leoni

Ahmet Qeriqi: Varri i Nizamit

Luftëtarëve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Sefë Kosharja, Mic Sokoli dhe trimave të tjerë që ranë më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, në Koshare e në Shtime duke luftuar ballë për ballë kundër forcave të Dervish Pashait….

Në kohën kur po përfundonte shërbimin ushtarak, nizami-redif, Malush Trolli, një ditë të javës së fundit të marsit  të vitit 1881, namazin e sabahut e kishte falur në Bajrakli Xhami të Stambollit, me qëllim për t’u takuar një mikun e tij, që banonte në atë lagje të kryeqytetit të Perandorisë.  Me të dalë nga xhamia, te dera, derisa po mbathte kallqinët e rëndë e të vjetruar kishte takuar Lah Garaqin, me të cilin njihej qysh moti, por nuk e kishte parë në muajt e fundit.

Hajrli sabahlar, – e kishte përshëndetur turqisht, për ta gërgasur, meqë kishte fituar përshtypjes se shoku dhe anasi  i tij nizam, ose nuk e zotëronte si duhej gjuhën, ose nuk kishte dëshiruar ta mësonte. Ishte ndër arnautët e rrallë, që me shumë vështirësi fliste turqishten. Thuhej se e kishin shtruar në fallak, sidomos  oficerët, meqë mendonin se shtirej dhe me qëllim i deformonte fjalët, për të bërë shaka. Duke qenë kryeneç, një “aranut naud”, mendonin se ai e shpërfillte gjuhën turke,  sikur bënin edhe nizamë të tjerë të Stambollit, që ishin rekrutuar dhe shërbenin në  shumë vende të Perandorisë.

-Hiq hajr pasha Zotin!

Neden, hiq hair? -e kishte pyetur sërish në gjuhën turke.

-Boll mor ma, me atë turqishte të dreqit, ia kishte kthyer ters, pasi paraprakisht ishte siguruar se nuk po e dëgjonte askush.

-Fol shqip, o vëlla! Pas një jave nisemi për në Arnautistan dhe lus Allahun që as pluhurin e eshtrave të mos ma kthejë më, këtu.

Lah Garaqi dhe Malush Trolli ishin nisur drejt Salephanës përballë, për të pirë nga një salep të ngrohtë, meqë pranvera e atij viti sikur po vononte dhe netët bënin ftohtë.

-Po nisemi, po nisemi, por pisk do ta kemi. Arnautët tanë atje janë ngritur kundër Mbretit. Ne po shkojmë t’i shtypim.

-Varet kush kë do ta shtyp!

-Pse, dyshon ti?

-Edhe dyshoj, edhe kam dëshirë t’ i shtypim këta, të cilët po na çojnë atje- ia kthen Lah Garaqi, të cilit i kishte djegur buzën salepi i nxehtë dhe nuk ishte kursyer nga një e sharë arnautçe.

-Ma jep edhe një samun, efendi, iu kishte drejtuar shitësit në gjuhën shqipe.

-Arnaut është ky? – pyet Malush nizami, i cili rrallë herë  kishte hyrë në atë salephane.

-Nganjëherë ma merr mendja se gjysma e Stambollit arnautë janë, por shumica janë si ti, flasin turqe. Kur kërkon të blesh diçka, lirisht fol shqip, të gjithë të kuptojnë, kur u drejtohesh për ndonjë punë tjetër përnjëherë ta fusin atë, “siqim arnaut ananasi”!.

-Kurrë nuk u mësove, mor vëlla. Lah Garaqi ishe dhe Lah Garaqi mbete, pale, edhe pse ke bërë 8 vjet në vendet e Turkistanit.

-Po ama për këto 8 vjet, i kam rënë trup e tërthor, Rumelisë, Junanit e Arnautistanit. Katër herë kam shkuar te familja. Mirëpo tash po bëhen tri vjet qyshkur kam qenë për herë të fundit. Po ma ndien zemra se  po e shoh për të fundit herë Stambollin, që kurrë mos e pafsha, as kurrë mirë mos ndjefsha.

-Nuk bën ashtu, Lah vëllai. Nuk na ka fajin Stambolli. Vjet të tëra kemi jetuar këtu. Mirë keq, sikur e ka shkruar Allahu, sikur për të gjithë të tjerët.

-Allahu nuk e ka shkruar të vuajë insani, pa  pasur borxh as hak. Sa vjet prej jetës së deritanishme  na i ka marrë Perandoria? Kemi luftuar për interesa të tyre, kemi vrarë e kemi plaçkitur rajanë kudo në këto anë, deri në Tataristan kemi luftuar, deri në Bagdad e Qabe kemi vajtur,  jemi plagosur e jemi gjakosur dhe krejt ndryshe na kanë trajtuar dhe na trajtojnë, në krahasim me të tjerët, edhe pse pa  nizamët e Arnautistanit, nuk mbahet dot Sulltani, ashtu sikur nuk mbahej para nesh pa jeniçerët tanë…

-Atyre ua kemi parë sherrin.

-Çfarë sherri u kemi parë?  Edhe ata të drejta kërkonin, por neve na kanë mohuar çdo të drejtë, madje edhe gjuhën e nënës, se lërë më të tjerat. Këtu në Stamboll flet gjuhën armene, greke, arabe, sllave dhe askush nuk të gërget, po fole shqip, në mos ma shumë,  ta fusin prapa  një, “siqim arnaut ananasi”.

-Po flitet se i pari i kryengritësve në Arnautistanin tonë  është vëllai i këtyre toskëve nga Frashri, që jetojnë këtu në Stamboll.

-E pra, ja që po na vjen dita. Do të shkojmë atje  dhe sapo të kemi arritur do të kalojmë në radhët e Lidhjes.

-Me gjithë mend e ke?

-Nuk të fsheh gjë vëllai ty. Unë jam marrë vesh me nizamët e mi, por duhet ta dish se shumica dërrmuese e nizamëve, pjesëtarë të  ekspeditës  nuk do të jenë arnautë, meqë tani dyshojnë në besnikërinë tonë.  Nuk na kanë besën turqit dhe nuk na kanë pasur kurrë, por ne jemi mashtruar dhe ende po mashtrohemi. Kjo është fatkeqësia jonë.

-Ne për ta jemi vetëm  nizamë-turq e asgjë më shumë.  Unë mendoj se pashallarët as e çajnë kokën për këtë. Madje duhet menduar mirë, sepse ata tanët, sapo  të na shohin me uniforma të askerit të turkut na japin plumbin. Nuk na shkruan në ballë kush jemi!

-Ne do të dezertojmë, sapo të ja jepet rasti.

-Është me rrezik që këtu në Stamboll të flisni kështu,  mor arnautë të mjerë, kishin dëgjuar nga prapa zërin e një e një shehu, me rroba të çjerra, i cili pinte me nge salepin dhe këndonte një si ilahi me zë të ulët.

-Heu, Hasan baba!,  sa paske ndërruar mor vëlla!. Vallahi, nuk të njoha, i thotë Lah Garaqi, dervishit nga Manastiri me të cilin njihej qysh moti. Malush Trollit nuk po i kujtohej kur e kishte parë atë njeri.

-E njeh Sheh-Hasanin?

-Mbase jemi parë, por nuk po më kujtohet, si emër, po,  e njoh, thotë duke i bërë temena dhe duke ia puthur dorën.

-Ndryshon insani, mor bir, ndryshon.  Edhe mua nuk më kujtohesh, por ama këtë Lah Garaqin e njeh krejt Stambolli. Ky është, sikur ai Halil Arnauti i moçëm, veç ishalla nuk e pret fati i tij dhe i 30 vezirëve shqiptarë, të cilët pasi i shërbenin  mirë e  mirë Dovletit, në fund ua shkurtonin  kokat për shpërblim, duke filluar me Ibrahimin e Pargës, e duke sosur me Vezirin e Janinës… Edhe këta të sodit i njëjti fat po i pret…

-Edhe ndonjë ditë, Hasan baba. Nuk kanë për ta parë më sytë e mi, për së gjalli këtë vend.

-Mos thuaj  ashtu mor bir. Nuk na ka faj Stambolli. Ka faj ajo fara jonë, që ka mbetur  në gjysmë të udhës, as u bëmë turq sikur janë bërë të tjerët, as kemi mbetur ata, që ishim dikur. Ne, arnautët jemi ndarë në mes. Kemi luftuar dhe luftojmë njëri-tjetrin. Herë me turkun e kundër tërë botës, e herë kundër turkut dhe kundër tërë botës. Allahu inshalla na udhëzon në rrugë të drejtë!

-Ashtu është Hasan baba, nuk e luan topi, po tani po vinë vakte të reja.

Pasi kishin pirë salep dhe kishin ngrënë nga një samun taze, Lah Garaqi dhe Malush Trolli ishin përshëndetur me Baba Hasanin, të cilit ia kishin falur nga një grosh dhe ishin nisur drejt kazermës, në Yskydar.

Njerëzia, kishin vërshuar rrugët. Tyxharët kishin nxjerrë në treg mallrat, nizamët e redifët shpejtonin drejt kazermave. Ata, pasi kishin falur sabahun po ktheheshin në shërbim. Hanëmet, disa me perçe e shumë me fytyrën zbuluar ecnin me shpejtësi, secila në punën e saj. Stambolli po ngjallej si një gjigant i madh shumëkrerësh e shumë këmbësh, nëpër  nën qiellin, të cilin dukej se po e shpërthenin majat e minareve të shumta, nën mjegullën e dendur të Bosforit.

Nga larg dëgjohej zëri i një  tellalli, duke i rënë tupanit dhe duke lajmëruar një heqje koke…

-Të ecim kah Gallata Saraj,  propozon Lah Garaqi, nuk po e dëgjoj mirë tellallin. M’u duk emër i njohur. Sagllam nga arnautët është.

-E dëgjova unë, ty të paskan lënë veshët. Sot e varin  Ali nizamin, është ai që  vrau atë zabitin francuz, tri ditë më parë.

-Mos bre, po a edhe për francezët  e dushmanët u dashka të na heqin kokat, a?  A nuk po mjafton hapsanja dhe kamxhiku për arnautët e mjerë?

-Eh, mor vëlla, kështu e ka kjo dynja rezile. Aliu ishte nibetxhi, nuk ja mori temenanë francuzit, ai u zemërua dhe  ia futi kamxhik, duke menduar se është raja i moldavit apo i Junanit. Por, Ali Dreni  nuk ia duroi kamxhikun, dredhoi shishanën dhe ia hodhi trutë në erë. Mbreti u zemërua shumë dhe urdhëroi ekzekutimin brenda tri ditë.

-Të shkojmë, ta shohim apo?

-Duhet të shkojmë o Lah vëllai. Sa e sa të tjerë i kemi  parë varur në litar, e me koka të prera për këto dhjetë vjet.

-E kam rëndë ta shoh,  por do të shkojmë, ndoshta na japin trupin, mbase i gjejmë ndonjë vend ndokund në varrezat jashtë Stambollit…

***

Në prill të vitit 1881, Dervish Pasha në krye të një ekspedite prej dhjetëra mijëra nizamësh, redifësh e oficerësh të rregullt, pas një vendimi që kishte marrë Porta e Lartë, ishte nisur me qëllim që ta shuante Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila gjatë tri viteve të ekzistencës kishte marrë nën kontroll shumë vise e Vilajete të Arnautistanit. Përveç këmbësorisë dhe kalorësisë, Pashai kishte marrë me vete edhe shumë topa të rëndë dhe municion për një ekspeditë në shkallë të gjerë, e cila kishte për qëllim të shtypte kryengritjen e madhe,  që kishte përfshirë jo vetëm Arnautistanin,  por edhe një pjesë të Rumelisë. Forcave të tij, afër Selanikut iu kishte bashkuar edhe regjimenti i Haxhi Osman Pashës, të cilit iu kishte besuar edhe komanda ushtarake. Në Batalionin  e katërt të Stambollit, të cilit i printe Mehmet Biçakxhiu ishin edhe Lah Garaqi, Malush Trolli, Idris  Hoxha, Murat Dreni dhe disa qindra nizamë shqiptarë nga Manastiri, Korça e Dibra. Tek-tuk ndonjë nga Kosova. Me një urdhër të fshehtë të sigurimit të shtetit, ishte kërkuar nga komandantët e gjeneralët,  që gjatë tërë kohës së ekspeditës të mos lejonin ndonjë ushtarak arnaut të merrte ndonjë vend me rëndësi në kreun komandues. Urdhri ishte i rreptë dhe i prerë. Të shpartallohej Lidhja, të ndëshkoheshin kryengritësit, të arrestoheshin të gjithë ata që në një mënyrë ose tjetër kishin rënë ndesh me ligjet e Padishahut.

Me të arritur në Selanik, ekspedita e nisur nga Stambolli kishte pushuar dy ditë, për shkaqe që nuk ishin bërë të ditura. Dukej se po pritnin furnizimet,  që pritej të vinin nga disa kaza që nuk i kishin kryer me kohë detyrimet financiare, për gjendjen e jashtëzakonshme.

Lah Garaqi dhe Malush Trolli, me nizamët e tjerë kishin  arritur në Manastir. Pasi kishin lënë rrobat e pajisjet në një kazermë të vjetër, në dalje të qytetit, atje ku i kishin urdhëruar të qëndronin,  ishin nisur për ta vizituar një ish-nizam, që ishte liruar nga shërbimi dy vjet më parë. Kishin dëgjuar se ai kishte hapur një furrë buke, së bashku me një mikun e tij, kapiten në regjimentin e Manastirit. Seit Lazami, me origjinë nga një fshat i kazasë së Kërçovës,  ishte gëzuar pa masë kur kishte parë dy nizamët nga Kosova, me të cilët kishte kaluar vite të tëra gjatë shërbimit në Stamboll dhe në vende të tjera të Perandorisë.

-E mor Seit aga, gati na paske harruar, apo? – iu kishte drejtuar Lah Garaqi nga larg.

-Jo mor vëlla, si t iu harroj, po hajde, hajde uluni, se qenkeni dërrmuar, iu thotë duke i përqafuar dhe i gëzuar pa masë, që po i shihte të dy shokët e vjetër, nizamë të Mbretit, me të cilët kishte kaluar çastet ndër më të vështirat në jetë. Si mund ta harronte Lah Garaqin, i cili ia kishte shpëtuar kokën gjatë një beteje, në Plevne të Bullgarisë katër vjet më parë, kur po luftonte përballë rusëve me disa nizamë arnautë në malin Ternovo. Atje ishte rrethuar nga rusët.  Po të mos kishte sulmuar nga prapa Lah Garaqi me nizamët e Arnautistanit, të cilët  i kishin dërguar me tabor të tëra, ai me nizamët e tij nuk do të ishte gjallë.

-Si ta harroj njeriun që ma ka shpëtuar kokën, i thotë dhe sërish e përqafon.

-Të ka shpëtuar Allahu, Seit vëllai, ndërsa unë bëra detyrën time.

-Allahut i qofshin falë, por ai  ty të bëri sebep për të ma ruajtur kokën, mua dhe njëzet të tjerëve në rrethim, në mesin e tyre edhe të Sefë Kosova. A të kujtohet ai nizami i gjatë dy metra. Pasi humbi syrin, e quanim  Sefë Qorri.

-Po si jo, mor. Pas luftës së Plevnës, kur humbi syrin e djathtë dhe theu ashtin e  këmbës, e sollën në Stamboll, ku qëndroi 6 muaj në një “Hastahane”. Disa herë e kam parë, por kanë kaluar tri vjet e më shumë, harron insani, Seit aga…

-Tash e ke atje, thonë se iu ka bashkuar Lidhjes. Kështu më ka thënë Xhafer Mala, një tregtar i drithit. Punon me vëllezërit “ Koti e Mita”, ku marrin grurë nga Fusha e Kosovës, në Lypjan dhe me tren e sjellin këtu në Manastir, pastaj  në Selanik e në Stamboll.

-Po tani, për në Vilajetin e Kosovës u kanë nisur?

-Po mor, vëlla, na kanë nisur të luftojmë kundër njerëzve tanë, kundër familjeve tona. E kishim lehtë kur luftonin në Plevne, sepse luftonin përballë dushmanit, por tash si t’ ia bëjmë?

-Ashtu, sikur e ka shkruar  Allahu do të bëjmë, thotë Malush Trolli.

-Evet, evet, ashtu do bëhet. Njerëz  të shkretë jemi ne, jemi si këto veglat që përdor unë për ta bërë bukën.

-Pse nuk thua jemi sikur këto drutë, që po i fut në furrën e zjarrit, për të pjekur bukën?

-Po, valla, bash kështu jemi, po çka të bëjmë?  Po u ngritëm kundër Mbretit kush do të na ndihmojë. Asnjë mik për be nuk kemi në shtatë krajlat. Dushmanët na quajnë turq, dhe po të mos jetë Sulltani, asnjë nuk na lënë të gjallë. Kjo është sagllam, ta thotë vëllai ty. Po ndale njëherë thotë Seiti….  duke u kujtuar se shokët e tij nizamë mund edhe të kishin uri e etje. Ai porosit një shërbëtor të furrës që të shkojë te “Jakxhihanja” dhe të sjellë gjellë për tre vetë. Donte të drekonte me dy shokët e tij, me të cilët, dyshonte se do të shihej më.

-Të hamë bukë njëherë, pastaj do bëhet sikur e ka shkruar i Madhi.

Lah Garaqi dhe Malush Trolli kishin sjellë në kujtesë çaste, që kishin kaluar bashkë, ishin çmallur me shokun e tyre, kishin pyetur për nizamët e tjerë kishin numëruar sa e sa, nga ata që nuk i kishin parë më, as dinin se ku i kishin degdisur nëpër viset e largëta të Perandorisë.

-Po këtu në Manastir si është gjendja?

-Përditë e më keq, Lah vëllai. Dje e kanë arrestuar dhe e kanë rrahur në qendër të qytetit, Sheh Hasanin e tyrbes së Manastirit.

-Si është e mundur, para një jave kemi ndenjur me të në Stamboll?

-Dy ditë më parë erdhi këtu. Duket se e kishin përcjellë një kohë të gjatë. Sapo kishte hyrë ne teqe, forcat e sigurimit të Nevruz Pashait e arrestuan dhe i gjeten disa “qitape” në gjuhën tonë dhe një këngë të një shairi arnaut. Hasan baba, nuk e mohoi se shpërndante libra shqip, por nuk i kishte treguar shokët me të cilët bashkëpunonte. U kishte thënë se librat ia kishin lënë disa  myhibë të panjohur, në teqe.  Është plak njeri, zor se i bën ballë burgut.

-Kam dëgjuar pak për atë atë këngë, Seit vëllai, është një kangë për Arnautistanin, apo?

-E kam këtu, thotë Seit Lazami. Po doni ua jap, por ama me “harfe” turqe e kam, nuk i di harfet tona. Hasan babai ma ka dhënë, në besë ama. Ai e ka shkruar me jazi tyrqe për ta kuptuar na arnautët e mjerë, që nuk i dimë harfet tona.

-As ne dy gjytyrymat nuk i dime harfet e aranutçës, thotë Lah Garaqi duke e marrë letrën e palosur në disa palë si një hajmali, të cilën, Seit Lazami e ruante në një xhep të qepur nergut për të  dhe të futur thellë brenda mitanit të arnuar.

-“Moj Shqipni e mjera Shqipni, kush te ka qite me krye në hi… Ti ke pas kenë”… E kam dëgjuar  njëherë kur e këndonte Dervish Brahimi, në teqenë e Miralem-babait, në Stamboll. E këndonte madje me zë, si të ishte ilahi, ama e vajtonte…

-Unë nuk e kam dëgjuar as e kam lexuar, thotë Malush Trolli, i cili  merr letrën dhe fillon ta lexojë, meqë ishte shkruar në alfabetin turk dhe ai e zotëronte mirë gjuhën dhe shkrimin e turqishtes.

-Vështirë do ta kemi. Jemi zgjuar vonë. Tash armiqtë e Perandorisë  janë edhe armiqtë tanë, thotë Lah Garaqi, i brengosur për fatin tragjik të Hasan babait, një burrë i njohur dhe “baba” i fukarenjve.

-Kemi vetëm një rrugë, ju thotë Lah Garaqi, juve. Duhet të luftojmë vetë, edhe  turkun edhe dushmanët, ndryshe nuk ia dalim.  Sa do të jetë e rëndë dhe e vështirë kjo rrugë, po e dimë të gjithë, por s’ kemi rrugë tjetër.

-Edhe këtu në Manastir kanë rekrutuar shumë nizamë arnautë. Kanë rekrutuar edhe në Korçë e në vende të tjera. Juve arnautëve të Vilajetit të Kosovës, duket se nuk iu besojnë. Habitem si ju kanë caktuar juve.

-Natyrisht se nuk na besojnë, por, mjerisht ka shumë të verbër  në mesin tonë, ka shumë turkoshakë e allçakë.

-Ka edhe burra si Abdyl beu, të cilin e njeh Turqia dhe Evropi, thotë Seit Lazami.  Po thonë se në Kosovë ushtrisë kryengritëse po i prin një malësor, një Sylejman Vokshi, mandej edhe një myderriz i njohur, Imer Prizreni e quajnë,  e  besa shumë të tjerë jo vetëm nga Kosova, por nga të katër vilajetet. Atyre iu paska bashkuar edhe Sefë Kosova  me shumë trima të Shtimes e Lypjanit.

-Ashtu kam dëgjuar edhe unë, edhe pse nizamët e kanë të ndaluar të merren me këto biseda. Disa  muaj më parë kisha takuar në Stamboll një ixhazelti nga Drenica, një anas timin, një Azam Efendi, dikur ka qenë edhe imam në Bajralki xhami. Edhe ai ka ikur nga Stambolli, ku ka lënë gruan dhe tre fëmijë. Nuk di kush të shpjegojë arsyen, por ma do mendja të besoj se nga tanët është.

-Nuk jemi pak, po të bëhemi bashkë. Por kështu si na kanë tretuar nëpër të gjitha viset e Perandorisë, as me tellall nuk na bëjnë bashkë.

-Shtatë ditë kemi në ket dynja, gjashtë idhnim e nja sefa, kështu na thonë dërvishët, por unë nga ana ime asnjë ditë në jetë nuk kam pasur sefa, thotë Lah Garaqi. Arnauti i shkretë, lind, jeton dhe vdes po buza kurrë nuk i qeshë. Kurrë, për së gjalli nuk i ndahet dajaku e fallaku.

-Evet, evet, Lah vëllai. Tamam, fjalë me vend.

Pasi kishin drekuar mirë e mirë dhe ishin çmallur me Seit Lazamin, Lah Garaqi dhe Malush Trolli ishin përqafuar me të dhe ishin ndarë me shpresë në Zotin se mbase edhe do të mund të shiheshin ndonjëherë….

Batalioni i Katërt i Stambollit, të cilit i printe, oficeri i  njohur me origjinë kurde,   Murat Biçakxhiu, gjatë rrugëtimit në Kosovë kishte ndaluar edhe tri ditë në Shkup, në qendër të Vilajetit. Aty duhej të priste një batalion me nizamë nga Dibra, i cili do të sillte edhe furnizime rezervë. Sapo ishte kumtuar urdhri për pritje, ndërsa ushtarëve iu kishin bërë me dije se asnjëri pa leje të mos largohej nga Kazerma brenda Kështjellës, Lah Garaqi kishte filluar të kurdiste planin për të shkuar  në Bit Pazar, ku kishte një anas të vetin, me qëllim që të merrte lajme nga familja, meqë  në tri vitet e fundit, nuk kishte arritur t’i vizitonte.

Duke qenë se njihte komandantin, pa vonuar, përmes kreut të truprojës  së tij i kishte kërkuar leje ta lironin për pak kohë, që ta vizitonte një mikun e tij në Shkup.

Pas pak i kishin bërë me dije se mund të dilte, për dy sahat.

Lahu, pa e lajmëruar fare Malush Trollin  ishte lëshuar teposhtë kështjellës dhe pas pak çastesh ishte futur në lokalin e terjes  së lëkurave, në breg të lumit të Vardarit. Aty kishte gjetur Sejdi Topallin nga Petrashi i Drenicës, me dy bijtë, duke regjur lëkurët dhe duke i tharë në erë. Në fillim duhma e lëkurëve ia kishte zënë frymën. Sejdi Topalli tubonte lëkurët e ndryshme të kafshëve, që i blinte te Pazari, ku tregtarët e mishit  thernin bagëtinë e imët dhe të trashë. Ai i terte lëkurët mirë, dhe pasi i sistemonte i niste për në Manastir e shpeshherë edhe në qytete të tjera ku ua shiste tregtarëve nga vende të ndryshme.

-E po ç’ kemi andej, e kishte pyetur Sejdi Topallin, pasi ishte ulur në një dru të thatë afër derës. Ai, pasi ishte përshëndetur miqësisht,  ia kishte zgjatur kutinë e duhanit, edhe pse Lahu e kishte llullën plot duhan dhe e lëshonte tymin shtëllunga-shtëllunga.

-Para tri jave kam qenë. Si ta them, ti ka tri vjet që nuk ke shkelë andejpari. Nëna të ka vdekur, zoti të lashtë shëndosh. Të tjerët mirë i ke. Djali është bërë burrë, bija është rritur. Vëllezërit po e punojnë tokën.

-Po të tjerët si janë?

-Kushëriri, Sheqiri i  Muçës me sa di unë nuk është kthyer ende nga Krimeja. Nuk dinë a është gjallë a vdekur. Edhe nga ti nuk kanë pasur habere. Madje janë përhapur  fjalë se të kanë dërguar në Bagdad, se ke tretur fare…

-Kështu jemi tretë, or kumbarë, në katër anët e botës  dhe tash prit edhe luftëra…

-Atje po ju qojnë, apo?

Lahu kishte pohuar me kokë.

-Ishalla jo, por po thonë se do të bahet kasaphane e madhe, o Lah Garaqi.

-Epo si e ka shkruar Allahu do të bëhet.

-Evet, evet, thotë me kokën ulur, tersi dhe shitësi i lëkurëve, Sejdi Topalli.

***

Mbrëmjen e 15 prillit të vitit 1881, forcat turke të stacionuara ditë më parë në Tasjan, (Ferizaj)  po sistemoheshin në batalione për të depërtuar në vendet e caktuara. Të nesërmen, herët në mëngjes asqerët e Mbretit kishin  sulmuar në drejtim të Koshares dhe Slivovës, ku ishte edhe përqendrimi më i madh i forcave të Lidhjes, të cilat e përballuan me vendosmëri dhe sukses sulmin. Luftimet sporadike, nga largësia  nga njëra llogore në tjetrën, kishin zgjatur katër ditë rresht. Komandanti i Batalionit të Katërt të Nizamëve të Stambollit, Murat Biçakxhi, kishte caktuar, Lah Garaqin në krye të një duzine nizamësh, të cilët duhej të kalonin gjatë natës në anën lindore të taborëve të kryengritësve, për t’i futur në rreth. Ai nuk dyshonte fare te nizamët, meqë nuk kishte dijeni se në atë mes nizamësh e redifësh ishin pesë arnautë pikërisht nga fshatrat ku ishin zënë pozicionet.

-E njoh terrenin, efendi, i kishte thënë dhe i kishte treguar drejt se ishte nga një fshat afër. Kishte shfaqur dëshirë, që me të aguar  ta lejonte të shkonte  në Koshare  meqë aty ndodhej një kundërshtar i njohur i Sulltanit, një Sefë Kosharja, veterani i Luftës së Plevnës së vitit 1877.

-Si është e mundur, veterani i Osman Pashës, të ngrihet kundër Sulltanit?- pyet Murat Biçakxhiu.

-Kështu po thonë, komandant i nderuar. E njoh personalisht dhe desha ta kap gjallë e ta sjellë këtu para teje.

-Sa nizamë të duhen.

-Vetëm këta pesë që jemi këtu?

Komandanti Biçakxhi përnjëherë ishte egërsuar dhe me një zë të ashpër iu kishte drejtuar Lah Garaqit.

-Bën shaka ti, apo ke një qëllim tjetër? E di se të var në litar?

-Nuk bëj shaka, komandant i nderuar. E kam mik, Sefë Qorrin, pesë vjet kemi shërbyer bashkë nizam,  do ta lus që të dorëzohet, nëse jo, ai nuk më pret në besë.

-Si shumë thjeshtë po të duket ty, të futesh në mesin e kryengritësve dhe ta bindësh për dorëzim një veteran të luftës së Plevnes, që tani është në krye të Lidhjes!.

-Nuk është e komplikuar komandanti im. Jemi 20 mijë ushtarë të Padishahut. Ata janë disa qindra, ne me topa, ata me topuzë. Unë përgjigjem për kokën time dhe të këtyre katër nizamëve. E njoh atë luftëtar. Atë duhet ta kenë mobilizuar me dhunë. Nuk e shkel bukën e Dovletit, Sefë Qorri, jo!.

Komandanti i Batalionit të Katërt, Murat Biçakxhi kishte ftuar agjutantin e tij dhe i kishte shprehur dyshimin e ndonjë kurthi nga Çaush-bashi,  Lah Garaqi.

-Me sa di unë është shumë i prapë, ka një mal me merita në luftë, por nuk i besoj. Ai duket se po zien diçka.

-Po të jetë ashtu, ai do të më kërkonte të paktën 100 ushtarë dhe unë do t ia jepja dyfishin. Ai kërkon që vetë i pesti të niset drejt kryengritësve.

-Po sikur të ketë lidhje me ta?

-Po të kishte lidhje, ai do të ishte arratisur më herët, para se të arrinim këtu. Do ta kishte heshtur njohjen me veteranin e Plevnës dhe nuk do të kishte shprehur haptas qëllimin.

-Si mendon ti?

-Në parim nuk u besoj arnautëve, edhe pse janë besnikë të verbër të Perandorisë.

-Le të shkojnë, punë e madhe, janë arnautë, nuk heqin shumë në kandar. Edhe ashtu do t’iu japim një mësim që nuk kanë për ta harruar kurrë.

Lah Garaqi e Malush Trolli, me dy bashkëvendësit e tyre, Idris  Hoxha dhe Murat Dreni kishin ngarkuar armët dhe ishin nisur në drejtim të fshatit Tërn. E njihnin mirë terrenin dhe ende pa aguar ishin nisur në drejtimin e caktuar.

Në kthesën në drejtim të Koshares, nga larg kishin hetuar disa luftëtarë në vëzhgim. Lahu, në maje të pushkës së gjatë, kishte vendosur një beze të bardhë, që ishte një shenj për dorëzim.

Me të aguar 19 prilli, Lah Garaqi me nizamët shqiptarë, pasi ishin marrë në pyetje nga tre vëzhgues të Lidhjes, kishin depërtuar në Koshare. Që në fillim kishte kërkuar ta takonte krerët e Lidhjes.

 Një orë më vonë, te vendi përballë Kodrës së vogël të Koshares. Lah Garaqi kishte takuar Sefë Qorrin, i cili i kishte njohur të dy dhe ishte përqafuar me të gjithë.

-E po tash që më erdhi Lah Garaqi, tybe n’ Zotin m’i sjellë edhe krejt orditë e Stambollit nuk kanë çka na bëjnë.

-Nga i kemi këta nizamë e Sefë, pyet një burrë shtatmadh, me mustaqe të mëdha dhe veshje malësore. Ai dy ditë më parë kishte arritur me 600 malësorë dhe ishte pozicionuar në mëtehun, mes Koshares dhe Perëndimes.

-Këtë të ziun, në Stamboll e njohin si Lah Arnauti, edhe Lah Garaqi i thonë,  bash si Halil Arnauti i moçëm. Me duar të veta më ka nxjerrë nga rrethimi në Plevne. Po të mos ishte ky, nuk do të isha sot me ju, thotë Sefë Qorri i gëzuar pa masë, që po e shihte veteranin e Plevnes, edhe pse ende nuk e dinte qëllimin e ardhjes së tij.

-Po si erdhët, kah erdhët? – pyet Sefë Kosharja,  ndërkohë që shumë luftëtarë ishin afruar të përshëndeteshin me nizamët.

-Ja, nga atje erdhëm, thotë duke bërë me dorë, drejt  nga Batalioni i Katërt i Murat Biçakxhiut.

-Si mor, po a me leje, apo keni ikur?

-Me leje, qe besa!

-Murat aga kërkon që të dorëzohem, apo?

Me atë qëllim na nisi, ndërsa unë e shfrytëzova rastin dhe e pleqërova me këta shokët e mi. Thamë, ma mirë të vijmë e të vdesim këtu, sesa të vritemi duke luftuar kundër njëri tjetrit.

-E njeh mirë kët trim o Sefë!, – i drejtohet malësori , të cilit i thoshin Komandant Mici. Ai ishte ulur mbi një trung lisi të prerë. Kësulën e bardhë e kishte vendosur mbi gjurin e djathtë dhe tymoste nga një llullë e shkurtë.

-Po qe besa, e njoh dhe keni për ta njohtë edhe ju. E njoh mirë edhe Murat Kurdin. Tri vjet kam shërbyer në Batalionin  e tij, dhe ta them të drejtën burrë i fortë është, medet që i kemi kundërshtar.

-Or komandant, qe 8 vjet luftoj për Sulltanin, i drejtohet Lah Garaqi, i cili tashmë kishte kuptuar se Komandant Mici dukej të ishte  një luftëtar me nam.  Kemi luftuar me këta nizamët e mi në Plevne e në Uzrdum, në Junan, në Arapistan dhe tash disa muaj pa e krye shërbimin, Mbreti na  sjellë këtu për t’u vrarë me njerëzit tanë, me vëllezërit tanë.  Ja, cili është shpërblimi që na jep Sulltani. Për këto vjet, çdo ditë, po t’ mu kishte dhënë rasti do t’ ia kisha kthyer martinën Stambollit. Po ç’e do, sa pare bën një pushkë e vetme.  E tash që e kemi Lidhjen, ja ku na keni.

-A ka shumë nizamë shqiptarë në ushtrinë e Dervish Pashës?

-Arnautë nga Dibra e nga Manastiri po, nga Kosova ka pak, përveç ne dhe ndonjë tjetri, të cilin nuk e njohim thotë Malush Trolli.

-Po ata tanët andej nga Drenica a kanë ardhur? – pyet Lah Garaqi.

-Po qe besa, atje te mali përballë e ke Jani Çupin me 100, pak më tej është një Hajdar i thonë  me do trima nga Malmiri e nga Shala, mandej  Ramë Kozmaqi, Dan Abria, Shaban Sinani, një Bilall  e të tjerë.

Po Mizor Muça?

-Mizori thonë se me dymijë vetë është në Lypjan dhe u kanë zënë rrugën forcave të Danish beut të Prishtinës, me qëllim për të mos lejuar ndonjë ndihmë për Dervish Pashën nga ajo anë.

-Po këta bajraktarët e agallarët e vendit?

-Këta, nuk kanë kah t ia mbajnë. Mulla Sylën e kemi me vete, por këta duan ta kenë mirë me Mbretin edhe me ne.

-Me ne, me ne, janë or trim, do janë edhe prej zori, por nuk kemi çka bëjmë.

Lah Garaqi, së bashku me Malush Trollin kishte kërkuar  që të bisedonin  vetëm për vetëm me Sefë Kosharen dhe Komandant Micin e krerë të tjerë.

Lahu, nizami i njohur i Stambollit u kishte dhënë informacione mbi pozicionet e turqve. Po ashtu u kishte bërë me dije, se në krye të ekspeditës, ndodhej vetë Dervish Pasha, në Tasjan,  dhe kishte marrë me vete  edhe topa të rëndë, të prodhuar kohëve të fundit në Selanik. Qëllimi i tyre është ta shpartallonin    kryengritjen dhe të bënin   tutje në Anadrin  e në Dukagjin.

-Kemi pak forca për t’i përballuar orditë e Mbretit, thotë Mic Sokoli.

-Mirë e ke o komandant. Unë mendoj se duhet të taktizojmë, të tërhiqemi maleve dhe t’ i sulmojmë kur të futen në Grykën e Caralevës. Këtu në mjedis të fushës   kot e kemi. 20.000 forca ndodhen në Tasjan. Po aq janë duke pritur në Shkup.

-Mor trima, edhe 100 mijë po të jenë, pa kaluar mbi trupat tonë, nuk do të bëjnë tutje, thotë një burrë hijerëndë, i cili sapo kishte hipur mbi kalin e bardhë dhe ishte nisur drejt vendit nga ku shihej fushimi i forcave turke.

-Kush është ky burrë? – nuk po e njoh?,-pyet Malush Trolli.

-Është Smajl Hyseni i Hysen Smajlit, nga Malësia.

-Po ti mor Malush, qe sa kohë nuk e ke parë familjen, as  Rekasin?-

-Qe dhjetë vjet rrafsh, e baca Sefë, pesë vjet nizam, pesë redif. Tash kur duhet të lirohem na sollën këtu të vritemi me njerëzit tanë!

-Hej, Zot e Zot, 10 vjet pa e parë e pa dëgjuar asnjë fjalë për familjen, kjo bën vaki veç me shqiptarët e shkretë!

-Po nga të kemi or vëlla, i drejtohet komandant Mici.

-Ja, nga ai katundi atje, mbi Shtime, nga Rekasi, o Bacë. Atje kam familjen nëse gjej gjallë ndonjë. Asnjë haber nuk e kam qe 10 vjet.

-Me sa di unë, gjallë i ke, të gjithë, thotë Sefë Kosharja.

-Epo nisu mor bir, nisu çka po pret. Shko njëherë e çmallu me njerëzit e shtëpisë. E ke hak o trimi Lahut.

-Qe besa nuk e di, është ky, trimi i Lahut, apo Lah Garaqi  trimi i tij, qesëndis, Sefë Kosharja, i cili i njihte mirë të dy. Lahu ishte nga ata trima, që edhe fliste për trimërinë, por Malush Trolli kurrë nuk kishte folur për trimëritë e tij. Tani kishte ardhur koha të tregohej trimëria, po thoshte me vete.

-Shko, Malush, shko! Unë para tri vitesh kam qenë në Malmir, ndërsa në Shkup mora vesh se të gjithë ishin mirë. Nëna më kishte vdekur, por të tjerët gjallë janë, e besoj se burrat, këndej pari i gjej.

-Ti shnosh’ Lah Garaqi, kishte ngushëlluar në emër të të gjithëve komandant Mici. Kishin shprehur ngushëllime edhe të tjerët

-Nisu o djalë, të paska përvëluar malli i familjes, nisu çka po pret, i drejtohet Mic Sokoli. Eh… sa vuajtje na kanë shkaktuar këta turq të ligj. Sa nëna kanë lënë pa bij, sa nuse kanë lënë të veja, e sa bij e bija jetimë…

-Kam pritë 10 vjet komandant, nuk më bëhet vonë për një ditë e dy. Nënë, babë e një vëlla i kam lënë. Edhe nusen e kam lënë, por bij e bija jo. Pale në paçim ymër!

-Si e ka shkruar Zoti bahet….

Duke qenë se Malush Trolli nuk kishte pranuar të vizitonte familjen, kishin vazhduar të bisedonin për taktikat e mundshme, që do të përdornin në sulm dhe në mbrojtje. Të dy, gjatë tërë kohës së shërbimit në Perandorinë Osmane kishin qenë ushtarë të rryer ndër beteja. Lah Garaqi dhe Malush Trolli me kohë kishin vërejtur pozicionimin e forcave turke dhe mendonin se epiqendra e sulmit do të ishe “Te lisat”, në Kodrën e Slivovës, pikërisht në vendin ku ndodheshin, meqë aty edhe ishin hapur istikamet e luftës.  Kishin biseduar gjerë e gjatë. Nga përvoja e tyre në ushtrinë e turkut, të dy sërish kishin shfaqur mendimin se duhej ta provokonin ushtrinë turke dhe të tërhiqeshin nëpër male e lugina, meqë nuk kishin forca të barabarta për një luftë ballë për ballë.

-E kemi shqyrtuar sa e sa herë, mor trima, por komandanti ynë, Sylejman Vokshi veç sa nuk ka ardhur me mijëra luftëtarë nga Dukagjini. Ai dhe krerët e Lidhjes kanë marrë vendim “mu ndeshë” përballë me turkun dhe pikërisht këtu, në “Fushë të Shtimes” i thonë ata, po ja që këtu qenka “Kodra e Koshares”. Duam t’i bëjmë me dije Padishahut por edhe Evropit, se kemi forcë për luftë edhe ballë për ballë.

-Komandant, po flas nga përvoja. Turqit kanë të dhëna pikërisht për vendin ku ndodhemi. Meqë ne jemi pozicionuar në llogore dhe nuk kemi topa, ata fillimisht do të na godasin me topa në llogoret tona  dhe do të na dëmtojnë. Si mund të qëndrojmë deri  sa të vinë këmbësorët?  Me ta, edhe unë besoj se ballafaqohemi me pushkët dhe shpatat tona.

-Do të qëndrojmë se s’ bën!, thotë Sefë Kosharja. Nesër, para se të zbardh, do t’ i sulmojmë dhe do ta shpartallojmë pararojën, kështu që ata nuk do të kenë mundësi ta marrin veten.

-Kjo që thua, o Sefë burri, ka anën e vetë të mirë, por duhet t’ i gjejmë një dyqind “fidahçarë”.

-Të gjithë jemi fidahçarë, o vëllezër. Po asnjë prej nesh nuk erdhi këtu me detyrim. Të gjithë për hatër të Vatanit kemi ardhur nga Malësia e Gjakovës, nga Rrafshi i Dukagjinit nga Podrimja e Drenica. Besa edhe nga Llapi e Mitrovica janë nisur e disa edhe kanë arritur, por u ka zënë pritë  Danish beu, në Fushë të Kosovës.

-E vetmja mënyrë për sukses është depërtimi te topat dhe atë, sonte natën, përndryshe pozitat, të cilat i kanë zënë turqit do të jenë fatale për ne.

-Po vallahi, mbreti ka topa edhe në Tasjan edhe në Shkup, ndërhyn një luftëtar i Lidhjes, të cilin nuk e njihte askush.

-E dimë o bir, e dimë, por neve këta topat këtu na kanë zënë vendin, Mbreti ka topa edhe në Stamboll e deri në Bagdad.

-Mor po kush je ti që flet kështu, apo ndoshta po të dridhen leqet e këmbëve?- pyet Sefë Kosharja.

-Luftëtar jam, nga ky fshati i Rrafshit. Fola qashtu kot. Pas pak, pasi e kishte shikuar pak me dyshim nizamin që sillej sa andej e këndej, Sefë Qorri iu kishte drejtuar Malushit.

-Po flet me fakte dhe po ma mbush mendjen, o vëlla, por plani ynë është marrë më herët. Ndoshta do të bëhemi kurbanë të gjithë, por për atdhe do të biem. Vijnë të tjerë pas nesh dhe e bëjnë Shqipërinë…

-Po bëjmë plane komandant, ne kemi ardhur për të luftuar, por edhe për të vdekur, ashtu si ju. Me qindra herë e kemi parë me sy vdekjen në shërbim të Sulltanit, por Zoti  si duket na ka ruajtur për një vdekje me nder, por  ma do zemra edhe të fitojmë, të mos i lëshojmë turqit të vinë këndej.  Nëse i sulmojmë gjatë natës, i befasojmë dhe i shpartallojmë, sepse ata nuk e njohin terrenin, dhe ne dimë nga të tërhiqemi. Sulmi gjatë natës nuk është praktikë e forcave turke, as e forcave të rregullta, por kjo është epërsia jonë.

-O Vëllezër,  o trimat e Lidhjes, do të presim mos po na vjen pararoja e Sylejman Vokshi, e madje do të vendosim kishte thënë Komandant Mici…

***

Dielli ishte përskuqur në perëndim mbi bjeshkët e Caralevës. Një erë e furishme, që vinte nga Jugu po ndeshej me degët e lisave dhe po krijonte ushtimën gjëmuese të pyjeve. Pylli i Perëndimes,  në perëndim nga Kosharja,  ishte mbushur me luftëtarë, të cilët kishin hapur istikamet dhe kishin ndezur zjarre kudo, meqë nata ishte e ftohtë dhe nuk ishin veshur trashë. Luftëtarët,  të tubuar togje-togje,  as donin t’ ia dinin për afrinë e ushtrisë turke, e cila ishte vetëm tremijë hapa më tej. Tej-tutje dëgjoheshin edhe këngë  majekrahit dhe britma të improvizuara të ushtarëve të Lidhjes. Ata, meqë kishin në mesin e tyre  mjaft burra, që kishin kryer shërbimin në ushtri, si nizamë  e redifë,  e dinin se ushtarët turq frikësoheshin nga zërat e panjohur, nga magjitë dhe nga ulërimat, andaj si për inat bërtisnin me zë të lartë dhe improvizonin zërat e të gjitha llojeve të egërsirave, ndonjëherë edhe shtinin në drejtim të tyre nga pushkët e gjata, edhe pse ishin porositur ta ruanin municionin.

Por edhe në taborin turk kishte trima, që herë pas herë brohorisnin, madje edhe këndonin, u binin daulleve  dhe shtinin në ajër. Nga atje dëgjohej edhe Ezani i Jacisë, meqë ushtarët falnin namazin dhe luteshin për fitore, në emër të Allahut dhe të Padishahut. Pak ushtarë turq kishte në ekspeditë. Shumica e tyre ishin kurdë, çerkezë, melezë të popujve të Ballkanit, armenë e tartarë. Kishte edhe shumë shqiptarë nizamë nga viset e Dibrës, Manastirit, Selanikut e Korçës. Ushtria perandorake ishte ushtri që përbëhej  nga pjesëtarët e tridhjetë popujve e kombeve të botës.

Në Divizionin e  Parë të kalorësisë e të këmbësorisë, në qendër, përballë Koshares e Slivovës, ishte pozicionuar gjeneral, Ibrahim Pashai me shtatë batalionet e arritura nga Stambolli e Rumelia. Nga ana e sipërme, rreth pyjeve të Perëndimes ishte pozicionuar gjeneral, Osman Pashai, me gjashtë batalione, ndërsa në anën e djathtë,  në drejtim të Koshares ishin pozicionuar  forcat e gjeneral Mustafa Pashës. Përveç tre gjeneralëve të njohur të Perandorisë Osmane, në ballin e forcave turke ndodhej vetë, Dervish Pashai, kreu i luftës,  i caktuar për ekspeditë, drejtpërdrejt nga Sulltani. Ai kishte pozicionuar dy batalione elite dhe dy bateri topash. Si gjeneral i sprovuar  dhe njohës i artit ushtarak, ishte i vetëdijshëm se luftëtarët e lidhjes nuk kishin topa, andaj kishte ndërmend që të sulmonte pikën e madhe të përqendrimit të forcave kryengritëse, me qëllim që të shkaktonte panik te arnautët, trimërinë dhe ashpërsinë e të cilëve e njihte  më mirë se çdo komandant tjetër. Po ashtu e dinte se ishin përhapur fjalë se ushtria kryengritëse kishte tubuar 50 mijë luftëtarë. Edhe pse nuk kishte të dhëna të besueshme, për një lëvizje të tillë të trupave, lajmi kishte marrë dhenë dhe ishte përhapur edhe ndër ushtarët turq. Nuk harronte dot se kishte marrë një urdhër të prerë nga Sulltani: “Të shpartallohej lidhja Shqiptare me çdo kusht dhe me çdo çmim”. Ishte vënë në shërbim të urdhrit dhe kishte bërë të gjitha përgatitjet e duhura. Në orët e mesnatës kishte lutur Allahun, që arnautët të mos sulmonin natën, derisa ushtarët pushonin në një vend të huaj, të panjohur…

Në orët e mbrëmjes, në Kampin e kryengritësve në Koshare e në Slivovë kishte arritur edhe kryekomandanti i Lidhjes, Sylejman Vokshi me Ali Ibrën e trima të tjerë të njohur të Lidhjes së Prizrenit. Paraprakisht, shërbimi sekret i Lidhjes kishte përhapur fjalë se Sylejman Vokshi kishte mobilizuar një ushtri prej rreth 50 mijë vullnetarësh, ndërkohë që në dy pozicionet kah perëndimi dhe kah veriu  nuk kishte më shumë se 5 mijë luftëtarë, shumë prej tyre edhe  të pa sprovuar në luftëra.  Shtabi ushtarak i Lidhjes Shqiptare disa ditë para betejës kishte caktuar pozicionet sulmuese dhe mbrojtëse rreth pyjeve të Perëndimes në relacion: Zaskok, Ferizaj, Jezerë, Neredime, Dremjak,  Slivovë, Shtime, nga ana perëndimore. Pozicionet e tjera, po ashtu sulmuese dhe mbrojtëse ishin pozicionuar edhe nga ana veriore, në relacion Shtime, Rashan,  Muzeqe, Topliçan,  Lypjan, ku ishin vendosur  shumë luftëtarë nga Drenica dhe nga  fshatrat rreth Lypjanit e Blinajës.

Krerët e luftës: Sylejman Vokshi, Mic Sokoli, Ali Ibra, Smajl Huseni,  Sefë Kosharja e të tjerë nuk kishin bërë përforcime të veçanta  në Shtime, duke qenë se dy pikat e mbrojtjes dhe sulmit takoheshin aty. Popullata e Shtimes dhe e fshatrave përreth ishte dyndur drejt maleve të Topillës, Ranzës,  Graiçecit e Jezerës, me qëllim për të mos u shtypur nga forcat ndërluftuese.

Kampi i ushtarëve të Lidhjes ishte kamp i vullnetarëve, i shqiptarëve që kishin vendosur të luftonin për atdhe, për ta bërë Shqipërinë e katër vilajeteve një shtet të vetëm, autonom. Shumë prej tyre kishin shërbyer në ushtrinë e Sulltanit dhe e dinin se përballja do të ishte e përgjakshme dhe e paparashikueshme. Edhe ata, nga ana e tyre, kishin vënë në zbatim strategjinë e kundërvënies. Epërsinë e  tyre e mbështetshin te fakti se ishin në trojet e veta dhe e njihnin terrenin, qoftë për sulm, qoftë për tërheqje. Në anën perëndimore, prapa kampit turk, në largësi prej dy mijë hapave, luftëtarët e lidhjes disa javë më parë   kishin vendosur dy katapulte dhe i kishin maskuar aq mirë sa nuk i kishte vërejtur askush. Për “havanët” më së miri dinin Sefë Qorri dhe Mic Sokoli, por e kishin mbajtur fshehtë, me qëllim për ta befasuar ushtrinë e turkut.

Me të zbardhur dita e 20 prillit, Malush Trolli së bashku me Lah Garaqin kishin depërtuar te “havanat”. Ata kishin planifikuar që sapo të përgatiteshin topat e Dervish pashait për sulm, t’ i sulmonin, nga prapa, me qëllim që topat e Dervish Pashait  të drejtoheshin drejt katapultave, ku kishte  pak luftëtarë. Vendi para tyre kishte një mbrojtje të  fortë  me dy radhë lisa të bungut.  Ndërkohë, ishte marrë vendim që  sapo topat të ktheheshin drejt katapultave, Mic Sokoli do të vërsulej me luftëtarët drejt baterive të topxhijve ku, thuhej se ndodhej edhe vetë Dervish Pashai me disa krerë të luftës.

***

Me të aguar 2o prilli i vitit 1881, buritë në kampin turk kishin lëshuar alarmin e fillimit të luftimeve. Kishte filluar lutja me zë e dervishëve dhe më pas kishin jehuar lodrat e curlet me qëllim për të mobilizuar  dhe për t’ i trimëruar ushtarët,  që ishin radhitur secili në togun e vet dhe çdo tog e bateri në batalionin e vet. Muzika ritmike luftarake po i mobilizonte edhe luftëtarët e Lidhjes, meqë shumë prej tyre po me atë muzikë kishin luftuar gjithandej nëpër viset e Perandorisë.

Sapo topat e forcave të Dervish Pashës kishin marrë urdhër për përgatitje zjarri, dy katapultat e forcave të Lidhjes kishin goditur me saktësi, pikërisht mbi  baterinë e topave të Dervish Pashait. Tre topa kishin dalë jashtë funksionit, meqë gurët e rëndë kishin plagosur ushtarët, por edhe kishin dëmtuar pozicionet e tyre. Në taborin turk përnjëherë ishte dhënë urdhri, që një bateri me topa të lëvizej në drejtim të katapultave, që ishin shfaqur aq papritur dhe krejt befasisht. Druhej se arnautët kishin edhe havanë të tjerë nga ana lindore e pozicioneve, që i kishin zënë turqit. Duhet ta prisnin edhe një goditje, për të parë dhe për të vërtetuar  se nga po vinin gurët. Pak më vonë, vëzhguesit kishin evidentuar vendin dhe kishin dhënë me hamendje koordinatat për vendin e katapultave. Breshëria tjetër e dy katapultave kishte bërë që një batalion i përqendruar në anën perëndimore i forcave të Osman Pashait, të kthente përqendrimin në një drejtim tjetër. Oficeri turk, Turgut  Imran, i kishte raportuar Dervish Pashait se katapultat, nuk paraqitnin ndonjë rrezik por  ishin një rreng i arnautëve, për ta shpërqendruar sulmin, me qëllim për të krijuar tollovi dhe frikë në mesin e ushtarëve turq.

 Lah Garaqi dhe Malush Trolli po ndihmonin drejtuesit dhe shkarkuesit e katapultave, ndërkohë që një predhë e topave kishte goditur në muranën e lisave dhe kishte shpërthyer, por murana nuk  kishte pësuar.

-Na zbuluan Havanin, por duket se kjo murana do të mbajë edhe goditje të tjera, qenka e fortë

-Nuk mban shumë, po nuk i përforcuam  shtyllat. O burrani merrni ata lisat andej dhe ta përforcojmë muranën, përndryshe duhet të ikim!

Një luftëtar i ri  nga Budakova, Hasan Hyseni, kishte lajmëruar se një ordi e kalorësve turq ishin nisur me shpejtësi  nga ana e poshtme e terrenit, ndoshta për t’ ua marrë krahun nga prapa, por jo  drejt katapultave.

-Na dha lajm të mirë, e trim, thotë Lah Garaqi. Kur të afrohen njëmijë hapa, topat nuk do të godasin më në këtë drejtim, sepse kanë droje që i dëmtojnë ushtarët e vetë, ndërsa ne kemi dy qind hapa malin.

-A ta shkrehin edhe njëherë, – pyet i riu të cilin e quanin, Hasan Hyseni.

-Kurdiseni  mirë dhe mos vononi!

Në kohën kur diga goditëse e katapultës kishte lëshuar sasinë e gurëve, në pikën “katër pashë”  të lartë, ishte goditur nga predha e topit dhe ishte bërë copë-copë.

-Të tërhiqemi, Lah!  Të zëmë pozicionet te pylli. Atje jemi më të sigurt!

-Ta shkarkojmë edhe njëherë këtë tjetrin, ende janë larg, thotë shënjuesi.

-Mirë atëherë.  Sapo ishte shkarkuar barra e gurëve në drejtim të taborit turk, mbi muranën që mbronte katapultat , kishin goditur disa predha dhe pjesa e sipërme e muranës ishte shembur duke përplasur për tokë disa luftëtarë të Lidhjes.  Lah Garaqi kishte dhënë urdhër për tërheqje, ndërkohë që luftëtarët po bënin përpjekje të nxirrnin ata, që i kishte zënë shembja e muranës. Predha tjetër kishte goditur më larg, krejt afër pyllit nga ku po largoheshin kryengritësit, shumica e tyre duke ngarendur me shpejtësi dhe duke bërë zig-zage, meqë ishin në shënjestër të këmbësorisë, që po i ndiqte.

***

Në kohën kur bateria e topave ishte drejtuar drejt katapultave, Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Zeqir Osmani, Sefë Kosharja Jani Çupi, Ramë Kozmaqi, Din Rosha, Dak Mulaku, Ali  Muleta e shumë luftëtarë të tjerë ishin sulur mbi topat e  artilerisë turke, e cila kishte drejtuar tytat nga katapultat. Depërtimi i tyre te topat, kishte shkaktuar tronditje të befasishme  në radhët e ushtrisë turke, e cila kishte mësyrë me një sasi të konsiderueshme të forcave.

Një luftëtar kishte arritur të kthente njërin top drejt forcave turke. Disa të tjerë  kishin kërkuar që ta tërhiqnin topin në një vend të sigurt. Ishte krijuar një tollovi, ndërkohë që bateria e dytë e topave kishte urdhëruar tërheqjen e ushtarëve turq, me qëllim për t’i  goditur arnautët,  që ishin afruar te bateria e parë e topave. Tollovinë e kishin shkaktuar luftëtarët e Lidhjes, të cilët duke parë se kishin pushuar predhat, ishin sulur mbi turqit, që po tërhiqeshim, me urdhër të komandës së tyre, me qëllime taktizimi. Luftimet ballë për ballë, u kishin dhënë zemër luftëtarëve, meqë turqit ishin befasuar nga gurët e Havanave dhe prisnin edhe sulme të tjera. Luftëtarët e Lidhjes, në krye me Mic Sokolin  po bënin përpjekje të merrnin topat, apo të godisnin me ta, kur pas disa çastesh kishin  shpërthyer mbi kokat e tyre  disa predha, që vinin nga Bateria e Dytë e topave.

Në çast, shumica prej tyre ishin larguar dhe ishin futur në istikame. Vetëm dy topa i kishin tërhequr disa luftëtarë, ndërkohë që një predhë kishte hedhur në erë disa prej tyre. Pas pak,  kishin pushuar predhat. Ushtria turke kishte filluar të taktizonte duke gjuajtur me topa të kalibrit të madh në disa drejtime, ku mendohej se ishin pozicionuar luftëtarët e Lidhjes. Predhat e topave po goditnin edhe fshatin e Kosharës. Një topxhi, mbase me hamendje, apo me qëllim  kishte goditur edhe minaren e xhamisë, meqë te oborri i saj kishte parë njerëz. Goditja e xhamisë ishte një ogur i keq për forcat turke, ndërkohë që ishte dhënë urdhër për pushim momental të zjarrit, pasi ishte krijuar një tollovi në mesin e ushtarëve turq, kur kishin parë malësorët që kishin depërtuar te topat dhe po bënin përpjekje t’i tërhiqnin. Papritmas iu kishte dhënë urdhri kalorësisë që të sulmonte në drejtim të Koshares dhe Slivovës, ku shumë luftëtarë po prisnin urdhrat për sulm, ndërkohë që disa të tjerë  ende prisnin në istikame.

Në kohën kur kishin pushuar predhat, luftëtarët e Mic Sokolit sërish ishin turrur drejt topave, me qëllim për të marrë disa prej tyre.  Shumë nga ata kishin arritur, që gjatë tërheqjes të merrnin  predha dhe barot. Në përpjekje për të marrë topat, ishin vrarë dhjetëra luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Mic Sokolit iu kishte fiksuar ideja e rrëmbimit të paktën të dy apo tre topave. Në përpjekjen e tij të fundit për ta tërhequr topin e madh, ishte marrë në shënjestër  nga një topxhi, nga radhët e forcave turke. Gjylja e topit kishte goditur trupin e bëshëm të malësorit,  ndërkohë që nga furia e gjyles ishte  hedhur në erë, disa hapa më larg. Nga shpërthimi i predhave ishin plagosur edhe Ramë Kozmaqi, Januz Çupi  me Ali Muleta, të cilët në atë çaste ndodheshin afër tij. Bashkëluftëtarët e Mic Sokolit, Smajl Hyseni e dhe Rexhë Osmani  bëjnë përpjekje ta marrin trupin e komandantit. Pas pak çastesh pikërisht në vendin ku kishte rënë Mic Sokoli kishin rënë edhe Smajl Hyseni, dy luftëtarë të tjerë nga Llapusha e disa të tjerë nga fshatrat e rrafshit. Trupat e tyre ishin shkapërderdhur nëpër fushën e betejës  nga goditjet  e gjyleve të topave.

Një tollovi e paparë ishte shkaktuar edhe në mesin e ordive turke. Sulmi i papritur dhe prapa shpine kundër baterive të topave, depërtimi i luftëtarëve të Lidhjes në vijën e parë të forcave turke, përpjekja e tyre për të marrë topat  kishte shkaktuar panik te topxhijtë dhe te ushtarët e vijës së parë. Agjutanti i Dervish Pashait, Turgut Imran, po mundohej të vendoste rregull, duke u bërtitur topxhijve dhe duke i kërcënuar se kishin lëshuar pozicionet dhe  ishin degdisur me rastin e goditjeve nga katapultat e kryengritësve.

Në çadrën e Dërvish Pashait kishin shkuar për konsultim Osman Pasha dhe Ibrahim Pasha, komandantët e dy krahëve në ekspeditën kundër kryengritësve shqiptarë.

-Na befasuan arnautët me ata gurët nga havanat!. Nuk kishim asnjë informatë se ata kishin bërë përgatitje të tilla, thotë Osman Pashai dhe shton. Duhet ta kemi parasysh këtë fakt. Mundet që ata të na godasin edhe me katapulte të tjera, për të cilat ende nuk kemi të dhëna si i kanë ndërtuar dhe në çfarë principi veprojnë. Nuk duket të jenë havane të mirëfillta. Mbase është ndonjë katapult, për të cilin nuk kemi të dhëna.

-I nderuar Pasha, shumë prej arnautëve, tani kryengritës, kanë kryer nizamin dhe redifin. Ata i dinë të gjitha taktikat dhe teknikat tona. Po fakti se ata lanë qindra të vrarë për të marrë disa nga topat tanë, tregon se nuk kanë asgjë nga armatimi i rëndë veç pushkëve dha hanxharëve, të cilat për fatin tonë të keq dinë t i përdorin, më mirë se  ushtarët tanë të rregullt.

-Të gjithë ne e dimë si luftojnë arnautët. Po bëhen gati 500 vjet që ata luftojnë përkrah dhe kundër nesh.

-Katapultat janë armë të rënda, pasha! Me to kemi rrënuar kështjellat kudo në botë, por dua më shumë të dhëna mbi këto që na sulmuan. Nga preciziteti i goditjes jam i befasuar.

-Së shpejti do të na vinë të dhënat, Pashai im. Ushtarët tanë tashmë kanë pushtuar vendin te njësia e tyre e sulmit. Po i godasin nga brenda pyllit, por arnautët po tërhiqen  drejt maleve.

-Tre tetarë që erdhën nga Lypjani na bënë me dije se forcat e Danish beut kanë vënë në rrethim forcat e arnautëve në Lypjan. Një pjesë e tyre janë tërhequr drejt pyjeve nga ana perëndimore, ndërsa disa nga krerët janë kapur dhe janë izoluar.

Dervish Pashai, asnjëherë nuk kishte dyshuar në finalen e luftës, që do ta zhvillonte kundër arnautëve, meqë e dinte mjaft mirë  se atyre u mungonin të gjitha, veç moralit të fortë dhe trimërisë së njohur, e cila jo çdo herë kishte qenë e dobishme për ta.

-Të gjithë ata që kapen duke luftuar ose që dorëzohen, të arrestohen dhe  të përgatiten për rrugë drejt Shkupit, e të dërgohen në Selanik, pastaj  në Stamboll. Emrat e atyre që janë të fermanin e zi të bëhen batare, sapo të kapen,  kishte urdhëruar Dervish Pashai, ndërkohë që dy komandantët e tij ishin larguar nga Çadra duke i bërë temena…

Në orët e pas ditës, së 21 prillit,  forcat turke kishin përparuar drejt fshatrave. Kryengritësit kishin bërë përpjekje të tërhiqnin të plagosurit, por nuk kishin arritur të merrnin shumë prej tyre, meqë kalorësia turke i kishte befasuar me një shpejtësi të rrufeshme. Ishin tërhequr kush nga kishte mundur. Sefë Kosharaj ishte plagosur në dorë dhe në këmbë. Bashkëluftëtarët e tij e kishin nxjerrë nga rrethimi dhe e kishin vendosur në një shtëpi të braktisur, në fshatin e tij, në Koshare. Plagët ia kishte lidhur një grua plakë, e cila me burrin e saj nuk ishte larguar nga fshati, me rastin e zhvendosjes së popullatës. Një kryengritës,  i kapur rob nga ushtarët e Mehmet Biçakxhiut, pasi ishte rrahur mizorisht kishte treguar shtëpinë ku ishte strehuar,  Sefa i plagosur dhe dy bashkëluftëtarë të tij.

Toga e ushtarëve turq kishte rrethuar shtëpinë dhe kishte kërkuar që ai dhe të tjerët të dorëzoheshin. Bashkëluftëtarët e tij, dy nga trimat e Mic Sokolit kishin nxjerrë shpatat nga milli dhe po pritnin rastin, të mbroheshin deri në vdekje  kur ushtarët turq të bënin përpjekje për t’ u futur në shtëpi.

-Nuk ia dalim, o trima. Jemi të rrethuar. Ata mua më kërkojnë, juve edhe mund t iu falin,- iu thotë ai

-Jo komandant, nuk të lëmë në duar të tyre…

-Mor po, nëse më bëni hesap për  komandant, ma përfillni edhe urdhrin, iu kishte thënë ters, i vetëdijshëm se tashmë i kishte ardhur fundi.

-Nuk e përballojmë dot një ordi vetëm me shpata në dorë, or vëllezër!

-Më mirë të vdesim me shpata në duar. Edhe ashtu do të na therin!

-Jo, nuk u therin, po qe se dorëzoheni. Shtatë vjet kam shërbyer në ushtrinë e Padishahut. Kurrë nuk kemi therë, ata që janë dorëzuar.

Ndërkohë, forcat turke kishin humbur durimin dhe ishin vërsulur drejt konakut. Gjatë luftimeve kishin rënë me shpatat në duar, Man Malësia dhe Ndue Krasniqi. Sefë Qorri i kishte pritur shtrirë në shtratin e drurit.  Ushtarët e Mbretit e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin nisur te çadra e Murat Biçakxhiut.

Lajmi se Mic Sokoli ishte vrarë me gjyle Topi, se ishte kapur i plagosur, Sefë Kosharja,  Januz Çupi e disa të tjerë, se kishin rërë në fushën e nderit  Ramë Kozmaqi, pastaj Smajl Hyseni, Rexhë Osmani dhe qindra luftëtarë, nuk i kishte demoralizuar kryengritësit, shumica dërrmuese e të cilëve ishin tërhequr me sukses dhe iu kishin rrekur maleve, për ta sulmuar armikun, aty ku nuk i priste.

Sefë Kosharen e plagosur në dorë dhe në këmbën e djathtë, ushtarët turq   e kishin drejtuar te çadra e komandantit të kalorësisë, Murat Biçakxhi,  ku kishin filluar ta merrnin në pyetje. Për kapjen e tij ishte lajmëruar edhe vetë Dervish Pashai dhe dy pashallarët e tjerë. Interesimi, për ta parë veteranin e luftës së Plevnës, trashmë kryengritës i Lidhjes ishte rritur edhe në mesin e oficerëve, disa nga të cilët edhe e njihnin.

Në prani të Osman Pashait dhe të Murat Biçakxhiut, oficeri hetues i Gjyqit Ushtarak e kishte marrë në pyetje kryengritësin e njohur. Pasi kishte paraqitur pak të dhëna për kryengritësin, duke mos fshehur faktin se ishte veteran i luftës së Plevnes, ku kishte humbur edhe njërin sy, iu kishte drejtuar të akuzuarit:

– Kam vetëm një pyetje të shkurtër dhe dua një përgjigje po ashtu të shkurtë, meqë nuk kemi kohë për të zhvilluar procedurë të rregullt gjyqësore. Ti ke shërbyer shumë vjet në radhët e ushtarëve të Perandorisë dhe e di çka do të thotë gjyq i shpejtë ushtarak.  Cili është qëllimi kryesor i Lidhjes dhe a pendohesh për kryengritjen kundër Padishahut?

Meqë nuk mund të qëndronte në këmbë, pasi plaga i kullonte gjak dhe ndihej krejt i rraskapitur i ofrojnë një cung druri, ku ishte ulur.

-Qëllimi i parë dhe i fundit i Lidhjes është çlirimi dhe bashkimi i të gjithë arnautëve me një Vilajet, i nderuar Pasha. Nuk pranojmë që tokat tona t’ iu jepen serbëve, bullgarëve e këlyshëve të  Moskovit. Unë e kam lënë syrin dhe mezi kam shpëtuar gjallë nga plagët që kam marrë në Plevne, duke ruajtur pozicionet tona, bashkë me mijëra arnautë të tjerë, e disa nga këta janë edhe këtu. Sepse nuk kemi pranuar, që ato toka, atje larg te Plevna t’ i merr Moskovi. Edhe këtu, nuk pranojmë që këlyshët e Moskovit të na i marrin tokat dhe të na mbajnë rob.

-Këtu ju po luftoni kundër Dërvish Pashait të nderuar, po luftoni kundër Padishahut, jo kundër Moskovit.

-Padishahu i nderuar, u ka dërguar për të na bërë zap dhe për të vazhduar  pazari me tokat tona. Ja keni dhënë Ulqinin Cernagorës, Qindra mijëra arnautë po dëbohen nga kazaja e Nishit dhe askush nuk po u del zot. Madje ju na vrisni edhe kur bëjmë përpjekje  t’ iu dalim zot myslimanëve, që po i vrasin e po i degdisin kudo në Ballkan.

-Kam vetëm një pyetje për të akuzuarin, hetues i nderuar kishte thënë, Murat Biçakxhiu, të cilit iu kishte dhënë leja për ta pyetur të akuzuarin.

-Dy ditë më parë kam dërguar një arnaut, një Lag Garaqin për të kërkuar nga ti që të ndahesh nga Lidhja dhe të na bashkohesh, po si duket, ose nuk e ke takuar, ose atë e kanë vrarë kryengritësit pa u takuar me ty.

-Jo,  Murat efendi. Askush nga ne nuk e ka ndaluar, sepse ai na është bashkuar me vullnet, ai dhe shumë të tjerë. Atje e ke Lahun, me trimat e Sylejman Vokshit. Ata do t’ iu ndjekin hap pas hapi, sepse ne nuk kemi çka humbim, veç këtyre rrobave të arnuara të trupit, dhe shpirtit që na e ka falë dhe na merr Allahu. Të gjitha na i keni marrë. 500 vjet u kemi ndihmuar, kemi luftuar për krah jush dhe tani, në pamundësi për ta mundur Moskovin, ju bëni tregti me tokat tona. Kështu nuk thotë Allahu që i qofshin falë…

Pas pak çastesh, kadiu i gjyqit ushtarak kishte lexuar vendimin:

“Në emër të Allahut dhe Padishahut tonë të nderuar, Sefë Kosova,  nga fshati Koshare, i Vilajetit të Kosovës, do të varet në lisin e shtëpisë te rruga kryesore, ku është kapur gjallë dhe trupi i tij do të qëndrojë aty për  një javë. Ai që do të bëjë përpjekje për ta hequr para afatit,  do të ndëshkohet. Pas një jave, familjarët duhet ta varrosin gjatë natës. I vetmi xhemat, duhet të jetë hoxha i fshatit dhe familja e tij”.

Dy nipat e Sefë Qorrit nga Shtimja, Shaban dhe Asllan Emini, pasi kishin dëgjuar për fatin e dajës së tyre,  disa ditë më vonë, gjatë natës e kishin hequr trupin e dajës nga lisi dhe e kishin varrosur në një vend të fshehtë. Disa javë më vonë, ata kishin vizituar dajallarët dhe  u kishin treguar vendin ku e kishin varrosur dajën e tyre,  kryetrimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…

***

Lah Garaqi dhe Malush Trolli nga vendi ku kishin rezistuar, te  Katapultat, ishin tërhequr në malet e Perëndimes dhe me një grup të madh luftëtarësh ishin pozicionuar në malet e Mollapalit mbi Shtime. Ata po bisedonin për humbjet që kishin pësuar kryengritësit, madje edhe duke akuzuar njëri-tjetrin, pse nuk kishin vepruar kështu, apo ashtu. Lajmi, se gjylja e topit ia kishte këputur trupin, Mic Sokolit, se ishte kapur gjallë Sefë Qorri, se ishin kapur po ashtu disa nga luftëtarët në zë dhe se ishin vrarë disa qindra luftëtarë i kishte pikëlluar të gjithë, por asnjëri nuk ishte dorëzuar. Tani ishte radha e tyre. Ata do të hakmerreshin për të gjithë,  sapo ushtria e Dervish Pashës të futej në grykën e Caralevës, ata do ta sulmonin anash deri në Anadrin.

Lah Garaqi kishte tubuar disa nga luftëtarët, në mesin e tyre edhe Hajdar Muçën, i cili ishte plagosur rëndë, por mbahej, pastaj Manush Qarrin,  Ali Ilazin dhe disa të tjerë. Lahu, me trimat e tij kishte hartuar një plan për të ndaluar forcat e Lidhjet, në hyrje të Grykës së Caralevës, te Kodra e Kastratëve. Për disa orë ata mund të lëshonin një sasi të madhe të gurëve, që do ta pamundësonte depërtimin e topave dhe të armatimit të rëndë të forcave të Dervish Pashës.

Meqë luftëtarit kishin kaluar mbi malet e Rekasit, Malush Trolli, i kishte bërë me dije Lah Garaqit se do të kthente  në shtëpi për disa orë dhe pas dite do t’iu bashkohej te Qafa e Dulit.

-Shko, vëlla, edhe nëse vonohesh nuk ka dert.

Sapo kishte zbardhur 22 prilli, luftëtarët e Lah Garaqit kishin zënë Kodën e Kastratëve dhe me ndihmën e popullatës, për tri orë kishin zënë Grykën duke shembur një sasi të madhe gurësh dhe lisash. Gjatë kohës kur forcat turke të ndalonin për t’i hequr pengesat ata do të sulmonin nga të gjitha anët.

                          ***

Herët në mëngjes, Malush Trolli ishte nisur në drejtim të shtëpisë dhe familjes, të cilën nuk e kishte parë 10 vjet. Fshati ishte zbrazur. Tek tuk vërente ndonjë oxhak, që tymoste. Nga një lagësi prej 1000 hapave kishte dalluar  se oxhaku i shtëpisë së tij po nxirrte tym, që valëvitej thikë përpjetë. Trupin, ia kishte përshkuar një ndjenjë malli e trishtimi. Shumë pyetje i buronin vetvetiu sa më shumë që po afrohej drejt shtëpisë.  A thua a janë gjallë? A e kishte pritur gruaja, apo kishte dalë? A jetonin prindërit, vëllai e motra? A ishin gjallë kushërinjtë? Intuita e ushtarit  sikur e kishte paralajmëruar se do të ndeshej me një të papritur, meqë ushtarët turq kishin depërtuar në Shtime. E dinte se disa nga ata kishin për detyrë të vëzhgonin edhe nëpër malet përreth, për të gjurmuar vendndodhjet e kryengritësve. Kishte marrë në dorën pushkën e gjatë, e kishte mbushur plot në rast të ndonjë të papriture dhe ishte nisur drejt shtëpisë. Dy tre qind hapa pa u ofruar fillon e lehura e qenve. Kishte stepur para dyerve të mbyllura të oborrit. Ishte munduar t’ i hapte. Duke qenë se kishte parë tym në shtëpi,  ishte i sigurt se dikush duhej të ndodhej brenda…

Në kohën kur kishte bërë përpjekje ta kalonte gardhin me pushkën në dorë,  gjoksin ia kishte përshkuar  një therje fatale, e cila në çast ia kishte ndalur frymën. Krisma e pushkës ia kishte zënë veshtë, ndërkohë që po përpëlitej pa mundur të nxirrte asnjë zë.

Danush Trolli kishte dalë për të parë se ç’ kishte ndodhur me “turkun”,  që e kishte goditur, duke vëzhguar mirë terrenin përreth shtëpisë  në mos ndodhej edhe ndonjë turk tjetër. Gjatë tërë natës kishte ruajtur shtëpinë jashtë oborrit, meqë ishin përhapur fjalë se ushtarët turq sulmonin shtëpitë dhe pasi i plaçkitnin ua jepnin zjarrin. Tërë  natën kishte pritur mos po afrohej ndonjë ushtar turk.

Pasi kishte hapur me kujdes dyert, në anën e djathtë  të gardhit kishte vërejtur trupin e mbledhur kruspull të nizamit. Iu kishte afruar dhe e kishte kthyer mbarë. Sytë i kishin mbetur hapur ndërsa gjaku ende nuk iu kishte ndaluar. Në një moment e kishte kapluar një trishtim i thellë, sepse i vrari sikur i përgjasonte me një të njohur. Pas pak çastesh, te dera kishin dalë edhe prindërit e tij, babai, Kadriu dhe Nënë, Raza.

-Nuk po më duket me kanë turk, heu kuku për ne, thotë nëna e tij e  trishtuar nga befasia Ajo ulet për të parë më mirë dhe në moment fillon gjëmën e kujën.

-Paske vrarë Malushin, mor bir, he t vraftë reja për së kthejllti, ja rabbi!.

-Oh, qyqja nëna e mjera, o bir,  oh qyqja e qyqeve, mbete te gardhi i oborrit, o bir, ani ditën kur u ktheve, te nusja e te nëna, pas 10 viteve të zeza, o bir…

Nëna po vajtonte, ndërsa Danushi kishte shtangur. Nuk donte të besonte se kishte vrarë vëllanë, të cilin nuk e kishte parë 10 vjet dhe për të cilin askush nuk dinte se ishte apo jo,  në mesin e të gjallëve. Shumica nga nizamët dhe redifët  nuk ktheheshin kurrë në shtëpi. Ai madje kishte filluat të harronte se kishte një vëlla të gjallë. Assesi nuk kishte arritur të bindej se kishte vrarë vëllanë.

Gjëma e kuja ishte dhënë edhe te ata pak kushërinj që kishin mbetur nëpër shtëpi.

-Po nuk vritet, insani pa e ditur se kush është, mor bir, iu kishte drejtuar babai i cili ishte  ulur të koka e djalit, që nuk e kishte parë 10 vjet dhe tani po e shihte të vrarë.  Po mundohej të bënte gajret.

-Po ku ta dija unë i mjeri, ai po bënte përpjekje të futej nga gardhi. Po ata të Lidhjes, a nuk  na thanë t’i ruajmë shtëpitë? Ishte me tesha të ushtarit të turkut. Ku ta kisha ditur,  i mjeri unë i mjeri,- thotë dhe fillon të qajë me zë.

Për pak kohë ishte përhapur lajmi i zi dhe më i rëndi i 21 prillit të vitit 1881, për Rekasin dhe rrethinën. Vëllai kishte vrarë vëllanë, pa e njohur, duke menduar se ishte ushtar i turkut që po kërkonte të futej në shtëpi për të plaçkitur, apo për t’ ia dhënë zjarrin. Ushtarët e Dervish Pashait edhe ashtu kishin urdhër që  gjitha shtëpitë e kryengritësve të plaçkiteshin dhe pastaj t’ iu jepej zjarri.. Qindra të tilla ishin djegur deri në themel në Koshare, Slivovë, Dremjak, Shtime e kudo ku ishte përhapur vala e kryengritjes.

Familja,  trupin e djalit  të vrarë e kishte  futur të vdekur në shtëpi, 10 vjet pasi e kishte përcjellë nizam. Malush Trolli kishte shpëtuar pa u vrarë në sa e sa luftëra e beteja, kishte marrë në trup sa e sa plagë, që iu kishin shëruar dhe më në fund ishte vrarë para dyerve të shtëpisë, nga vëllai, Danushi, i cili kishte menduar se ishte  një plaçkitës e vrasës turk.

Pikëllimi kishte përshkuar banorët e Rekasit.

Familja Trolli kishte vendosur që Malushin e vrarë ta varrosnin afër shtëpisë, në fushën e gjerë, në një lëndinë, që edhe sot  quhet, “Vorri i Nizamit”.

Shtime 1978

Tregimi është zgjeruar dhe përpunuar në vitin 2011.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …