Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Ahmet Qeriqi: Vezirët besnikë dhe ata kokëprerë në shërbim të Perandorisë Osmane I

Fati ynë është vetë bota jonë, larg Turqisë po aq edhe larg Evropës. Vetëm me një Shqipëri të bashkuar mund të shpëtojmë nga kthetrat e Turqisë dhe nga vargonjtë  e hekurt të Evropës së krishterë.

Çfarëdo kompromisi në njërën palë duke mohuar palën tjetër paraqet rrezik, sepse shqiptarët me tolerancën e tyre fetare, me ndjenjën e fuqishme të gjakut, gjuhës, besës traditës, tashmë kanë ndërtuar një identitet të stabilizuar që do t’ iu përballojë edhe dy perandorive të reja e të vjetra, Turqisë unioniste dhe Evropës globaliste.

Mbi këtë bazë është ndërtuar nacionalizmi shqiptar i kohës së Skënderbeut,  i  kohës së Rilindjes kombëtare, mbi këtë bazë ishte kalitur nacionalizmi shqiptar edhe në kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri  dhe vetëm mbi këtë bazë mund  të mbijetojë. Gjatë shekujve kemi jetuar nëpër këmbët e perandorive dhe ia kemi dalë, andaj nuk ka pse na duhet Evropa, e cila iu bëri tapi tokat tona fqinjëve tanë serbë, grekë e bullgarë dhe nuk na pranon në radhët e veta, por nuk na duhet as Turqia njerkë  e “Babës” Mbret, apo e vëllait Erdogan, i cili për nevoja të veta të shtrirjes ekonomike e strategjike, tash është kujtuar të  thirret në të kaluarën e përbashkët, duke harruar se gjyshërit e stërgjyshërit tanë edhe pse u vranë në Krime, në Plevne, në Siri, Egjipt e më vonë edhe në Çanakala në vazhdimësi ishin trajtuar si bijtë e njerkës.

 Kemi jetuar gjatë shekujve duke luftuar në të gjitha anët dhe kemi arritur ta ruajmë bërthamën, ADN-në tonë kombëtare, madje edhe  demokratike e të përfillshme në tepri ndaj fqinjëve grabitqarë.  Tani jemi afër shtatë milionë në Ballkan, por aq edhe nëpër botë, në Turqi, në vendet e lindjes dhe perëndimit deri në Amerikën e largët. Dhe, në kohën kur popujt përreth po shuhen gradualisht të përfshirë nga Murtaje e bardhë, shqiptarët kanë krijuar imunitet biologjik, historik  e mendor kundër kësaj sëmundje,  që i ka kapluar fqinjët tanë dhe shtetet e Evropës. 

E ardhmja, është e sigurt.

Nuk ka pse na duhet Evropa që po na injoron, as Turqia e cila për ne është kujtuar tepër vonë.

Hyrje

Pas luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt të vitit 2008, çështja shqiptare në Ballkan mori një dimension të ri edhe në arenën ndërkombëtare. Shtetet mike, të cilat e kishin ndihmuar çlirimin dhe e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, filluan ta na ndihmojnë edhe ekonomikisht, pasi vendi ynë ishte shkatërruar gati tërësish nga regjimi barbar dhe shqiptarë-vrasës i Serbisë së Milosheviqit. Në mesin e shteteve mike, është Turqia, e cila ishte edhe pjesëmarrëse në kundër të forcave të NATO-s që ndihmuan  dhe përshpejtuan lirinë e Kosovës nga sundimi i egër afër 90-vjeçar i Jugosllavisë dhe Serbisë.

……

Ndihma që i ka dhënë dhe po i jep Turqia Kosovës, ka sjellë një dimension të ri në marrëdhëniet e këtij shteti, jo vetëm me Kosovën e Shqipërinë por edhe me Maqedoninë, Bosnjën me Hercegovinë. Këto katër shtete të Ballkanit, nuk kanë asnjë arsye të mos e thellojnë bashkëpunimin me Turqinë, jo vetëm për shkak të besimit të përbashkët, por në radhë të parë për shkaqe politike e gjeostrategjike, pse jo edhe për shkaqe  historisë  së përbashkët, e cila mjerisht ishte në raport diskriminues, sidomos ndaj shqiptarëve,  në saje të ligjeve të Perandorisë.

Historia e marrëdhënieve turke-shqiptare, tani  duhet parë më realisht, me fakte e argumente historike, të cilat as kanë munguar as mungojnë, por këndvështrimet e këtyre marrëdhënieve kanë qenë të ndryshme dhe gjithherë janë kushtëzuar nga koniukturat politike. Shqiptarët në Perandorinë Osmane, padyshim se kanë luajtur një rol të rëndësishëm, mbase rolin më të rëndësishëm  për Perandorinë nga të gjithë popujt nën sundimin e saj, por janë shqiptarët ata që pësuan më së shumti nga të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit e të Evropës, po prej kësaj Perandorie.

Fakti se shumica shqiptare kishte pranuar islamin, jo vetëm me dhunë sikur pretendohet të paraqitet vijimisht, Perandoria i konsideronte qytetarë besnikë, por edhe si  turq, si një racë të pastër luftarake, duke mos bërë kurrfarë dallimi sa i përket gjuhës, traditave dhe elementeve të tjera dalluese etnike.

Bota shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane prej vitit 1389 e deri në vitin 1912 ka qenë e ndarë në dysh. Një pjesë e shqiptarëve me pranimin e fesë u rreshtua me Perandorinë dhe pjesa tjetër, që nuk e pranoi islamin i mbeti besnike traditave të vjetra fetare  dhe ishte e rreshtuar në mesin e shteteve që pretendonin ta luftonin dominimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në Evropë, por që për më shumë se 400 vjet asnjëherë nuk arriten të bashkohen në një luftë vendimtare deri në vitin 1912, kur kundër Turqisë u sul jo vetëm të gjitha shtetet e Evropës por edhe Rusia, Amerika dhe Australia e largët.

Në këtë udhëkryq të madh historik, shqiptarët nuk u fiksuan pas dilemës hamletiane, “të jesh apo të mos jesh”, por pranuan realitetin historik duke dhënë e duke marrë goditje, duke i dhënë personalitete të shquara perandorisë, por edhe kundërshtarë të fuqishëm,  të cilët jo vetëm njëherë kishin dridhur fronet e sulltanëve.

Kundërshtari i parë i hapur i Perandorisë Osmane, ishte Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe.

Ai nuk u pajtua me robërinë e tokave të të parëve nga Turqia e kohës dhe pasi dezertoi nga radhët e ushtrisë osmane, komandant i së cilës ishte në Betejën e Nishit të vitit 1443 u kthye në Krujë ku edhe filloi rezistencën më të shkëlqyer dhe më të njohur të kohës kundër Perandorisë Osmane, deri në vdekjen e tij në vitin 1468. Ishte Skënderbeu, ai i cili edhe pse me mund e vështirësi, arriti të bashkojë principatat feudale shqiptare, duke krijuar shtetin e Arbrit, shtetin e vetëm të pavarur në Ballkan në atë kohë, kur kishin rënë në sundimin turk, një pas një të gjitha shtetet e kalbura feudale të Ballkanit dhe shumë krahinave të Evropës. Duhet pasur para sysh një fakt real historik, se Skënderbeu nuk u kthye në Shqipëri për ta mbrojtur çështjen e krishterimit, sikur propagandohet me të madhe dhe pa një bazë shkencore,  as ishte atlet i Krishtit, as i ndihmuan përnjëmend  Roma e Vatikani, as pati përkrahjen minimale  nga shtetet e krishtera të Evropës. Pretendimet për ta fryrë këtë miqësi janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë dokument të mirëfilltë historik e shkencor.

Faktet historike në dobi të përkrahjes nga Evropa e krishterë janë kurrë fare, janë aq pakta, aq hiq sa është më mirë që mos përmenden. Barrën kryesore dhe më të rëndën në ato vite rezistence kundër Turqisë e bartën shqiptarët e jo grekët, bullgarët e serbët që kishin pranuar skllavërinë dhe kishin sunduar në pronat e tyre si vasalë të Sulltanit.

I vetmi prijës që nuk kishte pranuar vasalitetin e Sulltanit, nuk iu kishte nënshtruar Portës, nuk i paguante haraçin e madh vjetor,  ishte Skënderbeu dhe Shteti i tij i asaj kohe. Ky fakt mund të mos pranohet por nuk kemi të dhëna që dëshmojnë të kundërtën.

Armiqësia e Sulltan Muratit të Dytë dhe Sulltan Mehmedit, (pushtuesit të Konstandinopojës)  me Skënderbeun,  ishte armiqësi e pashembullt sui generis. Ishte armiqësi e dy botëve kundërshtare, e cila për kohën pati një ndikim të madh, por me pasoja shumë të rënda për shqiptarët, apo si quheshin asokohe arbërit, epirotasit, toskët e gegët.

Skënderbeu ishte Veziri i parë, i vetmi komandant shqiptar, të cilit Porta nuk arriti t ia marrë kokën, të cilin nuk e nënshtroi për së gjalli dhe të cilit kurrë nuk ia fali “pabesinë”

Pikërisht koha e qëndresës së Skënderbeut hodhi themelet e para të vetëdijes historike shqiptare, të një segmenti të vetëdijes kombëtare, me një identitet të fortë etnik, i krijuar dhe i kalitur ndër beteja edhe pse  në atë kohë nuk kishte kombe në kuptimin e mëvonshëm historik të fjalës.  Të jesh shqiptar në kohën e Skënderbeut do të thoshte të ishe  pjesëtar i një kombi të pabindur ndaj fuqisë më të madhe ushtarake të botës, pjesëtar i një etniteti,  që ne asnjë mënyrë nuk pranonte të nënshtrohej.

Ishte koha kur po rritej e po trashej  mllefi dhe zemërimi i fuqisë më të madhe të botës kundër një luftëtari,  i cili me gjithë mend kishte besuar se do t’ i ndihmonte aleanca e krishterë evropiane, se duhej doemos t’ i ndihmonte, por asnjë ndihmë, në asnjë vit, në asnjë dekadë të sundimit të tij nuk ishte më shumë se simbolike.  Në kohën kur ai kërkonte ndihmë 100.000 ushtarë, Roma e Vatikani i kishin dërguar vetëm një mijë.  Në kohën kur kishte kërkuar ndihmë logjistike, Evropa i dërgonte rroba, pëlhurë dhe gjësende të tjera.

Kështu kemi mësuar në historinë tonë dhe tashmë besojmë se ashtu duhet të ketë qenë, sepse ngjarjet që u zhvilluan në Ballkan dhe në Evropë pas vdekjes së Skënderbeut sollën një faqe tjetër të pushtimit, sidomos kundër shqiptarëve trima e të pabindur.

Për t’i bërë ballë mllefit dhe zemërimit të Stambollit, shqiptarët kishin vetëm dy rrugë, të iknin dhe të linin trojet e tyre, apo dashur pa dashur ta pranonin vasalitetin, që nënkuptonte ta pranonin fenë, në një masë edhe asimilimin gradual dhe  pushtimin turk.

Shqiptarët i pranuan të dyja mundësitë, edhe largimin nga Atdheu me shpresë se një ditë Perandoria do të mundej dhe ata do të ktheheshim, por edhe sundimin e Stambollit, me qëllim për të mbijetuar, po ashtu duke pritur mos po ndodhte ndonjë mrekulli, të cilat zakonisht nuk ndodhin. Ata, që ikën nga trojet u asimiluan gradualisht, përveç arbëreshëve të Italisë, që përballuan me shekuj asimilimin, dhe qindra mijëra të tjerë, që qëndruan në trojet e Shqipërisë dhe ndërruan fenë, por nuk u bënë dot turq, përveç atyre të cilët filluan t’ i shërbejnë Portës, në të gjitha segmentet.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …