Albin Kurti u thotë me krekosje simpatizantëve, në Skenderaj, se kësaj radhe dihet kush del i pari, na kena me dal ’t’part’

Albin Kurti u thotë me krekosje simpatizantëve, në Skenderaj, se kësaj radhe dihet kush del i pari, na kena me dal ’t’part’

Përpjekjet për të shkaktuar revoltë  në Drenicë, sidomos tani kur ajo është tejet e lënduar me fillimin e punës së Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, tejet e indinjuar dhe me plagë të pashëruara të luftës, është në radhë të parë një përpjekje e papërgjegjshme, e rrezikshme, e cila mund të eskalojë, pikërisht ashtu sikur dëshiron Serbia dhe përkrahësit e bashkëpunëtorët e saj…

 

Edhe pse i përcjellë me forca të shumta  Policisë Speciale, sikur të ishte kryeministër e jo kryetar partie, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në pamundësi për të mbajtur miting politik,  në Skënderaj, ishte futur  në një lokal të qytetit, me disa përcjellës të tij.

Ai me këtë rast iu kishte drejtuar simpatizantëve duke i ftuar ata të dalin në zgjedhjet e 14 shkurtit. “Miqve e dashamirëve që keni, farefisit të juaj, ju ftoj që të dilni masivisht në zgjedhje, sepse fitorja kësaj radhe nuk është veç me dalë të parët, se s’ka kush del i pari, na kena me dalë të parët”, ka thënë Kurti në tubimin e mbajtur në një lokal të qytetit të Skenderaj.

Prania e tij në Drenicë, asnjëherë nuk është mirëpritur për shkak të qëndrimit kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, të cilët me disa bashkëluftëtarë  të tyre ndodhen në burgun e Gjykatës së Hagës.

Shkuarja e Kurtit në Skënderaj, me përcjellje të forcave policore, vetvetiu ishte një provokim i rëndë, jo vetëm për banorët e Skënderajt, por të tërë Drenicës e më gjerë, sepse është fare e kuptueshme lehtësia të cilën ai e ndien kur nuk i ka përballë krerët më me ndikim politik të kësaj pjese të Drenicës, sikur janë Hashim Thaçi,  Kadri Veseli dhe PDK-ja përgjithësisht. Drenica, për disa zyrtarë të Vetëvendosjes vazhdon të trajtohet si njëlloj “perëndimi i egër”, ku duhet me shku me dy alltia në dorë, thoshte dikur Glauku i Vetëvendosjes. Një tjetër pjesëtar i këtij rodi thotë: “nëse doni të shkoni në një kopsht Zoologjik, shkoni në Drenicë”. Drenica është një “oazë e kaçakëve” dhe kryengritësve, që dinë çka duan por nuk dinë çka bëjnë, thoshte Jusuf Buxhovi, në maj të vitit 1998 duke i bërë thirrje, Ibrahim Rugovës që me çdo kusht e me çdo çmim ta pacifikonte Drenicën, dy muaj pas rënies së Jasharëve dhe Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Qëndrimi i këtyre dhe qarqeve të tilla kundër Drenicës, është qëndrim racist, i turpshëm, kombëtarisht i dëmshëm, është qëndrim antinjerëzor dhe antikombëtar për faktin se dihet mirëfilli historia shumë shekullore, qëndrestare e martirizuese  e kësaj krahine spartane të Shqipërisë.

Përpjekjet për të shkaktuar revoltë  në Drenicë, sidomos tani kur ajo është tejet e lënduar me fillimin e punës së Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, tejet e indinjuar dhe me plagë të pashëruara të luftës, është në radhë të parë një përpjekje e papërgjegjshme, e rrezikshme, e cila mund të eskalojë, pikërisht ashtu sikur dëshiron Serbia dhe përkrahësit e bashkëpunëtorët e saj.

Albini, më 1 shkurt 2021, vetë apo bashkë me këshilltarët e shoqëruesit e tij kanë vepruar me qëllim të caktuar, duke menduar të përfitojnë politikisht,  në mënyrë që të krijohet bindja se Albinin e urrejnë vetëm serbët në Veri dhe shqiptarët në Skënderaj e përgjithësisht në Drenicë, për të cilët ai  mendon se janë të manipuluar nga Hashim Thaçi. Ky qëndrim i Kurtit është në linjë të plotë me përkrahësin, pse jo edhe mentorin e tij,  Veton Surroi, i cili thotë se “të gjithë ata që votojnë për PDK-në pajtohen me krimin, sepse iu japin vota kriminelëve”. Kjo dogme e rrezikshme e instaluar në Vetëvendosje, jo vetëm që nuk premton situatë sigurie për zgjedhje të lira dhe paqësore, por provokon një ndarje e përçarje, e cila i kalon suazat e luftës politike për t’ iu hedhur  hi në sy votuesve, duke paragjykuar  qind për qind fituesin.

Kjo arrogancë e mujshari politike e instaluar në një segment të Vetëvendosjes, dëmin më të madh do t ia sjellë vetes, sepse çfarëdo fitore që anashkalon, injoron  dhe përçmon Drenicën, mbart me vete shpirtëligësi, shkurtpamësi dhe injorancë të rëndë.

Drenica ka qenë dhe po, do të jetë, Sparta e Shqipërisë, vendi i kryengritjeve shekullore kundër robërisë, romake, bizantine, turke, sllave dhe veçmas  treva më e persekutuar nga regjimi serb, por edhe treva më heroike e historisë kombëtare e cila ka dhënë personalitete të spikatura të kombit, si Milush Kopiliqi, Zeqir Rezalla, Ahmet Delia, Azem Galica, Shote Galica, Hasan Prishtina, Shaban Palluzha, Adem Jashari dhe qindra të tjerë.

Maksimalizimi i heroizmit të Drenicës, nuk i lëndon aspak trevat e tjera kryengritëse të vendit, sepse të gjithë shqiptarët liridashës kudo ku jetojnë, në troje apo nëpër botë, e dinë mirëfilli kontributin e pandërprerë, që i ka dhënë kjo trevë trimash historisë së përgjithshme të kombit.

Të gjitha ata tereq,  mendjelehtë, që fërkohen për Drenicën dhe vullnetin politik të saj, janë kthyer e do të kthehen të lagur nga atje,  sepse kjo treve e ka paguar shumë shtrenjtë dhe me shumë gjak  luftën për të fituar të drejtën për  shprehjen e lirë dhe të drejtën për të vendosur vetë politikisht, pavarësisht se nuk iu pëlqen atyre që pretendojnë se e kanë shpikur të parët sintagmën Vetëvendosje, dhe duke qenë se janë kapur fortë pas këtij  emri dashkan ta vendosin vetë vullnetin politik edhe në Drenicë, ku kanë mbetur pakicë e papërfillshme.

Farsat, cilat do qofshin ato, cilido qoftë ai që i kurdis, kanë qenë dhe kanë mbetur farsa, kopje të cilat ecin shpejtë por nuk e bëjnë të gjatë. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …