Ahmet Qeriqi: Kulti i zërit dhe idolatria pagane e spiker, Nusret spikerit

Nuk është për ta përçmuar e dënuar njeriun, kur gabon pa qëllim dhe kërkon falje,  sidomos kur këtë e bën nga padituria, por është për turp dhe faqe të zezë kur njeriu  vepron me qëllim të caktuar, për t’ i veshur meritat që nuk i takojnë dhe promovon  veten me kulte pagane, duk vetë thurë lavdi dhe duke u përpjekur ta ngrit në kult zërin personal, jo si një dhunti të natyrshme, njerëzore, por si diçka fenomenale me të cilin  rrah gjoks e mburret, ish spikeri i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, Nusret Pllana.

Dhe, mjerisht ka të tillë, që në vend se ta qortojnë i fishkëllojnë si bibanit dhe ai kreshpërohet edhe më shumë, duke i fryrë pendlat deri në çakërdisje.  I tillë po prezantohet tani spikeri i Pallanikut, që po bëhet gati të futet në histori për së gjalli, meqë ka të tillë që ia rrahin  shpinën që i thonë folës legjendar si puna e Ismet  Sylejmanit, gjatë një vizite në bunkerin e Pllanës,  në Pallanik, në një shkrim të botuar Më 22. 6. 2024, në Epoka e re,  ku  spiker Nusreti, del i fokusuar para fotos së “Stafit”, duke e mbuluar  me kokë, foton e drejtorit të Radios që të mos shihet, derisa ai dhe krejt stafi shihen në tërësi.

 Ja si e shpreh urrejtjen e tij naive, bigotere, ky Nusreti, të cilin, në  dhjetor të vitit 1998,  unë vetë e kisha caktuar të ishte folës, meqë ai ishte nisur të kryente detyrën e ekonomistit-kontabilist në Shtab.

Tani, ku ai në krye të katër stafistëve të luftës ka ndërtuar dhe ka  pushtuar Bunkerin e Pallanikut me lejen dhe ndihmën financiare dhe mbështetjen  politike të Albin kryeministrit, tani ndihet si njëlloj zoti pagan që i synon vetëm majat, sepse,  sa për Bunker, është më me shumë  rëndësi ai te Rrezja e Baliqit, ku kemi shpëtuar kokat me 8 qershor të vitit 1999 me ç’ rast forcat serbe na kishin bombarduar me 16 raketa të tipit tokë-tokë.

Por ky  spiker Nusreti  me katër stafistët e tij kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen me kaq.

 

Digresion

Në muajt e parë të pasluftës, këngëtari Ilir Shaqiri, me stafin e tij, kishin realizuar një këngë, në dukje  kushtuar  Radios-Kosova e Lirë, por që teksti dhe përmbajtja i kushtoheshin në tërësi kultit të spikerit, Nusret, zërit të tij si njëlloj Hasan Prishtina, që flet nga nëntoka kosovare, duke ilustruar krejt tekstin e këngës me fragmente lajmesh të spikeruara me zërin e tij. Në asnjë fjalë nuk përmendet Radioja, po vetëm sintagma Kosova e lirë në kuptimin e përgjithshëm të fjalës. Kjo ishte këngë për spikerin, të cilën ai e shfrytëzoi për mrekulli. Për më keq ishte zgjedhë  me apo pa qëllim të caktuar, një fragment ku flitej se tash e tutje Zona e Dukagjinit do ta njihte Shtabin e Përgjithshëm… Vërejtjet e mia nuk u morën parasysh nga stafi i atëhershëm. Vite më vonë kur ai po përgatitej të gjente donatorë për ta filmuar këngën, ia refuzova dhe ai hoqi dorë…

Se sa donatorë ka shfrytëzuar Nusret Pllana në emër të Radios pas luftës e deri tani, edhe pse nuk ka punuar që nga tetori i vitit 1999, edhe kjo do të zbulohet  e do të publikohet. Me shifra e fakte të arkivuara do të publikojmë edhe përfitues madje edhe shantazhues që kanë zhvatur donatorë firmash, në emër të Radios…

 

Rikthimi në Majën e Pallanikut pas 25 vitesh dhe uzurpimi i paligjshëm me mbështetje qeveritare

Disa muaj më parë, ish-spikeri i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, Nusret Pllana dhe reporteri, Martin Çuni e tre vartës,  u ndanë edhe publikisht nga pjesa e përbashkët e stafit dhe e  veprimtarisë gjatë luftës, me qëllim të uzurpimit e përvetësimit të Bunkerit të Pallanikut, ku Radioja ka transmetuar program nga 8 prilli deri më 21 qershor të vitit 1999.

Me rastin e  25-vjetorit të  kryerjes së misionit informativ,  historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm për 25 vjet, të Radios-Kosova e Lirë,  ky staf shkizmatik pa paralajmërim, duke qenë i përkrahur fuqishëm nga politika aktuale, konkretisht nga Albin Kurti,  i cili në qershor ka vizituar  bunkerin, shënoi këtë ditë, ndaras, pikërisht në kohën kur mbahej manifestimi  jubilar në ambientet e Muzeut të Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë.

Aktiviteti i Nusret Pllanës dhe “stafit” të tij, nuk ishte  pjesë e programit jubilar të Radios, as nuk ka të bëjë me historikun e  këtij mediumi të luftës, por është përpjekje për promovim fiktiv  të zërit të tij, sepse  me megalomaninë  e tij të sëmurë, ende mendon dhe pretendon se pa punën pa zërin e tij, as Kosova nuk do të ishte çliruar.

Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes,  në vendin tonë. Andaj ata që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se Shtëpi-Muze në Berishë, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet,  as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata.

Nusreti dha klani i tij duhet të japin llogari publike se në emër të kujt, të cilit institucion, shoqatë apo  firmë,  kanë vjel mjete për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës, të tregojë konton bankare dhe shumën e grumbulluar për këtë destimin, të tregojë donatorët dhe marrjen kesh të parave.

Në rast të mospublikimit do të ushtrohet padi penale konform ligjeve, meqë ka manipuluar në emër  të Radios-Kosova e Lirë, por nuk ka asnjë vendim, asnjë pëlqim asnjë kërkesë, asnjë dokument valid në këtë segment. Drejtoria e të Radios-Kosova e Lirë, ka reaguar publikisht për këto veprime arbitrare dhe korruptive, dhe për këto ka dëshmi publike.

Kontrolloni gjithashtu

Fjala e Elez Durmishit, në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ, historik, të Radios-Kosova e Lirë, gjatë luftës së UÇK-së

Mirë se keni ardhur, këtu në Shtëpinë-Muze, në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ,  historik,  …