Albin Kurti: Bajrush Behrami me vendosmëri e ndërtoi dhe e zhvilloi shërbimin për informim të UÇK-së

Albin Kurti: Bajrush Behrami me vendosmëri e ndërtoi dhe e zhvilloi shërbimin për informim të UÇK-së në Prishtinë

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes së ish-të burgosurit politik, Bajrush Behrami. Ai ka shkruar se vdekja e Behramit po i dhemb atij dhe se kontributi i tij do të mbetet i përjetshëm pasi që tashmë i ndjeri ka qenë njeri ndër themeluesit e zyrës për informim të UÇK-së në Prishtinë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin që ka vdekur Bajrush Behrami. Ai ka qenë i burgosur politik për nëntë vjet, veprimtar i paepur për çështje kombëtare e për drejtësi shoqërore. Në vitet 1998 dhe 1999 me Bajrushin kemi punuar bashkë në zyrën e UÇK-së në Prishtinë të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, z.Adem Demaçi. Kam kujtimet më të mira dhe përvojat më të vlefshme nga ato kohë të vështira, kur Bajrush Behrami, me urtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi dhe zhvilloi shërbimin për informim të Zyrës. Vdekja e tij më dhemb. Një botë e tërë e vuajtjeve dhe mirësisë në një njeri të vetëm më duket se na iku. Vdekjen e pati të parakohshme por kontributi i tij për ne e kujtimi ynë për të mbeten të përjetshëm”, ka shkruar Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …