Albert Z. Zholi: Flet Kolonel Qorduka njëri ndër oficerët më të vjetër, detarë

Albert Z. Zholi: Flet Kolonel Qorduka njëri ndër oficerët më të vjetër, detarë

Kolonel Qorduka është një ndër oficerët detarë më të vjetër. Në këtë bisedë ai përcjell momonetet  kur u dha lajmi për mbërritjen në Hënë të Yuri Gagarint. Ishte moment kur midis Shqipërisë dhe ish-BRSS kishin filluar mosmarrëveshjet.

Bazat ushtarake në kuadrin e Luftës së Ftohtë ishin në qendër të vëmendjes. Si do ta cilësoni Pashalimanin, në vitet e luftës së Ftohtë? Çcfarë roli kishte kjo bazë me nëndetëse ruse?

 

Kjo bazë në çdo kohë do mbetet një pikë referimi. Një bazë që ka shumë enigma dhe histori të madhe. Me këtë bazë janë lidhur që në prehistori ngjarje nga më të rëndësishmet. Baza ushtarake e nëndetëseve në Pashaliman, e lakmuar dhe e kërkuar me çdo kusht nga rusët (sovjetikët), por objekt ushtarak i rëndësishëm i ushtrisë shqiptare, në prag të ftohjes së marrëdhënieve Shqipëri-BS, veçanërisht pas mbledhjes se 81 Partive ne Moskë e Kongresit te 4-te të Partisë së Punës së Shqipërisë në shkurt te vitit 1961, u bë ”arenë” e përplasjeve të shumta midis komandave të dubluara shqiptare e ruse (sovjetike), shpesh deri edhe midis marinarëve e punonjësve të thjeshtë. Atë kohë krisja politike mes dy udhëheqjeve të dy vendeve ishte bërë publike, veçanërisht pas qëndrimit kundërshtues të delegacionit shqiptar në Moskë. Nga ana tjetër zbatimi i detyrave të gatishmërisë në bazën e Pashalimanit, ende vazhdonte të ishte objekt i bashkëveprimit midis ushtarakëve tanë e atyre sovjetikë. Për FLD-ne e bazën në veçanti, nga Ministria jonë e Mbrojtjes ishin dhënë porosi konkrete, që nga kalimi në gatishmëri të lartë luftarake, deri te ruajtja e gjakftohtësisë e korrektesës me rusët (sovjetikët), por gjithmonë duke lënë të kuptonin se baza ishte e jona e se shqiptarët ishin zotër të saj. Ndërsa sovjetikët, me orientimin e tyre nga eprorët në Moskë, jo vetëm tentonin  të vinin në dukje se ata ishin më të përgatiturit, më të aftit, por nga ana tjetër, synonin përforcime të reja në forca, mjete e logjistikë, me qëllim që të ishin në avantazh në situatat më të vështira që priteshin. Sipas dokumenteve zyrtare, në atë kohë situatat ndryshonin me ditë e me javë, tashmë, në linjë  partie, por dhe nëpër shtabe e kudo, por veçanërisht në bazë, ku komanda ishte e dubluar (sovjetike  e shqiptare).

 

-Çfarë ndodhi në këtë kohë në bazë, kë dërgoi udhëheqja në Pashaliman dhe si ishte situata?

Duke shfrytëzuar zhvillimin e punimeve të sapo përfunduara të Kongresit të 4-të, por sigurisht me synimin për të parë nga afër këtë ”pikë të nxehtë”, ku reflektohej në terren krisja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në fund të marsit të vitit 1961, në Pashaliman me urdhër të Enver Hoxhës, mbërrin me urgjencë Mehmet Shehu.  Ardhja e Mehmet Shehut në Bazë edhe pse qëllimi i ardhjes zyrtare iu komunikua palës sovjetike në këtë njësi, nga ana e tyre kuptohej fare qartë misioni i vërtetë i ardhjes se kryeministrit shqiptar në Pashaliman. Në takimin me Mehmet Shehun, i cili u zhvillua në sallën e bazës, që merrte deri në 1000 vetë, morën pjesë edhe kuadrot e detarët sovjetikë. Mehmeti ishte veshur me një kostum sportiv, me çizme të gjata lëkure, kasketë kafe dhe ishte i shoqëruar nga  këshilltari rus i mbrojtjes për flotën, kundëradmirali Zagrebin. Futja e Mehmetit në sallë, pritja me duartrokitje e thirrje frenetike “Partia e Punës! Enver Hoxha!”, imponuan që edhe rusët (sovjetikët) të çoheshin më këmbë nga zori. Për kortezi ata bënin sikur takonin duart, ndonëse vlonin nga brenda! Midis të tjerave, sipas ushtarakëve të Flotës të pranishëm në atë takim, kryeministri shqiptar foli për revizionistin Tito, ç’përfaqësonte ai për vendin tonë e për kampin socialist, rrezikun që paralajmëron ideologjia e tij për vendin tonë e socializmin, duke lënë të nënkuptohej hapur se edhe mbështetja e tij nga sovjetikët, ishte një hap me rrezik dhe jo në drejtimin e duhur! Gjatë bisedës, tregimin për revizionizmin titist e rrezikun për socializmin, Mehmeti e lidhi dhe me njohjet e tij me Titon, udhëtimin së bashku me të në të njëjtin vapor për në Amerikë, qenien së bashku për gjah etj… Më pas, Mehmet Shehu, duke folur për fuqizimin e bazës së Pashalimanit, rolin e saj në mbrojtjen e Shqipërisë dhe vendeve të Traktatit të Lindjes kundër rrezikut të imperializmit ndërkombëtar, theksoi: “Kush do të punonte për likuidimin e kësaj baze, do të forconte krahun jugor te NATO-s!“ Në këtë rast, kujtojnë pjesëmarrësit në atë takim, mesazhi ishte i qartë, si për ushtarakët sovjetikë, ashtu edhe për ata shqiptarë. Vizita e Mehmet Shehut në bazën e Pashalimanit dha mesazhin e qartë dhe direkt, se tashmë krisja e marrëdhënieve me sovjetikët ishte një fakt real, se me gjithë manovrat, presionet e kërcënimet me të gjitha format nga ana e tyre, baza ishte  e shqiptarëve e do të mbrohej me çdo kusht nga kuadrot e marinarët e Flotës. Në këtë mënyrë, nuk bëhej më fjalë për eliminimin e incidenteve, por për mbajtjen e situatës nën kontroll, rritjen e vigjilencës e marrjen e masave të gjithanshme, që krahas ruajtjes së gjakftohtësisë, komandantët shqiptarë, së bashku me efektivat që drejtonin, të nuhasnin në kohë çdo plan apo manovër të sovjetikëve, duke sjellë neutralizim të çdo përpjekje për marrjen e bazës apo rrëmbim të anijeve e nëndetëseve në një ikje të mundshme. Pikërisht në këtë periudhë nga më delikatet e historisë së Flotës sonë Luftarake, drejtuesit e ushtrisë e të Shtetit Shqiptar, firmosin emërimin e Kundëradmiralit Abdi Mati si zëvendës të Hito Çakos në krye të FLD-së, i cili, së bashku me Ziqiri Meron e Qamil Podën, ishin ndër kuadrot specialistë më të njohur të kësaj arme. Në atë gjendje të vështirë, maturia e pjekuria, niveli i lartë profesional i Matit, jo vetëm arriti të administrojë suksesshëm situatën, të përgatiste e të mobilizonte efektivat tona detare për të përmbushur me sukses urdhrin për ruajtjen e bazës e të nëndetëseve, duke detyruar sovjetikët të dështonin në misionin e tyre, por arriti që të bëhej në njëfarë mënyre dhe simbol i Flotës!

 

Si po zhvilloheshin ngjarjet? Si po vepronin ushtarët tanë? Po oficerët si i ruanin ekuilibrat?

Ish-ushtarakët shqiptarë të bazës së Vlorës, në periudhën e pikut të acarimit të marrëdhënieve me ushtarakët rusë (sovjetikë), kujtojnë një ngjarje të fillim prillit 1961, që nga rusët (sovjetikët), por edhe nga ushtarakët tanë, u mor si një sinjal i fillimit të luftës me armë. Ish-shefi operativ i Brigadës së nëndetëseve, Xhafer Rrokaj tregon: ”Jo vetëm për ushtarakët e bazave tona në Shqipëri, por edhe për studentët tanë në BS e qytetarët e thjeshtë, ai komunikim i rëndësishëm në radion sovjetike, siç kishte qenë në traditë, na parapërgatiti për luftë. Ishim në orën e zhvillimit te leksioneve në teorinë e ndërtimit të anijeve dhe profesori, i mësuar me zërin e njohur të Levetanit gjatë luftës, sapo dëgjoi zërin e tij, ndërpreu menjëherë mësimin dhe u ul në karrige, duke thënë ‚Tashmë filloi lufta’. Ishte 12 prilli 1961, e Radio-Moska, nëpërmjet zërit të spikerit të njohur Levetan, pohon se pas disa minutash, porositeshim të rrinim në dëgjim për një lajm tepër të rëndësishëm. Sovjetikët, por dhe ushtarakët tanë, që ishin shkolluar në akademinë e këtij vendi, e dinin se zëri i tij, tradicionalisht lajmëronte për luftëra e beteja. Zëri i Levetanit ishte bërë i njohur për ushtrinë e kombin sovjetik, por dhe për aleatët, për transmetimin direkt në radio të urdhrave luftarakë, që hidhnin në beteja miliona luftëtarë. Por, ankthi u shkri, kur ky spiker pohoi me solemnitet se, për herë të parë, kishte zbritur në kozmos, kozmonauti rus Juri Gagarin!” Në bazën e Vlorës, ky lajm qe në njëfarë mënyre kishte përgatitur moralisht detarët për luftë, ”shkriu” tensionin në çast, duke sjellë një ndjenjë krenarie të shfaqur hapur tek ushtarakët rusë (sovjetikë), por dhe ata shqiptarë. Veçse përkohësisht…

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …