Aktori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare, i vlerësuar si “Artisti i Popullit”, Robert Ndrenika feston sot 81-vjetorin e lindjes.

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, i vlerësuar si “Artisti i Popullit”, Robert Ndrenika feston sot 81-vjetorin e lindjes. Ndonëse vitet kanë kaluar, ai është një nga figurat më të dashura të skenës në vendin tonë. Filmat  e tij shihen nga çdo moshë. Madje, shumë batuta janë fiksuar nga shqiptarët.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë në 10 janar 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin për teatrin në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nisi studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punoi si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punoi si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Presidenti Bamir Topi, i akordoi Robert Ndrenikës titullin e lartë “Nder i Kombit” (në vitin 2012).

Për shumë vite punoi si aktor i lirë pas pensionit.Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plakë” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Poeti Ali H.Tahiri ndanë Mirënjohje post mortum profesor Ahmet Qeriqit për kontributin jetësor ndaj kombit dhe atdheut

Në një moment të mbushur me emocione dhe respekt të thellë kombëtar, poeti i njohur …