Albin Kurti po luan me fatin e Kosovës, me një papërgjegjësi të neveritshme dhe arrogante, ndërsa pasojat do t’i bartim të gjithë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien,  ka deklaruar  se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës,  për të mos lejuar përdorimin e dinarit. O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere, ka thënë O’Brien.   Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë, thotë zoti O’Brien. Vendet moderne  të Evropës,  i zgjidhin këto çështje me dialog paraprak dhe informojnë banorët me kohë. Zyrtari amerikan tha se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin, Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

Deklarata e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, dhënë Zërit të Amerikës, tregon më së miri se deri në ç nivel po luan me fatin e vendit, kryeministri, i pa papërgjegjshëm Albin Kurti, i cili ka vënë në një pikëpyetje të madhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalë-zotësen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, aleatin e pazëvendësueshëm, shtetin më të fuqishëm të botës dhe më mik jo vetëm të Kosovës, por të krejt popullit shqiptar.

Qëndrimi i tij shpërfillës dhe injorues, madje në disa raste është edhe përçmues.

Të përkujtojmë me këtë rast se më 30 maj të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”, iu ka përgjigjur deklaratave të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Bliknken, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri, kishte thënë  se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”. Kurti ka shprehur pakënaqësitë e tij për këtë deklaratë të Blinken-it, e ka konsideruar si zbutje të kryetarit  të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, “Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë është edhe shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme, kishte thënë Kurti. (Albanianpost.com)

Arroganca e tillë neveritëse e Kurtit e shprehur kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Bliknken, nuk e lëndon as dëmton Blinkenin, as Amerikën, por shpërfaqë para botës një kryeministër aq shumë të stisur me  naivitete dhe arrogancë, sa çdo kundërshtar, çdo njeri që nuk përputhet me bindjet e tij ai e etiketon si  naiv.

Nuk është vetëm naiviteti, “virtyt” i këtij kryeministri prepotent, i cili madje i frynë muskujt edhe për trimëri dhe patriotizëm, por mbi të gjitha është hipokrizi neveritëse, pasi ai e di mirë se çka do që thotë për Amerikën e partnerët e tjerë, nuk ndryshon dot qëndrimi zyrtar amerikan karshi Kosovës, sepse ata janë në mbrojtje të Shtetit dhe jo të një përbuzësi, i cili me kauza të rreme mashtroi një pjesë të elektoratit dhe me një Pazar politik me Vjosa Raif Osmanin, krijesën politike të LDK-së, e cila e tradhtoi  në momentin vendimtar, Kurti arriti ta marrë shumicën në zgjedhjet e fundit të përgjithshme para tri viteve, por nuk shkoi gjatë dhe në zgjedhjet vendore mezi arriti t i marrë katër  komuna nga 38 sa i ka Kosova.

Albin Kurti, duke folur për deklaratat e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili ka thënë nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere, ka  thënë se nuk po rrezikohet partneriteti me Amerikën, dhe shtoi se Kosova nuk ka partnere, aleatë dhe mik më të rëndësishëm sesa Amerika por ajo  duhet ta dijë se kushtetueshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i qeverisë.

Ndërkohë, profesori dhe analisti i mirënjohur amerikan, Eduard Joseph, ka folur lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe qasjen e ndërkombëtarëve me palët negociuese. Ai  ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë dhuratë kryetari të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi me gabimet e tij ai e ka  tërhequr vëmendjen ndërkombëtare nga Beogradi në Prishtinë. Gabimet e kryeministrit Albin Kurti, i  kanë  dhënë kryetarit serb Vuçiq dhuratën, për të larguar vëmendjen nga ushtrimi i presionit që duhet të bëhet ndaj Beogradit, për organizimin e sulmit të shtatorit në veri të Kosovës, për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve për të cilin është mbajtur përgjegjës me një shumicë të madhe votash në Parlamentin Evropian për mashtrime zgjedhore në Serbi.

Dhe në vend të kësaj, kryeministri Kurti po i jep Presidentit Vuçiq një dhuratë duke larguar të gjithë vëmendjen nga Beogradi, aty ku duhet të jetë, dhe në vend të kësaj e ka tërhequr vëmendjen te Prishtina për qasjet e gabuara ndaj politikës së tij në Kosovë, ka thënë, profesori dhe analisti i mirënjohur amerikan, Edward Joseph.

Edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Metju Miller, në një konferencë për media është pyetur nga gazetarë  se çfarë do të bëjë Amerika  për ta ndaluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke ia përkujtuar faktin se ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, konfirmoi se po hasin në padëgjueshmëri nga Albin Kurti dhe Qeveria e tij.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se do të përpiqen t’i zgjidhin çështjet me diplomaci, por që s’mund të parashikojë ndonjë hap specifik. Unë them se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në diplomaci për ta zgjidhur këtë çështje, dhe ne duam që të dyja palët Kosova dhe  Serbia të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, saktësoi, zëdhënësi Metju   Miller.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur  kritikat drejtuar Qeverisë-Kurti për çështjen e dinarit. Në konferencën për medie, ai ka komentuar kritikat e Amerikës  për Kosovën në Këshill të Sigurimit. “Është e rrallë që në Këshill të Sigurimit përfaqësuesi amerikan të thotë gjëra kritike për Qeverinë e Kosovës. Ambasadorja Linda-Thomas Grinfield e bëri këtë. Është e rrallë që ndihmës-sekretari për Evropë, James O’Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”, ka deklaruar diplomati amerikan.

Deri në ç’ masë shprehet antiamerikanizmi në Vetëvendosje, ashtu sikur e ka shprehur dikur Albin Kurti me cinizmin e tij fëmijëror, Amelika-Amelika, tani jo papritur, avokati i Vetëvendosjes Tomë Gashi i ka adresuar Amerikës edhe sharje e fyerje, ndër më të poshtrat dhe më idiotiket. Ai në një postim të tij i ka reaguar në mënyrë fyese, cinike dhe përbuzëse  ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, i cili në një konferencë për medie ka folur për marrëdhëniet në mes të dy shteteve pas vendimit të Kosovës për dinarin serb.  Avokati Gashi, dikur pjesë e sistemit juridik të Serbisë,  ka thënë se nëse Amerika  e do dinarin, atëherë le ta bën atë valutë zyrtare në Amerikë. Nëse shumë e doni ketë dinarin bane valute zyrtare apo më shumë preferoni rublën ruse? Mos e ndotni  punën! Miqtë nuk kërcënojnë!”, ka shkruar, Tomë  Gashi, i njohur për gjuhën e përdalë dhe krekosjen fodulle duke u mbështetur nga militantët e Vetëvendosjes.

Nuk është për t’ u habitur gjithaq me Albin Kurtin dhe arrogantët e tij, sepse ai ka hyrë tashmë në një rrugë qorre nga ku nuk dilet, po është më shumë se për habi, qëndrimi tejet indiferent i opozitës, sidomos i asaj të dalë nga lufta e UÇK-së, e cila mjaftohet me evidentimin e  gabimeve e skandaleve të Qeverisë  dhe pret që ai të gabojë edhe më shumë, në mënyrë që të japë dorëheqje. Ky qëndrim i papërgjegjshëm i opozitës do t i kushtojë asaj, shumë më tepër sesa ajo pret. Opozita pret në stilin, “mishi të piqet e helli të mos digjet”, por pritja e gjatë bën që të digjet mishi bashkë me hellin.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 2. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …