Alban Daci: Pavarësia , zgjidhja e drejtë për KOSOVËN

Duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh situatën në Kosovë , e mora si obligim personal në pozicionin njerëzor dhe kombëtar bërjen e kësaj analize për të dhenë kontributin tim qoftë edhe modest për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në lidhje me statusin final të Kosovës.
Kjo çështje ndër shekuj me radhë është përjetuar dhe ndjerë nga shqiptarët si fatalitet historik, ku për objekt ka pasur ndëshkimin , shtypjen, robërimin, skllavërimin, mohimin e të drejtave themelore të tyre.
Ndërsa, për serbët është parë gjithmonë në syrin e pozicionit dominant që mund të bëj çka të dojë dhe kur të dojë në lidhje me popullsinë shqiptare e cila përbën 90 për qind të popullsisë totale që është e pranishme në territorin e Kosovës.
Po analizoj në pozicionin e vlerave njerëzore, sepse brezat e sotëm po rriten në Evropën e Bashkuar dhe Demokratike e cila po përjeton ose më saktë është ndër promovuesit politik, monetaro-ekonomike të procesit të globalizimit.
Kjo tregon që të gjithë ne, të rinjtë e familjes së bashkuar evropiane jetojmë dhe i përkasim mjedisit multikulturor, multietnik dhe multidimensional, ku si bazë strukturore organizuese kemi tolerancën, bashkëjetesën, integrimin si dhe të qenit dhe të ndjerit të lirë derisa kjo liri nuk cenon lirinë e të tjerëve.
Bashkëjetesa në një mjedis të tillë bën qo jo vetëm unë dhe bashkëkombësit e mi ta trajtojnë dhe mbështesin të drejtën legjitime (të sanksionuara edhe nga e “Drejta Ndërkombëtare”) shtetformuese te shqiptarëve të Kosovës, por të gjithë qytetarët e botës moderne , ku mbizotëron demokracia dhe liria është ideal absolut dhe i pa cenueshëm, duhet të reagojnë në emër të këtyre vlerave që të përkrahin aspiratat e vetëvendosjes së Kosovës, si një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.
Duke qenë i vetëdijshëm se shpirtërisht, intelektualisht dhe fizikisht u përkas dhe jam pjesë e këtyre vlerave njerëzore u ndjeva i obliguar për të reaguar, sepse e drejta e një kombi të tërë në sy sytë e Evropës Demokratike po nëpërkëmbet.
Heshtja e çdo kujt nga ne, para kësaj padrejtësie do të thoshte tradhti ndaj vlerave universale demokratike që na kanë ushqyer, rritur, përkrahur dhe shoqëruar gjatë përshkrimit me mjaft vështirësi të ciklit jetësor në historinë njerëzore.
Të heshtës, do të thotë të mos njohësh, mohosh, injorosh, të abuzosh deri në shkatërrim total të vlerave njerëzore dhe të bëhesh palë dhe mbështetës, të përkrahësh mosabarazinë, skllavërinë, teokracinë, pozicionin e pa drejtë dominues duke u bërë palë e asaj që le ta quajmë “ Fshirje dhe zhdukje e një populli , sepse i bën hije një populli tjetër”, ose më saktë të bëhesh pjesë ë një grupi që në të vërtet nuk përfaqësojnë asnjë popull, por interesat e tyre vetjake për pushtet.
Me të drejtë mundë të pyetni se përse në pozicionin Kombëtar?!
Çdo popull me historinë ë tij ka ndërtuar identitetin e vetë kombëtar.
Përderisa jam shqiptare dhe që ndjehem krenar për këtë, do të thotë se i përkas identitetit kombëtar shqiptar, i cili në thelb është një identitet kulturor dhe qytetar me komponent kulturor pamorë, mentalitet shoqëror, mënyrën e jetesës dhe nga e drejta e pa shkruar dhe e shkruar. Unë dhe të gjithë bashkëkombësit e mi shqiptar jemi të lidhur shpirtërisht me çdo proces që ka për objekt identitetin tonë kombëtar si në rastin mbështetës dhe atë cenues. Situata e Kosovës me të gjitha komponentet e saja është pjesë e kësaj lidhje shpirtërore që na sensibilozon të gjithë ne shqiptarëve anë e mbanë rruzullit tokësor. Kosova, po kalon një periudhë mjaftë të rëndësishme dhe të vështirë në të njëjtën kohë. Të rëndësishme, sepse për herë të parë pas padrejtësisë shekullore nën mbështetjen dhe udhëheqjen e Shteteve te Bashkuara të Amerikës që operojnë në bashkëpunim me vendet e tjera anëtare të organizatës së Kombeve të Bashkuara, po e diskutojnë çështjen e Kosovës si argument të veçantë dhe zyrtarë për gjetjen e zgjidhjes se statusit të saj në nivel ndërkombëtarë.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces, ka luajtur edhe kryeadministratori i Kombeve të Bashkuar Ahtisari, edhe përse ka qenë mjaft e vështirë për të, duke qene se po operonte ne rolin e ndërmjetësuesit mes palës shqiptare dhe asaj serbe, ku historia ka treguar se këto dy palë nuk kanë gjetur dhe nuk do të gjejnë ndonjë herë pikë të përbashkët për të vendosur dhe për të zgjidhur një herë e mirë statusin final të Kosovës.
Ahtisari ka deklaruar se : detyra ima ka mbaruar pasi është e pa mundur që zgjidhja e statusit final të bëhet përmes negociatave të drejtpërdrejta dypalëshe mes shqiptarëve dhe serbëve.
Kryadministratori Ahtisari, duhet falënderuar, ngaqë edhe pse operoi në një mjedis shumë të vështirë dialogues, u impenjua seriozisht në gjetjen e zgjidhjes, madje na ofroj edhe një propozim final.
Ky propozim edhe përse është hartuar nga specialist më të mirë të nivelit ndërkombëtarë nuk garanton një zgjidhje të qëndrueshme, përfundimtare dhe afatgjate, sepse nuk kënaq dhe nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve për pavarësi.
Në këtë drejtim shqiptarët duhet të jenë të kënaqur që çështja e të drejtave të tyre u ndërkombëtarizua, por jo të besojnë se mund të ofrohet zgjidhja përfundimtare në plotësimin e plotë të kërkesave te tyre.
Shqiptarët e Kosovës duhet ta kërkojnë dhe ta gjejnë lirinë e tyre ndër veti, sepse të jenë të sigurt që askush nuk ua dhuron. Kjo, mund të vërtetohet fare lehte nëse bëjmë një vëzhgim mbi proceset shtet-formuese, ku në të gjitha rastet vetëvendosjen popujt e kanë arritur vetë me plotë vështirësi, pengesa dhe sakrifica.
Shqiptarët e Kosovës, duhet të jenë të vetëdijshëm që po kërkojnë të drejta legjitime të mbështetura nga e “Drejta Ndërkombëtare” që është në fuqi.
Kosova i plotëson dhe meriton të jetë shtet i pavarur, sepse ne bazë të ( nenit1 paragrafi 2, të Kartës së Kombeve te Bashkuara ) , të gjithë popujt kanë të drejtë të vetëvendosin. Në virtyt të kësaj të drejte , ata vendosin lirisht për statusin politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, kulturor dhe social).
Çdo zgjidhje tjetër nuk ka argumente juridike, por përbën thjeshtë akt politikë që bie në kundërshtim me të drejtën legjitime shtet-formuese të shqiptarëve te Kosovës. Të gjitha versionet e zgjidhje që nuk parashikojnë dhe përfshijnë të drejtat dhe aspiratat e shqiptarëve do të jetë i përkohshëm dhe mund të këtë pasoja mjaft negative për stabilitetin ne rajonin e Ballkanit.
Alban Daci, Student, afër diplomimit për “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomatike” Universiteti i Gjenovës-Itali

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …