leoni

Ahmet Qeriqi: Trupat ruse kanë hyrë në Prishtinë. Ata janë vendosur në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Sllatinës. (E diel 13 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Trupat ruse kanë hyrë në Prishtinë. Ata janë vendosur në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Sllatinës. (E diel 13 qershor, 1999)

Mbrëmë kam ushtruar roje deri në orën 23.00 derisa erdhi Mentor Hoti dhe më ndërroi. Pasataj kam fjetur mirë dhe më duket se edhe kësaj radhe e mora vetën, më shpejt se zakonisht.

Sot është një ditë relativisht e qetë. Trupat serbe po tërhiqen duke lënë prapa barbarinë e tyre të shëmtuar. Ata djegin, thyejnë, shkatërrojnë.

Trupat ruse nga kontingjenti i SFOR-it kanë marrë nën kontroll Aeroportin e Prishtinës. Me rastin e hyrjes së tyre në Prishtinë, serbët i kanë pritur me shfreni dhe dalldi të pazakonshme, ushtarët rusë.

Bëhet e ditur se sot në Kosovë kanë hyrë trupat britanike dhe gjermane. Po ashtu trupat franceze kanë marrë Mitrovicën. Si duket ndarja e zonave është bërë me qëllime të caktuara strategjike. Rusët dhe francezët nuk mirëpriten nga popullata jonë.

Serbët po ikin, shqiptarët  e dëbuar po kthehen. Ne ende kemi mbetur nëpër gryka por kemi filluar një frymëmarrje lirie, edhe pse ende ndodhemi në pozicione. Tërheqja e forcave serbe nga pikë-qëndrimet e tyre në Drenicë është paraparë në bëhet me 19 qershor.

Lajmi për rënien e dëshmorit Milaim Beha sot u vërtetua. Vëllai i dëshmorit, Milazim Beha, Adnan Muharremi dhe disa luftëtarë të tjerë pas kontrollimit të terrenit te Vreshtat e Senikut, kanë gjetur trupin e pajetë të Milaimit.

Varrimi pritet të bëhet nesër në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, më 14 qershor, pikërisht në një vejtorin e zënies së Grykës së Caralevës, ku kishte marrë pjesë në radhët e para në luftime, Milaim Beha me luftëtarë të tjerë.

Edhe sot e kemi përgatitur me kohë programin tonë ditor. Informacionet tanimë kanë të bëjnë me fillimin e tërheqjes së forcave serbe dhe me shkatërrimet që po lënë pas.

Në kuadër të programit kemi emituar edhe një apel banorëve që po kthehen nëpër shtëpi, me qëllim që të ruhen nga minimet e mundshme. Apelin e ka hartuar eprori i armatës shqiptare. Bardhyl Tahiri.

Edhe faktori ynë politik tani ka filluar të sensibilizohet. Janë krijuar ministritë e Qeverisë së Përkohshme dhe disa organe këshill-dhënëse, janë ndarë postet ministrore, etj. Ibrahim Rugova ka mbetur në Itali, ku ndërkohë po i kalon pushimet verore.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …