Deklarata e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, lidhur me kërkesat për dorëheqjen e ministrave pas rasteve të rënda të dhunës dhe vrasjeve, është një shembull domethënës i ndryshimit të diskursit politik kur kalohet nga opozita në pushtet. Dikur, kur ishte në opozitë, Albulena Haxhiu ishte ndër zërat më të zëshëm në denoncimin e dhunës ndaj grave, vrasjeve dhe dështimeve institucionale. Ajo atakonte ashpër pushtetin e kohës, kërkonte përgjegjësi, dorëheqje dhe reagim të menjëhershëm të institucioneve. Çdo rast i rëndë shndërrohej në arsye për të kërkuar llogari nga ata që drejtonin institucionet. Sot, kur është vetë në majën e hierarkisë institucionale, përballë kërkesave të njëjta për përgjegjësi, Haxhiu zgjedh një qasje krejt tjetër. Në vend që të përqendrohet te dështimet e mundshme të mekanizmave shtetërorë dhe përgjegjësia e ministrave që drejtojnë institucionet përkatëse, ajo shtron pyetjen nëse dorëheqja e një ministri do t’i ndalte vrasjet. Një pyetje e tillë nuk i përgjigjet thelbit të debatit. Askush nuk pretendon se dorëheqja e një ministri është ilaç kundër krimit apo se me largimin e tij dhuna do të zhduket. Por përgjegjësia politike nuk kërkohet për të garantuar se nuk do të ketë më vrasje. Nuk mund të kërkosh dorëheqje për dështimet e të tjerëve dhe, kur je në pushtet, ta trajtosh dorëheqjen si një veprim që nuk ka domethënie, përveçse nëse ndalohen vrasjet. Albulena Haxhiu duhet të kujtojë se përgjegjësia institucionale nuk ndryshon varësisht se kush e mban pushtetin. Ajo që dje kërkohej si detyrim moral dhe politik nga kundërshtarët, nuk mund të shndërrohet sot në një pyetje retorike kur bëhet fjalë për përgjegjësinë e pushtetit tënd.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
