na afronte, na këshillonte me fjalë të buta. Me ne fëmijët ai nuk ka qenë i ashpër, por ka qenë i butë e i dashtun. Ne çikave baba na vizitonte, por më shpesh na vinte Tafa, vëllai i madh. E çonte Baci. Ai më së shpeshti vinte tek motra ime Raba  e martuar poashtu këtu në Kryshefc.  Burrin e saj, Dibranin e Beqës, dhëndërr dhe mik kryekreje e ka pasur. Jetë jepte për të. Raba ka qenë dy vjet më e madhe se unë.

 

H.B.: Heroi ynë që moti  ka qenë shumë i njohur në këto anë.

Humë Sh.P. – Gashi: Baci ka qenë një njeri i dalur.Ai ka pasur shumë shoqëri prej ngamosi. Mbaj mend , si e re , më së forti ka pasur shoqëri me Azem Bejtën e Galicës. Dilte ndër shokë dhe nga një javë nuk kthehej në shtëpi.

 

H.B.: A e keni takuar ndonjëherë babain gjatë Luftës?

Humë Sh.P. – Gashi:  Kur u bë Lufta e Drenicës i kam pasur dy fëmijë djalin e madh, Feratin, që ka qenë 10 vjeç dhe  dhe një vajzë, Razën 8 vjeçe. Ato ditë që  bëhej  luftë këtu në Kryshefc  na gratë rrinim në shtëpinë e Idriz Salih Gashit këtu afër. Unë kam ndejtë bashkë me të dy fëmijët aty. Pasi u nis Lufta e tij unë nuk e kam takuar më bacin.

 

H.B.: Kur dhe si e morët vesh për vrasjen e tij?

Humë Sh. P. – Gashi: Derisa ishim të strehuar në shtëpinë e Idrizit të Salihut, sepse shtëpiat tona i patën djegur shkjetë,  një mëngjesi herët  na erdh lajmi se “e kanë  vrarë Shabanin”: Nuk e di kush e solli lajmin. Mu soll shtëpia rrotull. Sikur vdiqem njëherë. Mua përpara mu pat plagosur vëllai, Tafa, qysh në fillim të Luftës së Bacit, duke u kthyer nga Llapi, Podujeva. Atë gjatë tërë kohës së luftës baci e ka marrë me vete ashtu të plagosur. I plagosur Tafa udhëtonte mbi kali përmbys.  Pak para se të vritej baci, në të njëjtën ditë vdes Tafa ( datë 21 shkurt 1945) në kullë të Dvoranëve të Tërstenikut të Drenicës. Siç kanë treguar kur kanë gjuajtur shkjetë me topa kullën e Dvoranëve një trenë i ka rënë babës siç ka qenë ulur pranë oxhakut duke e plagosur rëndë atë. Pastaj e kanë marrë edhe copat e gjyleve të topit dhe plumbat.  Pasi vritet baci shokët e tij e marrin trupin e tij dhe me kalin e tij, që ka qenë i lidhur në stallën e asaj kulle, e kanë çuar në lumin e Dobroshefcit, e kanë thyer akullin dhe e kanë lëshuar nën akull. Trupi i tij ka qendruar aty shtatë javë. Kur shtë shkrirë bora Ramadani, vellai im, e ka gjetur. E kishte pasë bartur uji dhe mbuluar zalli rrëze do shelgjeve. Çka ka hequr Ramadani prej shkjeve një zot e di. “ Hajde gjeje trupin e babës , ti e di ku është… e kërcnonin. ”.  E qesin në breg të lumit. Në kokë gjurmët e plagosjes, edhe në  kraharor. Me pallto e me tirq siç ka qenë i veshur së gjalli, me sahatin e xhepit në xhep të mitanit, qelibarin në uçkur të tirqëve. As myhyri prej gishtit nuk i kishte pasë rënë.   “Ky nuk është Shaban Polluzha”, ma bënin shkjet e UDBës, tregonte Ramadani. “Tregona shpejt ku është Shabani, ma bënin shkjet e mallkuar.” Iu dukej shumë i vogël trupi i tij. Harronin çetnikët e zinj se nuk lufton trupi po zemra dhe qëllimi për të cilin ai bashkë me shumë atdhetarë të tjerë u flijuan.  Prej lumit të Dobroshefcit e kanë sjellë me qerre kuajsh, të Bajraktarit të Llaushës bile kanë qenë, tek varret e Polluzhës dhe e kanë varrosur aty ku ndodhet i varrosur edhe sot.  Përveç Ramadanit tonë kufomën e bacit nuk e ka parë askush prej familjes sonë.  Kufoma e tij nuk është lejuar të dërgohet në shtëpi për tia bërë përcjelljen siç është tradita.

Kur kemi qenë të strehuara në shtëpinë e Idrizit të Salihut, kanë ardhur  do partizanë, si adaleta (djaj) kishin qenë dhe na kërkonin neve anëtarëve të Familjes sonë ( të Shaban Polluzhës), “Ku janë çikat e Shabanit se ato e dinë ku ndodhet babai i tyre” pyesnin. Nuk na njihnin. Askush nuk na qiti. Nuk ka këtu çika të Shabanit, se nga kanë shkuar ato ne nuk dimë gjë, iu përgjigjeshin gratë, shoqet tona të katundit,  që ndodheshin aty bashkë me ne. Bile gratë e shtëpisë së Idrizit na patën fshehur diku që shkjetë të mos mund të na gjenin.

 

H.B.:  Po kthehemi pak prapa. Është përmendur gjatë dasma e vëllait tuaj të madh.

Humë Sh. P. – Gashi: Dasmë të madhe pat bërë baci kur e martoi vëllain e madh Tafën. Dy tanta burra kanë qenë. Burra të pikun(të njohur) kanë qenë nga të gjitha anët. Kërcenin e luanin.  Dasmë me katër tupana dhe me katër surla. Dasmë çka s’ka në botë ka pas bërë baci. Ka pasur shumë, shumë burra, gra, fëmijë.Toka nuk i mbante. Nusën në Lubovec e morëm. Tafa i ka lënë dy djem, Zeqën e Muhametin.

 

H.B.: Një ditë e rëndomtë pune në familjen tuaj?

Humë Sh.P. – Gashi: Natje  baci na përcillte deri në ulicë, krye lagjes dhe na çikat shpërndaheshim në punë. Dikush shkone me prashitë, dikush në mal, dikush me bagëti. “Hiç babo mos u tutni se rrin baba këtu e ju përcjell”.

Baci edhe Tafa e kanë pirë duhanin. Kur i harxhohej duhani, ka ndodhur në dhjetë ora të mbrëmjes na dërgonte te hani i Xanit  për të blerë duhan. Nga dy veta shkonim. I kemi pasur gjashtë kuaj, njërin e kemi pasur për rrugë. I hipnim kalit dhe ashtu nëpër terr shkonim me ble harxh. “Babo mos u tutni ju se unë rri me krye në dritare dhe kur të qes pushkë dine se unë jam duke ju pritur me krye në dritare dhe aty do tëjem derisa ju të ktheneni”.

 

H.B.: Si ishte baba Shaban si bashkëshort, si gjysh. si…?

Humë Sh. P. -Gashi:  Ai zgjohej herët dhe falej. Kafenë e mëngjesit ia piqte në prush në tangar,  gjithnjë Hajria, gruaja e tij e dytë. Ai nuk ka qenë zhurmaxhi, ka qenë i qetë, ndërsa Tafa ka qenë e kundërta e tij, pra shumë i zhurmshëm. Baci i ka dashur dhe respektuar gratë e veta. Ne bijat e bijtë e tij na donte pa masë. Nuk më kujtohet se e ka ngritur zërin ndojherë , sidomos me ne vajzat. Edhe rejat i ka dashur dhe respektuar bash si ne fëmijët e tij.  Tek miqtë e tij baci ka shkuar shumë rrallë, si p.sh. në Zhilivodë,, tek dajtë e mi.

 

H.B.: Babai juaj,siç u tha më lart, ka pasur shumë miq, shokë.

Humë Sh. P. – Gashi:Po. Ai i vizitonte dhe i priste shpesh shokët e vet. Beheshin nga dy sofra mysafirë. Më kujtohet kur i vinin shokë të zgjedhur vinte tek ne fushë, ku ruanim bagëtinë dhe i merrte nga dy desh, njërin e piqnin në hell e tjetrin e zienin. Nëna gjithmonë i ka respektuar mysafirët e shumtë që vinin.  Baci  njohtonte nënën nga kati i tretë se kanë ardhur mysafirë dhe e porosiste darkën  apo drekën. Ndodhte që mysafirët vinin vonë në terr dhe nëna posa merrte njohtimin me shqetësim se darka do të vonohej i drejtohej :” Po kur bëhet darka kaq vonë o Shabano?!“ “Hajt mos u merzit se na rrimë gjithë natën, veçju bani punët  tu’ja.” Oda mbushej për natë , nga dy e tri sofra mysafirë. Rendom ai njohtonte përpara se do të vinin mysafirë dhe i porosiste të bëheshin gati, bile edhe iu tregonte se çfarë ushqimi duhet të përgatisnin,varësisht nga rastet.

Baci kur ishte në shtëpi verës  më shumë rrinte në kullë  në këmishë e në tlina. Kur i duhej diçka nxirrte kokën në dritare dhe zakonisht e thirre nënën time, se ajo ka qenë zojë shtëpie, dhe porosiste çka i duhej, si psh. ma qitni një përpeq në një tepsi të vogël, se së shpejti vjen edhe Tafa, ose ndoj pulë në hell etj.

Tafën,  baci e ka dashur fort, por edhe e qortonte rreptë kur ai e tepronte me ndonjë veprim të tijin.

 

H.B.: Si vishej, si dukej, me çka udhëtonte baba Shaban?

Humë Sh.P. – Gashi:  Baci e ka pasur një kalë shale me të cilin i bënte udhët e tij të shumta. Atin nuk e ka pasur zakon ta luajë. Kali i ka pasur stolitë deri në gju. Në vajzat kujdeseshim për të.  E nxirnim shpesh dhe e pastronim me sapun kalin e tij. Na ia shalonim kalin dhe ia benim gati. Ai kur udhëtonte e nxirte jashtë derës së oborrit dhe i hipte dhe shkonte udhës së tij. Baci e ka mbajtur gjithëmonë alltinë në shokë, ndonjëherë e mbante edhe pushkën krahut.

Baci vishte tirq të galëm me  dhjetë fije gajtan, xhemedan të zi satini edhe setër të zezë satini, këmishë pëlhure të bardhë.  Në përmjet mbante shokë të gjërë vija vija ngjyrash të ndryshme. Verës mbante vetëm plis, ndërsa kur ftohej moti mbante edhe mahramë. Këpucë të zeza mbathte. Rrobat i kishin hije. Shokën , pëlhurën për këmishë etj ia mbaronte në vek Hajria, gruaja e tij e dytë. Ka qenë i kanun e i pastër, veç ta shihje. Festat më shumë i festonte ndër shokë e rrallë i festonte me ne në  shtëpi.  Festave Tafa rrinte më shumë në shtëpi.

As baci as Tafa kurrë nuk janë dalë pa armë. Siç thash ai më shumë e mbante revole e më rrallë edhe pushkë.  Kur mbante pushkën mbante edhe nga dy rrathë fishekë. Kur rrinte në kullë pushkën e virrte në mur tek dera.

 Kur shkonte ndër shokë baci nuk e merrte Tafën me vete. Frikësohej se mos ngatërrohej me ndonjërin. Secili prej tyre ka pasur shokët e vetë. Baci të vetët e Tafa të vetët.

Kur kemi qenë fëmijë të vegjël baci na donte, na afronte dhe na mësonte. Ne vajzave na donte edhe më shumë se Tafën, se vajzat, thoshte, shkojnë në fis të huaj e kushedi se në çfarë vendesh bien andaj edhe kujdesej shumë të na mësonte dhe edukonte. Djemtë , thoshte, janë në shtëpi të vetë dhe më lehtë e kanë. Edhe nipat dhe mbesat , pra fëmijët e Tafës i donte shumë, bile më shumë se ne fëmijët e tij Siç thamë edhe më parë, Tafën gjithëmonë e porosiste që të jetë i kujdesshëm e të mos i bie ndonjë ngatrresë në shtëpi sepse po ndodhi diçka e tillë “unë pa një pa dy do të të vras,” i thoshte. Tafa më së miri shkonte me Gashanët e Polluzhës, me Mehmet Gashanin dhe me Ali Kuqicën e Marinës. Me ta shoqërohej me shumë. “Hajt babo ti me shokët e tu e unë shkoj me të mitë.”

 

H.B.: Ai ishte në sy të pushtetit…

 Humë Sh.P. – Gashi: Vazhdimisht. Shpesh ndodhte që xhandarët e serbit e rrethonin kullën dhe e kërkonin bacin. Ai  ndodhte që nuk u dilte vet, por nëna dilte të fliste me ta. “Shabani nuk është këtu iu thoshte, kushedi nga ka shkuar, që një javë nuk ka ardhur në shtëpi”. Baci rrinte  atje lart në kullë me pushkë në dorë, i gatshëm për të vepruar. Një herë, më kujtohet erdhën dy palë xhandarë dhe e rrethuan kullën, baci nxori pushkën në dritare dhe u bërtiti :” Kush asht ai që guxon  me e  rrethue kullën time. A e dini se qetash iu faroj të gjithëve sa jeni,  he n…  kështu e kështu  ua bafsha. .” Xhandarët kur e panë se do ta kenë pisk, kërkuan falje dhe pa vonuar u larguan që andej.  Shumë ka hequr me ta një nënë e imja …

 

H.B.: Ju keni qenë familje e madhe?

Humë Sh.P. -Gashi: Po Na kemi qenë shumë fëmijë. Me nënën, gruan e parë, baci i ka pasur tetë fëmijë. Fëmija i parë ka qenë Tafa, siç e kam përmendur më lartë disa herë, Hava ka qenë e dyta. Ka qenë e shkuar në Tërstenik, e treta Kada, e shkuar në Karroticë, e katërta ka qenë Raba, e martuar me Dibranin e Beqës këtu në Kryshevc, dy vjetë më e vjetër se unë ka qenë, e pesta kam qenë unë,  e gjashta Fata, në Prekaz e shkuar. Femija i shtatë ?, në Gllana Sellë. I teti Ramadani që baci e donte shumë. I urtë ka qenë edhe është. Me gruan e dytë, Hajrinë e Kryshefcit që  ka qenë motra e dhëndrit të tij Dibranit të Beqës, baci i ka pasur katër fëmijë, dy djem e dy vajza: Metin e Skenderin dhe Arifen e Hanifën, të dyja të martuara në Karroticë. Prej 12 fëmijëve të Shaban Polluzhës, sa janë rritur, në Luftë është vrarë vëtëm Tafa.

 

Këtu përfundon biseda jonë me Humë Sh.P. – Gashin.

Kryshefc i Drenicës, më 1 dhjetor 1994.

Bisedës i priu Haxhi Birinxhiku.

 

P.s.

Meqë Tafë Hamit Gashi, kunat i Humës, u ndodh me ne gjatë kësaj bisede  po i drejtohemi me  pyetje për Heroin tonë.

 

H.B.   Si e kujtoni ju zoti Tafë Shaban Polluzhën?

Tafë H. Gashi: Na kemi qenë miq shtëpie me Shabanin. Unë si fëmijë kam shkuar jo rrallë në shtëpinë e tij në Polluzhë. Ai kur ka qenë në shtëpi, verë e dimër në kullë ka ndenjur. Edhe pse kam qenë i vogël, si fëmijë, kur kam shkuar në shtëpinë e tij respektin e kam pasur prej tij si me qenë i madh. Çohej në këmbë dhe përshëndeste me bujari. Më pyeste për babën, që e ka dashur shumë dhe për të gjithë të tjerët të familjes sonë. Pa vonuar porosiste kafe për mua. Ka qenë   i thjeshtë, i lehtë.  Dëgjonte më vëmendje, por edhe merrte pjesë shtruar në bisedë.

Për xhandarët, siç tha kunata, më kujtohet kam qenë aty  njëherë kur erdhën xhandarët. Ata e rrethuan kullën, por nuk guxonin të afroheshin. E  thirren dhe e lutën të dilte deri në ara, kurrë nuk e harroj.  Doli në arë, nja njëqind metra nga shtëpia, alltinë me vete: Çka po doni, iu drejtua atyre me një  zë kërcnues. Dorën në allti gjithnjë e mbante.

Jo,  vetëm.. .patëm pak punë me ty, iu përgjigjen ata  me një zë të ndrojtur.

S’keni ju kurrëfarë pune me mua. Shkoni nga keni ardhur.

Xhandarët e panë se do t’u delte punë me të. Ulën kokën dhe u kthyen nga kishin ardhur.

Gjatë luftës, e kam parë me sytë e mi, sepse në luftë kam qenë edhe vetë,  ka qenë trim i qartur.Më kujtohet si sot ishim në kodrat e Rakinicës (Drenicë) në një çufërnajë derisa armiku po na e ngushtonte rrethimin. Shabani, komandanti ynnë, hipur majë atit me plis me një shqiponjë të zezë në kokë me allti në dorë, pushkë kraheqafë e rrathë fishekësh brezit  me një zë të thekshëm e  të çjerrë thërristë dhe mësyente  përpara  në ballë “Paaara djaalë! Paaara djaalë!”  dhe ne luftëtarët e tij qemë  ngritur të gjithë përnjëherë në këmbë dhe me batare të pandërprera e thyem rrethimin. Ai në betejë ishte i patrembur,  shumë i rreptë,  por kur tanët i zinin  shkjetë si robër lufte dhe zinin shumë, pra kur ata dorëzoheshin nuk i vriste,   “Lëshoni babo, na thoshte, merrnjau armët dhe lëshoni” …

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …