Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Shqipëria e Katër Vilajeteve, ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria e Madhe, etnike dhe historike II

Shqipëria e Madhe, ajo e Katër Vilajeteve një ditë do të bëhet realitet

Ata historianë apo analistë që e njohin mirë historinë e Serbisë dhe përgjithësisht historinë e dyndjeve të fiseve sllave në Ballkan, e dinë po ashtu se vendi që quhej  Serbi e hershme, para sllave, ishte një provincë romake, e quajtur “Servia”, ( në Bizant shënohej si To Servia) vend ku Roma merrte skllevër, që i sillnin trafikantët e ndryshëm nga shtetet lindore. Në shekullin XII, sllavët rashjanë krijuan shtetin e parë të Rashkës. Dinastia e Nemanjidëve (1180 i 1371,  Vikipedia serbisht) për afër 200 vjet mbajti nën pushtim një pjesë të madhe të Ballkanit dhe përgjithësisht viset veriore të Arbërisë. Ata shtrinë edhe ndikimin e tyre fetar, duke i konvertuar shqiptarët romano-katolikë, në krishterë ortodoksë dhe duke i sllavizuar të gjitha emrat e vendbanimeve. ( Dusanov zakonik, Kodi zakonor i Dushanit. Ky kod është hartuar nga viti 1349- 1355)  (V. Po aty…).

Me humbjen në luftën e Kosovës të vitit 1389, të forcave vendëse shqiptare ortodokse, forcat  ushtarake sllave dhe ardhacakët serbë, u tërhoqën në shumicë nga këto vise dhe u vendosen drejt veriut. Drejt Tunës e përtej në fund të shekullit 18-të, ishin dyndur edhe dhjetëra mijëra shqiptarë ortodoksë të cilët identifikoheshin në pikëpamje fetare me kishën ortodokse serbe e sllave.

Me humbjen e Perandorisë Osmane në Frontin e Lindjes, në Plevne në vitin 1877, serbët dhe popujt sllavë të Ballkanit iu vërsulen trojeve etnike shqiptare, duke i dëbuar të gjithë banorët, në një proces lufte deri në shfarosje. Prej vitit 1877 e deri në vitin 1913, u shpopulluan rreth 1000 vendbanime shqiptare prej qytetit të Nishit, Toplicës, Kurshumilsë, Vranjës, ku u vendosen serbet e ardhur nga viset veriore. Ky gjenocid dhe spastrim etnik i një territori rreth 25.000 km2 u krye me mbështetjen, që Serbisë i dhanë të gjitha shtetet e Evropës, e sidomos me mbështetjen e Rusisë Cariste. (Sabit Uka “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877 – 1878”, libri I. Prishtinë, 1994, fq. 220 – 21) .

Për këtë gjenocid ka shkruar edhe shkrimtari i madh rus,  Leon Tolstoj, në romanin “Ana Karenina” i cili e quan të padrejtë spastrimin etnik dhe atë që serbët e konsideronin si hakmarrjes për Kosovën. Në atë luftë raciste merr pjesë edhe vetë, personazhi, Kont Vronski, një fisnik ushtarak, njeri i shthurur, dinak, mashtrues, vrasës, amoral, i cili me sjelljet e tij të shthurura  kishte shkaktuar edhe tragjedi familjare, në mesin e fisnikërisë ruse.  Të tillët, sipas Tolstoit,  iu kishin bashkuar Aleancës së shenjtë për çështjen serbe.

 

( Leon Tolstoi, Ana Karenina, Neraida, Tiranë, 2009, pjesa e Tretë, nga f. 594…)

Shqipëria e Katër Vilajeteve ishte rrudhur në një Shqipëri me 28.000 km.2. Serbia Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kishin pushtuar tri të katërtat e Vilajeteve shqiptare, me ndihmën dhe bekimin e shteteve të Evropës, duke ndëshkuar shqiptarët për shkak të përkatësisë së tyre fetare, madje duke ndëshkuar rëndë edhe shqiptarët ortodoksë e katolikë, për shkak se këta nuk iu përgjigjen luftës vëllavrasëse mbi pikëpamje fetare. Pjesa me shumicë katolike e veriut iu dha Malit të Zi, ndërsa Çamëria myslimane iu dha Greqisë, pjesa tjetër shqiptare myslimane e ortodokse iu dha Bullgarisë e Greqisë. Elementi fetar ortodoks u greqizua dhe u sllavizua, në Serbi dhe  në Greqi, si  dhe në viset shqiptare që i pushtoi Bullgaria e më vonë Serbia.

Shqipërinë e katër vilajete Serbia dhe shtetet e Evropës e kishin kthyer në një Shqipëri xhuxhe, të vogël dhe të tillë duan ta shohin deri në përjetësi.

 

Rilindja e papritur e Shqipërisë së Madhe në vitin 1941

Shumica dërrmuese e politikanëve shqiptarë dhe analistë të shpërfytyruar e apatridë janë tejet alergjikë kur përmendet togfjalëshi “Shqipëria e Madhe”. Atyre iu bën përshtypje të keqe në radhë të parë për shkak se kjo “i zemëron fqinjët grabitqarë”, dhe u përkujton kohën kur me ndihmën e forcave italo-shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore prej vitit 1941 e deri në vitin 1945,   ishin çliruar këto vise nga regjimet kriminale e fashiste serbe, bullgare e greke. Pikërisht në atë kohë, koalicionin fashist e ka përkrahur Qeveria serbe e Nediqit në Beograd,  si dhe Qeveria greke në Athinë dhe ajo e bullgare, në Sofje. (Shih: Vikipedia, serbe, bullgare, kroate, greke) Ishin tri qeveri profashiste e fashiste, në tri vendet fqinje, të cilat dashur pa dashur kishin pranuar regjimin e Rajhut të Tretë gjerman dhe kishin krijuar Qeveritë e tyre kuislinge. Ngjashëm kishte vepruar edhe kreu nacionalist i Shqipërisë duke krijuar qeverinë kuislinge në Tiranë. Për më tepër Qeveria kuislinge e Tiranës, për herë të parë pas vitit 1912 kishte arritur që me ndihmën e forcave nacionaliste dhe atyre fashiste italiane t’ i çlironte viset shqiptare në veri dhe në verilindje, në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak e Mal të Zi, por edhe në Çamëri, me rastin e pushtimin të Greqisë nga Italia. Në këtë pushtim deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë morën pjesë edhe shumë formacione luftarake nacionaliste shqiptare. Janë faktet e pamohueshme historike që faktojnë e dëshmojnë. (Lufta italo – greke, diktatorë e kuislingë,  libër historik. Autor, Arben Puto. Shtëpia botuese: Toena. Viti i botimit 2011.).

 

Për katër vjet, shqiptarët kishin vënë nën administrim viset etnike, ku valonte flamuri shqiptar me sëpatën e liktorit, ku administrata për herë të parë funksiononte edhe në gjuhën shqipe, ku për herë të parë u hapen qindra shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ku kartat e identitetit u shtypën në gjuhën shqipe dhe ku filloi të lulëzojë tregtia dhe lëvizja e lirë mes shqiptarëve prej Sanxhakut deri në Çamëri dhe prej Ulqinit deri në  Prespë, Strugë, Manastir e gjithandej nëpër Shqipërinë e Madhe.

Kjo ka qenë koha kur është përdorur togfjalëshi: “Shqipëri e Madhe”, po jo nga shqiptarët, edhe pse viset shqiptare ishin të pushtuara nga forcat fashiste, të cilët nuk ishin të pranishme vetëm në Shqipëri por në tërë Ballkanin, në Greqi, Bullgari e Serbi, në tërë Evropën  dhe thellë në shtetet e lindjes, në Bashkimin Sovjetik.

Ky ishte realiteti i atyre katër viteve, ndërsa sintagma “Shqipëria e Madhe” u përdor si gogol për t’ i frikësuar shqiptarët, të cilët nuk kishin rezistuar kundër fashizmit, por duke lënë anash faktin e njohur historik se as serbët, as popujt e Jugosllavisë, as bullgarët e grekët nuk e kishin përballuar dot pushtimin italo-gjerman dhe të gjitha këto vende kishin pasur qeveri kuislinge.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …