Ahmet Qeriqi: Shënimi që nga pikëllimi nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

Ahmet Qeriqi, studiuesi që ka ndriçuar dhe po ndriçon biografinë e atdhetarëve e liridashësve të trojeve etnike

   Janë të rrallë studiuesit që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fusha të shumta sikur është ideatori dhe drejtori i Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi. Një kontribut të madh por jo të vlerësuar sa duhet nga shoqëria, ai ka dhënë edhe për personalitete meritore të kombit, të cilët janë anashkaluar me pa të drejtë qoftë nga historiografia, qoftë nga publicistika apo studiues të fushave tjera. Përveç zellit të dëshmuar në hulumtime shkencore, atë e karakterizon edhe guximi intelektual për t’i thënë gjërat qartë e troç dhe pa ekuivokë, pavarësisht se a ju pëlqen apo jo kjo të tjerëve, ndonëse kjo jo rrallë herë i ka kushtuar shumë.

   Janë të shumta shkrimet e studiuesit, Ahmet Qeriqit, që kanë afirmuar biografitë e personaliteteve të shquara të kombit por do të mjaftohemi për të folur për disa prej tyre.

   Gjatë viteve të ’90-ta të shekullit që lamë pas, ai merret me afirmimin e biografive të drejtuesve dhe pjesëtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, të njohur në popull si NDSH. Ishte ky një studim që kërkonte guxim sepse nëpër libra të historisë, në i thënçin histori asaj që tregohej në ato libra, ata paraqiteshin si armiq të popullit!!! Mënyra se si ka pasqyruar studiuesi, Ahmet Qeriqi biografitë e më meritorëve të kombit, gjuha e përdorur, mbarështimi i fakteve, të bënë të kesh admirim të jashtëzakonshëm për drejtuesit dhe pjesëtarët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare në njërën anë ndërsa në anën tjetër të bën të kesh revoltë për keqtrajtimin e tyre për gjysmë shekulli nga “historia” që prodhohej nëpër Komitetet e pushtetit Titist – Rakoviqist në Jugosllavi.

Ndriçimi i biografisë së plejadës së atdhetarëve të NDSH-së ndriçon edhe të vërtetën e errët të Jugosllavisë, në të cilin u vranë e u varrosën pa shenjë e pa nishane, qindra mijëra liridashës shqiptarë. Nga leximi i biografive të tyre, mësojmë se në kryeqendrën tonë – Prishtinën, u hap një varrezë masive buzë së cilës për vite me radhë, u pushkatuan e më pastaj në brendi të saj u varrosën patriot shembullorë,  që kishin dhenë gjithçka për komb e atdhe, pasurinë, djersën, familjen dhe jetën e tyre, të cilën u shuan plumbat e regjimit Titist – Rankoviçist, pas torturave dhe dhunës barbare të ushtruar ndaj tyre. Por jo vetëm kaq. Edhe më e dëshpëruese është fakti kur lexon proceset gjyqësore kundër tyre dhe emrat e prokurorëve e gjykatësve që morën vendimin kapital ndaj këtyre patriotëve e liridashësv: Dënim me vdekje – pushkatim! Shumica e këtyre shpirtshiturve që kanë hise në këtë dënim, janë shqipfolës. Iu themi shqipfolës sepse është absurde të quhen shqiptarë,  ata që vrasin liridashësit e popullit të vet, që gjithë jetën kanë luftuar për komb e atdhe, deri në pushkatim!

Mbase studiuesi shembullor, Ahmet Qeriqi, nëpërmjet ndriçimit të biografive të plejadës së atdhetarëve e nacionalistëve të NDSH-së, nëpërmjet gjuhës diplomatike, ka dhënë edhe një porosi tjetër – që duke afirmuar jetën dhe veprimtarinë e tyre të jashtëzakonshme, të na tregoi se si duhet luftuar për komb e atdhe, duke mos kursyer asgjë, as djersën, as gjakun, as familjen e as jetën, deri në rënien heroike dhe të ju tregojmë pushtuesve se ëndrra e drejtuesve dhe pjesëtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Gjon Serreqit, Ajet Gërgurit, Kadri Bebes, Azem Jashanices, Osman Bunjakut, Sali Rexhës, Januz Bajçincës, Sadri Duhlës, e qindra e mijëra dëshmorëve të tjerë, as nuk është vrarë e as nuk është varrosur në varrezën masive në Tauk Bahçe në Prishtinë, por është ëndërr që ka ushqyer me ndjenja liridashëse e ka brumosur me atdhedashuri mijëra liridashës anekënd viseve të Shqipërisë etnike.

   Studiuesi Ahmet Qeriqi, ka dhënë një kontribut të madh edhe në hedhjen dritë të personaliteteve të tjera të kombit, të cilët janë përvetësuar nga historia biografia serbe, sikur është rasti i Milush Kopilit i cili nga historia serbe është quajtur Millosh Kopiliq. Është libri “Millosh Kopili, serbe apo shqiptar” i studiuesit, Ahmet Qeriqi, që e grishë vëmendjen e studiueses Anna di Lellio, për t’u marr me këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kohës së mesjetës, të përvetësuar nga historiografia serbe, në i thënçin histori!

Pas hulumtimeve intensive, edhe studiuesja Anna di Lellio arrin në të njëjtat rezultate që kishte arritur studiuesi, Ahmet Qeriqi se heroi i Betejës së Kosovës ( 15 qershor, 1389 ) është shqiptar e jo serb, sikur pretendonte historiografia serbe. Lirisht mund të themi se atë që nuk e bërë për ndriçimin e biografisë së Milush Kopilit, Akademia e Shkenca dhe Arteve të Kosovës e as Instituti i Historisë, e ka bër, studiuesi, Ahmet Qeriqi. Mbase ky studiues ka edhe një meritë – meritë që shpirti i krye heroit të Betejës së Kosovës, Milush Kopilit, të pushoi në qetësi pasi lufta e tij kundër pushtimit të trojeve të Arbërit, po vlerësohet edhe nga bashkëkombësit e tij, për lirinë e të cilëve ai luftoi deri në frymën e fundit! Ndërsa në anën tjetër, ndriçimi i biografisë së krye heroit të Betejës së Kosovës, Milush Kopilit, përgënjeshtroi pretendimet e historiografisë serbe sipas së cilës, sulltan Muratin në fushën e betejës e vrau serbi, Millosh Kopiliqi prandaj ata nuk mund të heqin dorë nga Kosova sepse është tokë e tyre, përndryshe përse krye heroi i tyre, Milosh Kopiliqi do ta jepte jetën!?

 Por studiuesi, Ahmet Qeriqi, nuk është mjaftuar me kaq. Ai e ka bërë më të afirmuar në botën shqiptare edhe biografinë e një prej personaliteteve më ndikuese në Perandorinë Osmane dhe rrjedhat e saj, shqiptarin, Halil Arnauti apo Halil Patrona, i njohur në historiografinë turke por jo në atë shqiptare! Kryengritësi Halil Patrona ka frymëzuar për të shkruar për veprimtarinë e tij edhe shkrimtar ndërkombëtar me famë botërore, sikur është shkrimtari  më i madh i Hungarisë Jokai Mur (“ Trëndafilit i Bardhë”, “A fehér rózsa” (The White Rose), 1854 (in English: Halil the Pedlar – translated by R. Nisbet Bain, 1901). Por ja që për shkrimtarët, historianët e biografët tonë, i vogël është Halil Patrona për t’i kushtuar kohë e mund kokat e mëdha të historianëve, shkrimtarëve e biografëve tonë. Ahmet Qeriqi ka përthyer  për herë të parë në gjuhën  shqipe edhe dy romane të shkrimtarit të madh hungarez Jokai Mor, botuar  në vitin 1853 për Halil Patronën, i titulluar “Trëndafili i bardhë” dhe tjetrin për Ali Pashë Tepelenën, “Luani i Janinës”.

   Por jo vetëm kaq. Studiuesi, Ahmet Qeriqi, pas përfundimit të luftës çlirimtare, duke pa prirjen tonë për të harruar e margjinalizuar veprimtarinë e më meritorëve të kombit, që ne sot frymojmë e flasim lirshëm, vazhdon edhe me një mision tjetër, mision për të cilin u zotuan edhe shumë të tjerë që do ta mbështesin realizimin e  tij por u tërhoqën një nga një (!) – atë për botimin e të gjitha biografive të dëshmorëve të kombit të tri luftërave të fundit çlirimtare të drejtuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Me shumë mund e sakrifica, dhe me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, studiuesi, Ahmet Qeriqi me anëtarët e Redaksisë, “Dëshmorët e UÇK-së” ka nxjerrë në dritë 18 vëllime të edicionit “Feniksët e Lirisë”

Numri i vëllime  do të ishte edhe më i madh dhe me kohë do të përfundonte një nga projektet më fisnike e monumentale të pasluftës – ajo e jetëshkrimit të jetës dhe veprës atdhetare të Dëshmorëve të Kombit të rënë në tri luftërat e fundit çlirimtare  sikur drejtuesit e institucioneve tona të ishin të përgjegjshme e në nivel të detyrës por ja që ato as edhe njëherë të vetme nuk kanë treguar interesim meritor për këtë projekt. Jo për ta financuar këtë projekt por për të blerë këto libra dhe për t’i shpërndarë anekënd bibliotekave të Shqipërisë etnike dhe për ta bërë të pranishëm biografitë e Dëshmorëve të Kombit në Presidencë, Kryeministri, Ministri, zyra të kryetarëve të Komunave dhe në çdo shkollë.

Por ja që institucionet tona nuk kanë 10 euro për ta blerë një libër ku janë shkruar biografitë e dhjetëra dëshmorëve e nga këto 10 euro, të krijohej fondi për botimin e librave tjerë të radhës dhe të përmbyllej sa më parë ky projekt sa human e fisnik aq edhe kombëtar e patriotik por ja që kemi kryeministra e ministra, kryetar e krye kuvendar që shpenzojnë me qindra e mijëra euro për naftë, dreka e darka por jo edhe pakëz euro për libra për dëshmorë!!!

Por pavarësisht këtyre mosmirënjohësve të jetës dhe kontributit të atdhetarëve e liridashësve të kombit, studiuesi, Ahmet Qeriqi, vazhdon me një përkushtim të pashoq të merret me ndriçimin e jetës dhe veprës humaniste e fisnike të heronjve dhe dëshmorëve të Shqipërisë etnike. Kur kujton gjithë angazhimin e tij, para, gjatë e pas luftës çlirimtare, dhe kontributin e dhënë në fushën e arsimit kur bënte mësimdhënësin shembullor, kontributin e lëvizjeve ilegale duke marrë pjesë në protesta dhe duke frymëzuar kështu rininë liridashëse, angazhimin në luftën çlirimtare që në orët e para të saj, vazhdimin e angazhimit me elan edhe më të madh pas lufte duke ndriçuar dhe afirmuar jetën e heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe të personaliteteve të fushave të ndryshme, nuk ke se si të mos i urosh nga zemra edhe shumë vite jetë e suksese edhe më të mëdha sepse të gjithë jetën e tij e ka vë në shërbim të kombit e atdheut, lirisë e përparimit si dhe ndriçimit dhe afirmimit të jetës së heronjve dhe dëshmorëve të Shqipërisë etnike, fal djersës, gjakut dhe jetës së tyre, sot kush më shumë e kush më pak, kush me meritë e kush pa meritë, shijojmë frytet e lirisë dhe pavarësisë.

Fatmir Graiçevci

shkurt 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …