Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, të lidhura me sulmin e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt. Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka bërë të ditur se hetimet kanë siguruar prova që, sipas Prokurorisë, dëshmojnë për përfshirjen e zyrtarëve të lartë komandues të njësive speciale të Policisë Serbe në operacion. Në aktakuzë përfshihet edhe Milorad Ulemek “Legija”, për të cilin Gashi tha se ka udhëhequr njësinë që mori pjesë në sulm dhe se kishte marrë përsipër operacionin kundër shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit. Sipas Prokurorisë, gjatë sulmit u vranë 26 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Viktima më e re, sipas aktakuzës, ishte pesë vjeç. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu raste të marrjes peng dhe keqtrajtimit të banorëve të lagjes Jashari nga pjesëtarët e forcave speciale serbe. Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi Prokuroria Speciale ka vlerësuar se janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
