Albert Z. Zholi: Dorëshkrimet e  “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku

Albert Z. Zholi: Dorëshkrimet e  “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku

Skënder Luarasi më shkëputi nga mundja dhe më tregoi vetëm rrugën e estradës dhe të Cirkut

Skënder Sallaku mbetet një ndër humoristët më të shquar të vendit tonë. Sot ai do të ishte 87-vjeç. Kujtimet e mia me të janë të shumta. Shumë herë më jepte dhe copëza letra nga kujtimet e tij apo më thoshte ndize diktofonin se m’u kujtua diçka. Shumë nga kujtimet e tij i kam botuar disa ende i kam dorëshkrim pasi m’i jep herë pas here bashkëshortja Vitore Sallaku. Ai ndoshta mbetet aktori më i spikatur pasi në jetën e tij ka qenë mundës, pjestar i cirkut, humorist, pantonimist etj… Por pjesën më të bukur të jetës ai ja ka dhuruar skenës, humorit, estradës së Tiranës.

Ja disa nga kujtimet dhe dorëshkrimet e tij…disa të botuara në vitin 2010.

 

 Për të janë shkruar dy libra…

 Unë tek të dy librat  ndihem mirë –shprehet Sollaku. Libri i Pëllumb Kullës është më i kompletuar. Unë me të kam punuar shumë sidomos tek koncertet e Vitit të Ri. Shumë role ai i përgatiste enkas për mua. Në këto koncerte unë kam bashkëpunuar me të 10-vjet rresht. Por edhe libri i Vitores, bashkëshortes ka diçka të veçantë. Eshtë një libër plotësues, por me disa gjëra të veçanta nga jeta e saj. Vitorja i ka qëmtuar, i ka mbledhë fshehurazi shumë detaje të jetës sidomos copëza humoristike dhe i ka përmbledhur në një libër. Pëllumbi është  më lart profesionalisht, pasi ai është një regjisor i talentuar ndoshta nga më të spikaturit.

Si e shkroi këtë libër Pëllumbi?

 Vitorja kishte mbledhë një dokumentacion të bollshëm, të të gjithë jetës time, shkrime, intervista, portrete, kujtime etj…dhe ja dha të gatshme Pëllumbit. Pra, ai në tavolinë kishte gjithë jetën time tashmë të dokumentuar në gazeta, letra, CD etj…Ai mbi këto punoi me kujdesin e një mjeshtri ku një meritë i takon Vitores. Dhe vetë Pëllumbi e thekson në libër se një ndihmë të madhe më dha Vitore Sallaku, që kishte mbledhur mushtin e librit. Pastaj fantazia e tij, përpunimi i fjalës, i takonin, sepse ai është i tillë në të shkruar. Pra janë dy libra krejt të ndryshëm, ai i Pëllumbit, që është mjaft i bukur nga ana profesionale dhe i Vitores që është shumë i bukur nga ana shpirtërore. Pasi Vitorja më njeh mirë, se kemi një jetë me të.

Skënder Sallaku, akrobat, mundës, aktor humorist. Po mundja si lindi tek Skënder Sallaku?

Atëhere ndoshta s’më njohin si mundës, pasi unë në fillim kam qenë balerin. Pra kam qenë në Pallatin e Kulturës si balerin. Aty u formua grupi i akrobatëve, ku ky grup bëri një punë të mirë. Edhe në ushtri unë ju bashkova grupit të akrobatëve.

Po mundjen kur e fillove?

Kryesisht në ushtri. Por e kurorëzova në vitin 1959 në Spartakiadën e parë Kombëtare. Ne në grupin e akrobatëve kishim edhe mundësa edhe ngritësit e peshave. Ne plotësonim në këtë mënyrë trupën e estradës së Tiranës. Telat Agolli ishte në ngritje peshe, Bajram Kurti në ngritje peshe, Skënder Plasari në mundje, Skënder Sallaku në mundje. Pra gjysma e ekipit ishte me cirkun që atëhere përfshihej në Estradën e Tiranës. Pra në Spartakiadën e parë Kombëtare unë dola kampion, në vend të parë në peshën e dytë. Sportin e mundjes unë e vazhdova vetëm dy vjet, pasi cirku, humori m’u duk më i bukur, më afër dëshirave dhe kërkesave të mia.

Vetëm këto ishin arsyet?

Jo vetëm këto, por ne me cirkun kishim shumë punë. Lëvizje në shumë vende, por njëkohësisht ne në atë periudhë do të shkonim me cirkun në Kinë, për të marrë eksperiencë dhe për t’u trajnuar më mirë. Në atë kohë në Estradë ka qenë regjisor Mihallaq Luarasi. Ai duke më parë në cirk, në mundje, në estradë,- tha që ja morëm shpirtin këtij djali.

Si e përballonit këtë mbingarkesë?

Ishte pasioni. Dashuria, ndjeshmëria për të gjitha. Mua s’më bënte përshtypje lodhja në atë kohë. Pa pasion s’bëhet asgjë. Akrobacia, mundja më kanë ndihmuar në përgatitjen fizike.

Me kalimin e kohës, përse u pozicionuat më shumë në estradë?

Pasi cirku kërkonte shumë përgatitje fizike, kërkonte më shumë impenjim dhe kishte më shumë mbingarkesë, ndërsa në estradë dominonte fjala dhe aty isha më i lirë. Ndërsa në Cirk kur bëja pantonima me Arjan Milukën kishte shumë akrobaci sa s’kishe kohë të mirrje frymë. Kam një histori të bukur në cirk. Ne punonim në pedana. Aty duhej të mirrje vrull për të bërë sallto. Kishim një numër artistik ku Telat Agolli kishte një karrike 4 m larg nga pedana. Unë do të bëja salto dhe do të bija në karrige. Disa herë u ktheva, ta bëj apo jo. Ishte një numër i vështirë. Salla reagonte sa herë unë matesha. Lashë pedanën dhe u drejtova nga salla duke i takuar të gjithë. Ata qeshnin pasi mendonin se ishte ndërtuar në mënyrë të tillë numri dhe se kuptonin që unë kisha frikë. Pastaj hypa në pedan… Aty duhej t’i jepje pak trupit mbrapa, që të merrje vrullin, për të bërë rrotullimin dhe të shkoja përpara mbi karrige. Unë nga emocionet në vend t’i jepja trupit mbrapa i dhashë para, kështu që nuk shkova në drejtimin e duhur. Në vend të fluturoja tek karrigia shkova drejt dhe tek perdet e skenës ku u kapa me thonj që të mbahesha. Luajti perdja dhe filloi të grisej. Erdhën akrobatët të më kapnin të mos bija. Perdja u këput dhe unë rashë mbi duart e tyre. Perdja kishte kohë pa u larë dhe aty u bë një tym që mos o zot. Salla u shkri së qeshuri. Bizz, të gjithë. Të qeshurat ishin më të mëdha se në një numër real. Askush në sallë se kuptoi se unë kisha gabuar dhe luajta me jetën. Duartrokitjet s’kishin të sosur. Bizzzzzzzzzzz..at’here unë u përkula përpara publikut duke u thënë: Faleminderit, por nuk ka perde tjetër.

Kur je ndjerë më i emocinuar para publikut?

Kur promovova librin që bëri Pëllumb Kulla. Atë ditë kam derdhur lot. Nqs më parë dhuroja të qeshura me emocinet e mia në sallë, lotët e mija i përjetuan të gjithë. Ishte një moment tashmë kur unë flisja nëpërmjet penës së Pëllumb Kullës.  Autori nuk ishte në sallë, se ishte në Amerikë, por promovimi pati po atë sukses sikur ai të ishte mes nesh. Folën shumë veta si Drita Agolli, Dionis Bubani dhe me dhjetra intelektualë të tjerë miq të familjes tonë.

Pse sot shihet një neglizhencë totale ndaj estradës së Tiranës?

Mos e pyet. Kur mendoj se kjo Estradë që ushqente me humor kryeqytetin të jetë e shkrirë më  vjen për të qarë. Ajo ka qenë shpirti i vetë tiranasve, por dhe i Shqipërisë. Ajo tani nuk egziston fare, fare. E kupton çdo të thotë kjo? Populli i Tiranës tashmë është pa ushqimin shpirtëror, pa humorin e dashur. Tirana është pa estradë.

 

Po qytetet e tjera kanë trup estrade?

Dëgjo..! Ka estradë Kukësi, Peshkopia, Fieri, Elbasani, Korça, Durrësi, të gjitha qytetet kryesore kanë, vetëm kryeqyteti i vendit s’ka estradë. Kjo është e pakuptimtë. Ne në sistemin komunist jepnim 26 shfaqje në muaj. Vetëm ditën e hënë kishim pushim. Pra 6 shfaqje në javë. E kupton? 6 shfaqje dhe salla mbushej plot e përplot. Mbushej sa radha ishte çdo ditë nga salla e estradës deri tek Pallati i Kulturës. Këtë ta them me seriozitetin më të madh. Estrada dhe berberët bënim pushim ditën e hënë. Bile nganjëherë kur kërkesat ishin pafund, jepnim dhe dy shfaqje në ditë. Të premtet jepnin një shfaqje apostafat për gratë në orën 16-00. S’kishte bërë vaki që salla ndonjëherë të mos ishte jashtë kapacitetit , asnjëherë.

Sa filma keni luajtur gjatë karierës tuaj?

Tre filma. “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, dhe “Estrada në ekran”. Ndërsa në variete nuk i numëroj dot, aq shumë kanë qenë. Ne kemi dhënë shfaqje edhe në Pallatin e sportit dhe ai ka qenë i mbushur. Do të veçoj kur kam qenë njëherë me cirkun në Shkodër. Ishte viti 1964 kur në Shkodër siç thuhej kishte rënë borë pas shumë dekadave. Ne sapo ishim kthyer nga Kina. Shtjefën Palushi, ose Tefa siç i flisnin në Shkodër na pyeti: Si e kaloni në Shkodër? Këtu ka vetëm dy gjëra, borë dhe cirk, asgjë tjetër. Ajo shfaqje aty la mbresa. Populli ishte dhe jashtë. Ngelëm të befasuar nga pritja.

Medaljet?

Urdhëri i punës klasit të dytë, Artist i Merituar, Artist i Popullit, Mirënjohje e qytetit, ndërsa vlerësime dhe fletë lavdërimi, nuk di sesa dhe ku i kam (qesh).

Në gjithë këtë karrierë, tashmë që nuk je më në skenë kur ndjehesh më mirë?

 Ah. Skena më mungon, por atë ma zëvëndësojnë rruga, trotuaret, kafenetë, kudo ku shkel. Në çdo vend më përshëndesin dhe më kujtojnë me respekt. Njëherë ishim në Amerikë të ftuar, në Nev York, ku ishte dhe një television që jepte emisione në shqip. Ky emision jepej çdo të diel mbasdite. Ishte një djalë shqiptar, që merrej me këtë emision. Ai na ftoi dhe ne. Unë fola për jetën time artistike ashtu si dhe bashkëshortja. Drejtuesi i emisionit në një moment më bën një pyetje. Ku ke qejf të rrish? Ai priste që unë t’i thosha në Amerikë. Por me shumë dashamirësi i them se, unë e di se Nev Yorku është kryeqyteti i botës, por unë kam qejf vetëm në Tiranë. Pra aty është shpirti im. Ai na ftoi në rrinim aty të jepnim shfaqje duke na siguruar dhe shtëpi, por nuk pranuam. Unë në Tiranë nga shtëpia deri këtu jam ulur me ty, më këputet qafa duke përshëndetur njerëzit.

 

Çdo të veçoje nga njohjet me spektatorët?

Ah njëherë këtu në Tiranë një oficer më thërriste nga ana tjetër e trotuarit o Skënder, o Skënder,! Ndalova për respekt. Ai m’u hodh në qafë sikur ishim miq të vjetër. Të them të drejtën jo sa më salutojnë apo më përqafojnë i njoh, i thashë për të mos u ndjerë keq. Ai më thotë, s’më mban mend?!. S’të kujtohem?! Të them të drejtën si fytyrë e parë, por emrin s’ta mbaj mend. Nuk e mban mend kur u dha shfaqja në Kukës, në filan vit? Po,- i thashë. Unë kam qenë në radhën 6, ta bëra me dorë dhe ti më përshëndete. A ti je i thashë, me shaka? Ai e mori me tërë mend dhe më përqafoi edhe njëherë.

Atëhere pse ka rënë interesi i qeverive postkomuniste për estradën?

Se di pse. Sot duhej të kishte një estradë më të fuqishme pasi, jetojmë në një sistem demokratik. Nuk kemi më ideologjizma dhe detyrime që t’i përmbahemi vijës së partisë. Liria e krijimtarisë të jep hapësira dhe në skenë. Pëllumb Kulla duke parë këtë zbehje të estradës më thotë: “Sa kemi qeshë në diktaturë, nuk kemi qeshë një jetë”. Ndërsa sot nuk dua ta them, por estrada është lënë në radhën e fundit. Më vjen shumë- shumë keq.

Po në takimet me njerëzit kë do të veçoje?

Njëherë në Strugë kur na pa një grua në rrugë u sul duke na puthur. Ajo puthte dhe qante. Eh sa na keni kënaq me ato skeçet tuaja na thoshte! Dhe përqafo dhe loto. Na njihte sikur të ishim lerë e rritur aty. Tjetër…Njëherë në Memaliaj dhamë shfaqjen e tretë dhe po hypnim në autobus të shkonim në Tepelenë, sepse aty flinim. Vjen një grua labe tipike, siç janë labet, plot dinjitet dhe thotë: Më falni kush është Skënder Sallaku? Në dorë mbante një tepsi me byrek. Shokët i thanë, ja ku e ke. Ajo afrohet dhe më thotë. Djemtë të kanë parë dy net rresht në shfaqje dhe deri në 12 të natës më spjegonin se çfarë luaje ti në skenë. Unë qeshja me spjegimin e tyre. Ndaj këtë byrek e kam bërë për ty. Në shenjë respekti dhe gëzimit që u fale fëmijëve të mi.

Orkestrantët dhe krijuesit më të mirë të estradës kanë ikur jashtë?

Po. Por më shumë orkestrantët. Sepse ata e gjejnë më shumë veten. Ndërsa krijuesit e gjejnë vetëm këtu. Njëherë do shkoja në Amerikë. Në aeroport takoj një tregëtar. Ai më thotë ku do shkosh. Unë i them se ku. Po me se do i presësh bliletën? Do ta gjej i thashë. Ai bënte tregëti me Bullgarinë. Sa bën rruga? 700 dollarë i them. Ai nxjerr nga xhepi 1 000 dollarë. Merri më thotë. Jo, unë do marr 700 i them. Jo do t’i marrësh të gjitha me kusht: Që të mos i thuash askujt se kush t’i dha. Dhe mua të më harrosh se të dhashë para. Kur u ktheva nga Amerika i solla një këmishë. Ai u kënaq shumë nga gjesti im dhe më shtroi një drekë që bëntë sa 5 këmisha.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …