Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar të pranisë së aflatoksinave mbi kufijtë e lejuar në tregun e Kosovës, duke rikujtuar se për këtë rrezik kishte paralajmëruar më 22 tetor, në një emision televiziv. Gjini ka thënë se paralajmërimi i tij është dëshmuar i saktë, ndërsa ka ngritur shqetësimin për pasojat që këto substanca toksike mund të kenë për shëndetin e qytetarëve. Sipas tij, aflatoksinat paraqesin rrezik jo vetëm për kafshët, por mund të kalojnë edhe në qumësht, duke ekspozuar konsumatorët, veçanërisht fëmijët dhe familjet, ndaj rreziqeve shëndetësore. “Kjo që po ndodh është pasqyrë e një pushteti që neglizhon sigurinë tonë kombëtare dhe ushqimore”, ka deklaruar Gjini, duke kritikuar Qeverinë për mungesë të reagimit dhe përgjegjësisë institucionale. Ai ka kërkuar mbrojtje për qytetarët dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar rastin si një tjetër dëshmi të dështimeve në garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
