Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Vargje të zgjedhura të disa poetëve hungarezë

Letërsia hungareze është shumë e begatshme dhe mjaft e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Mjerisht shkrimtarët më të mëdhenj me përmasa botërore të kësaj letërsie ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Romani ndër më të lexuarit  në botë, “Ararat” i shkrimtarit, Llajosh Zillahi nuk është  i përkthyer në gjuhën shqipe. Deri vonë nuk ishte përkthyer asnjë vepër e shkrimtarit të madh, Jokai Mur, i cili në mesin e 100 romaneve dhe novelave të tij ka shkruar edhe dy romane me tematikë nga jeta e shqiptarëve, romanin historik “Trëndafili i bardhë” i cili i  kushtohet kryengritësit më të madh shqiptar të Pernadorisë Otomane, Halil Patrona dhe veprën “Familja shqiptare” ose “Ditët e fundit të jeniçerëve” me tematikë nga jeta e Ali Pashë Tepelenës. (Autori i këtij vështrimi, në vitin 2012  ka përkthyer dhe ka botuar romanin, “Trëndafili i bardhë”, ndërkohë është duke u angazhuar edhe në përkthimin e romanit “Luani i Janinës” që i kushtohet, Ali Pashë Tepelenës.

Ndër emrat shumë të njohur të kësaj letërsie përmenden edhe Moriz Zhigmund, Gardunji Geza, Ferenc Deak e shumë të tjerë. Poeti më i madh magjar, pa dyshim është Petëfi Shandor, i cili ka jetuar rreth viteve 1823-1849. Jeta dhe vepra e tij përbëjnë një fenomen unik jo vetëm në letërsinë hungareze por edhe në letërsinë botërore në përgjithësi. Petëfi kishte filluar të shkruante qysh në moshën 16 vjeçare dhe me fuqinë e intelektit të tij zgjoi kërshërinë e qarqeve krijuese në atë kohë. I edukuar në frymë të zgjimit revolucionar, ai qysh i ri u hodh në barrikadat e luftës çlirimtare. Në kohën e revolucionit të popullit hungarez të udhëhequr nga Janosh Koshuti, kundër forcave të huaja intervencioniste, Petëfi bie në barrikadat e luftës çlirimtare. Poezia e tij asokohe ishte burim frymëzimi për liridashësit magjarë. Poezitë e këtij poeti janë përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, ndërsa Petëfi konsiderohet se është poeti më i lexueshëm i të gjitha kohëve në Hungari.

 

Liri Dashuri

Liri e dashuri,

I dua që të dy,

Për dashurinë

E jap jetën,

Për lirinë

E jap dashurinë.

 

Populli

 

Në njërën dorë parmendën,

Shpatën në dorën tjetër,

Kështu gjallon ky popull,

Kështu e derdh gjakun e djersën

Derisa të rrojë.

Përse të derdhim gjak

Kur tok` e atdheut,

E pasur e pjellore,

Prodhon bukë e zaire

Dhe gjithë ç na duhet?

E kur armiku na mësyn

Përse të na përgjak

Shpatës t`i përvishemi

Atdheun ta mbrojmë.

Sepse atdheu është  aty ku ka drejtësi,

E sot ky popull në robëri po gjallon.

 

Kënga e ujqve

Fryn e shfryn veriu

Nën qiellin re përplot,

E dimri me acar,

Shi e dëborë si sot.

 

Shkretëtirave pa fund,

Tej tutje banojmë ne,

Asnjë copë askund,

As një kothere për be.

 

Këtu përpin acari,

Zorrët i grin uria,

Ikim të përndjekur

Prapa na ndjek trishtia.

 

Dhe tej tutje në prita,

Gjuetarë të armatosur,

Shkrep pa pritë furia

Ikim të lebetitur.

 

Të mardhur e të uritur,

E plumbat breshëri përposh,

Rrisku ynë i trishtuar,

Të lirë e rrojtje kot…

Një poet tjetër i mirënjohur magjar ka qenë edhe Adi Endre. Ka jetuar rreth viteve 1877-1919. Ashtu sikurse edhe Pëtefi, Adi Endre është i njohur për vargun e tij militant. Ishte poet lirik revolucionar i cili ushtroi ndikim të madh në qarqet  letrare magjare, në Evropë dhe përgjithësisht në poezinë revolucionare të fillimit të shekullit të njëzet.

 

Dielli i kuq

 

Luftën dhe murtajën kush i solli,

Dallkaukë e trima kapedanë?

Ngrihu lart, o ngrihu lart, diell i kuq

Ndriçona!

Vetëm llahtar dhe zezona po shoh,

Rrjeta kanë vënë, e prita kanë zënë:

Qoftëlargu, shpirtligu, i dehuri, fatkobi,

Përpara na grahin dhe dërdëllisin!

Qyshkur në qenie po na rëndon,

Fati i moçëm e gjëma jetike,

Ti i nëmuri diell i kuq,

Ty të thërras!

S` më vdiset jo kaq i hidhëruar,

S`më rrihet, jo, kufomë n` arkivol,

Pa shpresë e përreth zezona,

Dhe zemra sterrë.

Ngrihu lart, i shenjti diell i kuq,

Unë po mërdhij, po gjallë ende jam,

Shkatërrimtar, rrënues do bëhesha,

Njëherë po të shihja!

Eh, sikur të më shihje, e pak dritë të me jepje,

Pak dritë të pasurisë tënde përjetësore,

Ti i tretur në përjetësi,

E unë, heu, unë,

Të përmbytesha në vajtim të zi!

 

Një poet tjetër i shquar i letërsisë magjare, është edhe poeti realist, Jozhef Atilla, i cili ka jetuar rreth viteve 1905-1937. Ka qenë i njohur në letërsinë e popullit të tij për vargun e ashpër kundër shtypjes e shfrytëzimit. Po aq sa ishte luftarak dhe militant në vargjet e tij për të rritur, ishte tejet subtil dhe i butë në vjershat për fëmijë.

Flej Ballazh

Sytë e kaltër i mbyll qielli,

Të gjithë në shtëpi po flenë,

Afër Tunës fle livadhi,

Flej  Ballazh i nënës, flej!

 

Kokëvarur e përgjumur,

Po fle anxa edhe thnegla,

Po fle edhe cicërima,

Flej i miri nënës, flej!

 

Edhe drita se ç` po fle

Edhe vrapi po dremit,

Nëpër ëndërr dhe ushtimë,

Flej, Ballazh i vogël, flej!

 

Mbi karrige varë pelerina,

Edhe vrimat po na flenë,

Asgjë më nuk po vrapon

Flej i bukuri i nënës, flej!

 

Ç`po dremit topthi e fylli,

Edhe pylli e fushimi,

Shih, sheqerka paska fjetur,

Flej Ballazh i nënës, flej!

 

Ushtari n` roje po dremit,

Bariu berret po i nget,

Shih dhe nëna paska gjumë,

Flej Ballazh i nënës, flej!

 

Përveç poetëve të njohur në Hungari për këtë emision do të veçojmë edhe një poet magjar të Vojvodinës, i quajtur  Gal Laslo, i cili ka jetuar rreth viteve 1902-1975.Laslo ka qenë edhe publicist dhe eseist i njohur jo vetëm në letërsinë magjare që krijohet në Vojvodinë.

 

Këngë e vendit tim

Është ky vend tokë e premtuar,

Shkoj e vij unë si përherë,

Dhe do të shkoj e kurrë më,

Askurrë tjetër s` do të kthehem

 

Nëpër ujëra nëpër brigje,

Në shkretëtira do shkretohem,

Kurrë më nuk do të kthehem,

Do të përmbytem!

 

Mali dhe poeti

Te ne ka pak male e pak poetë,

Rrafsh pa fund është bota jonë e qetë,

Mbrëmjeve tek-tuk ndizen dritat.

Male dhe poetë… si maje mali me dëborë,

I çuditshëm është risku i jetës,

E njeriu i rrafshit lart s` ngjitet dot.

Ne, vetëm pak mençuri vjelim,

Dimë të heshtim dhe duam

Shtratin, stufën e ngrohtë dhe veten.

Mali është i përjetshëm e poeti  pakufishëm,

Habitemi, pse aq e shkurtë është jeta,

Edhe kur mund të jetohet, vdesim…

 

Gal Laszlo

Suboticë

Asgjë,

Në këtë qytet qetësi varri,

Princ danez,

S’mund të jesh.

S’ka probleme, s’ka as pyetje,

Asgjë të dendur dhe shumë lypsare

Në këtë qytet,

Ka akacie, monotoni, pluhur, baltë…

Dhe po u nis ndokush, sërish kthehet, ulet, flë.

Në këtë qytet s’ka dimër të bardhë,

Në këtë qytet s’ka pranverë gjelbëroshe,

Edhe vera është e llahtarshme,

Thatësi, vapë, zonjë thinjoshe.

Në ndonjë rrugë fshati, zhurmërime mbytëse,

Kapela kashte, shtëpi të shpërndara,

Këtu,

Nëpër podrume përmbyten edhe katet,

Dhe çdo vdekje është e zbërdhylur.

Suboticë

Nuk lexojnë, s’ngrenë krye, s’duan gjë,

Nuk thyejnë, s’kërkojnë, asgjë s’dëshirojnë,

Suboticë,

Vetëm ashtu të ngatërruar në marrëzi,

Në bezdi të zbërdhylur.

 

Asgjë,

Në këtë qytet qetësi varri,

Princ danez,

S’mund të bëhesh.

 

 

Toth Arpad

 

Mbaroi jeta

 

Kaloi jeta. Po vate edhe ti shpirt i njomë,

Mbase për të pushuar. Yjet e natës, ndriçim akulli,

Puhiza varrezat, i përshkon.

Jetë e largët, qielli flakëron.

 

Por dëshira dhe malli yt kanë ngrirë,

Buzëqeshja e përjetshme….. në qetësi,

Përdhe shtrirë, mase duke ëndërruar dashuri.

 

Sërish përkujtoje ç’ka thënë Kantori,

Pas çdo vuajtje e hidhërimi,

Mbetet pas vetëm kujtimi……

 

A ishte Pranverë?

 

A qe atëbotë pranverë,

A e mban mend kush?

Puhiza e këndshme a frynte kah ata?

Puhiza e lehtë në buzët e saj,

Plisa magjare….

 

Kush e di?

 

A e di kush a është kjo jeta?

A është kjo jeta, e vërtetë?

Është ky loti i çuditshmi, i mahnitshmi,

Mejhanja e llahtarshme, djersë e gjak.

A do të ketë më për të pirë?

Zoti a na pret,

Diku përtej yjeve?

 

Përktheu nga gjuha magjare, në burgun e Suboticës- 1984-1987.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …