leoni

Albert Zholi: libri i ri me poezi i poetes, Pamela Malis: Vij me flatra vargjesh

Albert Zholi: Libri i ri me poezi i poetes, Pamela Malis: Vij me flatra vargjesh

Pamela Malis është një zë i ri mes cicërimave poetike të brezit që po troket në dyert e poezisë shqiptare. Ajo ende nuk i ka mbushur të tetëmbëdhjetat, por prej disa vitesh përpiqet të shkruajë, plot pasion dhe dashuri për vargun, me dëshirën që nesër të jetë një poete. Kur lexon krijimet e saj e kupton menjëherë që ajo ka talentin dhe tharmin që duhet për të ecur në rrugën e bukur e të vështirë të poezisë. Që në një lexim të parë të bie në sy që një nga pikat e saj të forta është larmia e temave dhe e motiveve që shoqëron vargun e saj.

Dashuria për nënën dhe për babain, malli për gjyshin, dëshira për tu rritur e për të qenë një vajzë e denjë për familjen dhe shoqërinë, pleksen me rrahjet e para të zemrës për dashurinë, që vjen herë si i dashuri imagjinar e herë si një ëndërr femërore për të krijuar folezën e saj të nesërme. Gjejmë në krijimet e Pamelës, edhe lidhjen edhe ndarjen, buzëqeshjen e takimeve të para, por edhe lotin e mallit dhe dhimbjen e zhgënjimit. Gjejmë fletët e ditarit vajzëror, shkëlqimin e diellit të pranverës, hënën e ëndrrave, dallgët e detit, blerimin e natyrës apo shiun që përzihet me gjendjen shpirtërore në momente të ndryshme të jetës së saj.

Poezia e Pamelës vjen e natyrshme, e thjeshtë, por edhe me larmi figurative. Ajo është pak nga fëmijëria e çdo shqiptari që provoi emigracionin që në moshë të njomë, pak nga malli për vendlindjen dhe të afërmit e tjerë, pak nga dëshira për tu kthyer sërish në Shqipëri. Në vargjet e saj gjejmë brishtësinë e një vajze ende të vogël, gjejmë imazhet e bukura që flenë mes ëndrrave, por edhe ashpërsinë e trishtimit dhe të zhgënjimeve që e shoqëron njeriun që në moshë të njomë.

Në këto poezi të para i hasim të gjitha llojet e vargjeve dhe të strofave, që nga vargu klasik tetërrokësh dhe strofa katër vargëshe e deri tek vargu i lirë, dinamik e i zhdërvjellët. Sigurisht që Pamela është ende në hapat e parë të krijimtarisë dhe ka shumë punë për të bërë. Ndonjë artific në rimat përmbyllëse, apo ndonjë varg ende i palatuar sa duhet, është pjesë e natyrshme në këto poezi. Por këto e bëjnë spontane dhe njerëzore  këtë krijimtari. Sepse koha dhe hapësira shkrihen kaq ëmbëlsisht sa të shtyjnë t’i lexosh me një frymë këto vargje. Sepse pas çdo vargu hasim imazhe rinore, dëshira të fshehura, zhgënjim dhe shpresë, realitet dhe trillim.

Në krijimtarinë ende fëmijërore gjejmë të shkrira metafora origjinale, krahasime të goditura, asonanca dhe konsonanca të ëmbla që i japin forcë dhe muzikalitet vargjeve. Ashtu siç gjejmë edhe vargun e zakonshëm, ndonjë përsëritje të pranueshme apo ndonjë thyerje ritmike. Në fund të fundit Pamela sapo ka trokitur në botën madhështore dhe magjike të poezisë. Nuk na ngelet veçse ti themi “mirësevjen” në galaktikën e letërsisë! Ajo që është e rëndësishme është fakti që e bukura estetike për këtë vajzë maturante gjendet mes vargjeve dhe figurave letrare. Suksese Pamela në rrugën e gjatë, të vështirë dhe të bukur të artit poetik!

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …