Ali Kelmendi, (1900-1939) ishte ideologu më i njohur i lëvizjes komuniste të Shqipërisë

Ali Kelmendi, njëri ndër personalitetet më të njohura të lëvizjes komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës u lind në Pejë më 11 shkurt të vitit 1900. U lind dhe u rrit në një familje të varfër fshatare por me ide atdhetare. Në qershor të vitit 1924, përkrahu Revolucionin borgjez demokratik në krye me Fan Nolin. Pas rënies së Qeverisë së Nolit në dhjetër të vitit 1924, Ali Kelmendi ashtu sikur edhe shumë  intelektualë përparimtarë, u largua nga Shqipëria duke emigruar fillimisht  në Itali pastaj në Francë e më vonë edhe në Bashkimin Sovjetik. Ishte pejsëmarrë i Internacionales Komuniste. Ka bashkëvepruar me kreun komunist të kohës si me Georgi Dimitrovin e Bullgarisë dhe me autoritete të larta komunste në Evropë dhe në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1930 dërgohet nga Internacionalja për ta aktivizuar lëvizjen komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë. Asokohe u u kthye në Shqipëri, ku  kontriboi në krijimin në zhvillimin e luftës popullore kundër reaksionit Zogist e imperializmit fashist.

Ali Kelmendi mbajti që në fillim kontakte me Kominternin dhe ishte figura më me autoritet. Atij ju besuan detyra të rëndësishme, në organizimin e  një sërë shoqërive  punëtore. Sipas porosive të tij, masat e pakënaqura popullore  morën pjesë gjithnjë në mënyrë më aktive edhe në lëvizjen popullore, sikundër ishin Kryengritja antizogiste e Fierit dhe Demonstrata e bukës në Korçë. Me gjithë ndjekjet e regjimit arrestimet, mbajtjen në burg, me gjithë terrorin policor të Mbretit Zog, ai nuk reshti së punuari brenda dhe jashtë vendit, për kurorëzimin me sukses të luftës popullore.

Artan Gambeta: Disa relacione jo shumë të njohura të Ali kelmendit me internacionalistin bullgar, Georgi Dimitrov dhe përgjithësisht për aktivitetin e Ali kelmendit në lëvizjen komuniste në Bashkim Sovjetik dhe në Shqipëri.

 Ditari i Dimitrovit “Vitet e Moskës (1934-1945)”, është një kronikë autentike e axhendës së tij, kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Kominternit. I pari shqiptar që përmendet në këtë kronikë është Ali Kelmendi. Por cila ishte veprimtaria e Ali Kelmendit në Moskë, e këtij shqiptari që ishte një ndër pak komunistët shqiptarë që kishte përqafuar idetë komuniste? Komunistët e parë shqiptarë filluan veprimtarinë e tyre aktive në Francë, ku ishin vendosur si emigrantë ekonomikë ose për studime, nën ndikimin e komunistëve francezë.

Ndërmjet tyre ishte dhe Ali Kelmendi, i cili bëri çmos që, nëpërmjet Partisë Komuniste Franceze, të lidhej me Kominternin për ta informuar mbi gjendjen në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë mbi veprimtarinë e grupeve komuniste, që porsa kishin filluar të lëshonin filiza në Shqipëri. Dhe ia arriti qëllimit. Në fillim të dhjetorit të vitit 1936, Ali Kelmendin e njoftuan se Kominterni do të organizonte një mbledhje për të shqyrtuar gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Ai shkon në Moskë. Por, nga takimi me Dimitrovin, me sa duket, ky i fundit nuk e konsideroi Kelmendin si komunistin numër një shqiptar. Prandaj Kominterni nuk vendosi gjë: u kufizua vetëm duke i dhënë atij një ndihmë 500 dollarëshe, si një farë “diete shërbimi”. Me sa duket, pritej që, në mbledhjen e ardhshme, të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e grupeve të tjera komuniste shqiptare.

 Më 1937, në kuadrin e veprimtarive në përkujtim të 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, ftohen në Moskë një grup komunistësh shqiptarë. Me këtë rast do të bëhej edhe mbledhja e parashikuar e Kominternit për të analizuar gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Vetëkuptohet që Kominterni ishte i interesuar që të përhapte metastazat e veta në çdo qoshe të botës, pra edhe në Shqipërinë e vogël, pavarësisht nga roli dhe pesha e saj. Pra, Kominterni ishte i interesuar që të krijohej edhe në Shqipëri një parti komuniste. Mbledhja u zhvillua në fillim të vitit 1937. Atë e kryesonte Vilhelm Piku, sekretari i Kominternit që mbulonte vendet e Ballkanit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë edhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Kominternit dhe të Seksionit të tij Ballkanik. Në grupin e shqiptarëve bënin pjesë Ali Kelmendi, Zai Fundo, Koço Tashko, Sejfullah Maleshova dhe Halim Xhelo. Filluan raportimet, diskutimet dhe… filluan grindjet… Zai fliste për veprimtarinë e KÇN-së (Këshillit të Çlirimit Nacional) që vepronte në emigracion, për ndikimin e kësaj organizate në Shqipëri dhe te shqiptarët e vendeve të tjera, foli si teoricien i marksizmit për “gabimet ideologjike” të grupeve komuniste. Zain e kundërshtoi ashpër Ali Kelmendi për të gjitha çështjet e shtruara, e kundërshtoi Zain edhe Sejfullah Malëshova. Të gjithë nxorën mllefin e tyre kundër njëri-tjetrit, arritën deri aty sa të shajnë dhe të ofendojnë njërin-tjetrin. Luftën e ndezën diskutimet e Ali Kelmendit dhe të Zai Fundos. Ky sherr nuk mund të mos krijonte një përshtypje të keqe te të deleguarit e Kominternit, të cilët ndërhynin shpesh për të qetësuar gjakrat, duke u tërhequr vëmendjen dhe duke i këshilluar që të mos grindeshin, duke u bërë thirrje që të gjenin një “konsensus”. Por përpjekjet e tyre nuk patën sukses. “Zjarrvënësit” nuk tërhiqeshin…. Atëherë Vilhelm Piku u detyrua të ndërpresë përkohësisht mbledhjen, duke paraqitur si shkak se ai, drejtuesi i mbledhjes, duhej të merrej me zgjidhjen e disa problemeve të ngutshme, që kishin lindur në Gjermani. A ishte kjo arsyeja e vërtetë, apo Vilhelm Piku donte t´u linte shqiptarëve një kohë që të qetësoheshin, të mendoheshin dhe të kuptonin se me qëndrimin e tyre po e futnin çështjen në një qorrsokak? Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje. Kjo përgjigje ndoshta është në ndonjë arkiv, ndoshta është në kujtimet e Vilhelm Pikut, në qoftë se në këto kujtime ai, Vilhelm Piku, i ka kushtuar ndonjë rëndësi krijimit të një partie komuniste në Shqipëri, me të cilën do t’ia vlente të merrej Kominterni. Ndoshta krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare Kominterni ia la në “patronazh” Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila vlerësohej atëherë si një nga “seksionet” më besnike të tij, pasi zhduku në nëntor 1937 Gorkiçin dhe vuri në vend të tij Titon, si të plotfuqishëm të Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Komuniste, pra të Kominternit. Mbledhja e ndërprerë i rifilloi punimet nga mesi i marsit, me zbërthimin e detyrave të Kongresit VII të Kominternit. Në përputhje me këto direktiva duhej të ndërtonte punën e vet edhe lëvizja komuniste shqiptare. Direktivat janë direktiva, por jo për shqiptarët: grindjet vazhduan edhe në këtë fazë të dytë të mbledhjes, me gjithë afrimin e pikëpamjeve të Ali Kelmendit me ato të Sejfulla Malëshovës.

 Dimitrovi nuk i rreshti përpjekjet e tij për të ndihmuar komunistët shqiptarë. Në Moskë, në gusht të vitit 1928, u krijua grupi i komunistëve të emigrantëve shqiptarë. Ky grup do të funksiononte si seksion shqiptar i Kominternit. Në statutin dhe programin e tij, të miratuar edhe nga Kominterni, shtrohej detyra që të krijoheshin grupe komunistësh, të cilat më pas duhej të krijonin Partinë Komuniste Shqiptare. Nga organizata “Bashkimi” u dërguan në Moskë 19 të rinj, por nuk u angazhuan të gjithë në veprimtari politike. Një ndër këta të fundit ishte edhe Ali Kelmendi. Prof.dr. Myslim Islami, i cili ka shkruar një libër interesant për Ali Kelmendin, na njofton se në këtë kohë Aliu punonte në Odesë, si oficer kufiri, pra i shkëputur nga veprimtaria politike e emigrantëve komunistë shqiptarë. Përse?

 Prof.dr. Myslim Islami shkruan: “Lufta politike dhe ideologjike në gjirin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik zhvillohej e ashpër. Kjo frymë bëri që të spikasin qëndrime të kundërta, të shfaqeshin pikëpamje të ndryshme edhe në gjirin e emigrantëve shqiptarë dhe midis komunistëve të Grupit… Në fillim të vitit 1929, një mbledhje e Grupit vazhdoi 2-3 ditë në një atmosferë të nderë. Moskuptimet në disa raste ishin meskine. “Krerët” luftonin se kush nga ata do të ishte “violinë e parë”, kush do të qëndronte në Moskë pranë Kominternit. Disa mendonin që drejtuesit të emëroheshin nga lart, të tjerët kundërshtonin dhe këmbëngulnin që të zgjidheshin nga poshtë. Këto diskutime e debate i çuan deri në grindje. Disa u larguan nga mbledhja në mënyrë demonstrative. Pala tjetër, të akuzuar për mungesë disipline e shkelës të normave, përjashtoheshin nga Grupi Komunist i Moskës. Për të gjitha këto mosmarrëveshje informohej Kominterni”. Të përjashtuarit kërkonin punë, për të jetuar tashmë jo si emigrantë politikë, por si emigrantë ekonomikë.

 Ali Kelmendi u vendos në Odesë dhe filloi punë si oficer i forcave të kufirit. Por dihet se forcat e kufirit vareshin nga Komisariati i Sigurimit të Shtetit, ose, thënë më troç, vareshin nga GPU-ja (Drejtoria Qendrore Politike), që ishte organizatorja dhe zbatuesja e përndjekjeve politike. Ali Kelmendi u rekrutua në këtë armë të shtetit sovjetik(!). Komunistët e mbarë botës e kishin për detyrë (dhe e ndjenin për detyrë) që t’i shërbenin shtetit të parë socialist në botë, si pararojë të botës së ardhme komuniste. Grindjet e emigrantëve shqiptarë gjetën mjedisin e përshtatshëm në grindjet e vipave sovjetikë…. Por, në dhjetor të vitit 1928, Ali Kelmendi, ky oficer i kufirit të shtetit sovjetik, kërkoi të lirohej nga kjo detyrë, për t’i shërbyer një shoku të tij, Ymer Domit, që ishte paralizuar. Shkoi bashkë me Ymerin në Leningrad, por përsëri qëndron jashtë politikës. Ai fillon punë në një fabrikë si hekur-punuës. Më 3 mars të vitit 1929, Ali Kelmendi, ky komunist i parë shqiptar që takohet me Dimitrovin, hyn përsëri në politikë: pranohet në Grupin Komunist të shqiptarëve të Moskës(!). Rifillon veprimtaria e tij politike.

 Më 1932 kthehet në Shqipëri, thuhet, si i dërguar i Kominternit, dhe menjëherë arrestohet dhe mbahet në dhomën e izolimit të komisarisë. Si “i dyshimtë” ai internohet. Ku? Në qytetin e Korçës. Por Korçën, si vend internimi, nuk e vendosi Ministria e Brendshme. Në një shkresë lexojmë: “I përmenduni Ali Kelmendi, mbasi paska caktue si vend qëndrimi qytetin e Korçës, t’i dorëzohet Komandës së Qarkut për ta përcjellë në vendin e sipërm, për qëndrim, me kusht që të mos kthehet më në kryeqytet”. Aliu zgjodhi Korçën, me sa duket, duke u nisur nga sa kishte dëgjuar nga emigrantët shqiptarë të Francës mbi veprimtarinë e Grupit komunist të këtij qyteti, por edhe vetë kishte qenë në këtë qytet në vitin 1924, si veprimtar i shoqërisë “Bashkimi”. Këtu Aliu fillon menjëherë një veprimtari propagandistike kundër pushtetit në fuqi. Fiton simpatinë dhe respektin jo vetëm të komunistëve të Grupit, por edhe të anëtarëve të shoqatave të zejtarëve korçarë. Por, grindjet dhe mosmarrëveshjet nuk mungonin as midis anëtarëve të Grupit. Filluan dyshimet: i dërguar i Kominternit? Por le të na paraqitë një dokument që të bindemi se është vërtet i dërguar i Kominternit! Por Aliu një dokument të tillë nuk e kishte. Atëherë Aliu kërkoi që të vinte në Greqi dhe në Turqi, që nëpërmjet partive komuniste të këtyre vendeve të “rivendoste” lidhjet e humbura me Kominternin. Sipas kujtimeve të Koço Jakovës, komunistit-zjarrist të Grupit të Korçës, kërkesa e Aliut u pranua, Grupi mblodhi dhe i dha Aliut shpenzimet e nevojshme për këtë udhëtim. Pasi brodhi rreth dy muaj në Greqi dhe rreth katër muaj në Turqi, Ali Kelmendi, ky “i dërguar i Kominternit” nuk mundi të lidhej me Kominternin. Këtu ka dy faktorë të diskutueshëm. Së pari, Partia Komuniste Greke, por edhe ajo jugosllave, të nxitur nga fraksionet e tyre nacionaliste-shoviniste, nuk donin që komunistët shqiptarë të lidheshin drejtpërdrejt me Kominternin, për ta katandisur lëvizjen komuniste shqiptare si një “nënseksion” të partive të tyre, duke përkrahur ato fraksione apo ata individë që kënaqnin orekset e fraksioneve përkatëse të partive të tyre. Duke e kuptuar këtë qëllim keqdashës të fqinjve, Ali Kelmendi hodhi idenë që lëvizja komuniste shqiptare, tani e tutje të mbështetej “në forcat e veta”. Kjo ide e re ishte njëkohësisht edhe një kritikë e tërthortë kundër Kominternit për nënvlerësimin që i bëhej lëvizjes komuniste shqiptare. Këtu Ali Kelmendi na shfaqet si një atdhetar i vërtetë. Së dyti, amullia në lëvizjen komuniste shqiptare nuk mund të mos ndikohej në atë kohë nga grindjet ndërmjet Internacionales III dhe Internacionales IV, domethënë nga lufta e ashpër ndërmjet Stalinit dhe Trockit. Edhe në grupet komuniste shqiptare filluan grindjet ndërmjet stalinistëve të Kominternit dhe trockistëve. Edhe gjatë gjysmëshekullit të mëpasmë në lëvizjen komuniste të mbarë botës, ku zbatohej vija staliniste, çdo kundërshtar, dhe madje çdo i dyshuar si kundërshtar, mallkohej si armik i partisë dhe i popullit dhe etiketohej si “trockist”.

Së bashku me Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Mehmet Shehun, Jusitna Shkupin, Petro Markon, Thimi Gogozotin dhe shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1937- 1938 ka marrë pjesë në organizimin e ndihmave për  popullin  spanjoll që luftonte kundër diktaturës fashiste të Frankos. Asokohe, Ali Kelmendi ishte sëmurë rëndë. Jetonte në Paris, duke pritur  stoikisht vdekjen ende pa i mbushur të dyzetat, pa asnjëri afër.  Vdiq më 11 shkurt të vitit 1939, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi dhe nga pasojat e një jete shumë të rëndë.

Jeta dhe veprimtaria kombëtare e revolucionare e Ali Kelmendit, nuk mund të zbehet, aq më pak trë injorohet  për shkak të bindjeve të tij socialiste e komuniste. Vepra e tij revolucionare  duhet të ndriçohet në bazë të dokumenteve të kohës, meqë Partia Komuniste e Jugosllavisë me qëllim kishte zbehur rolin e tij në Kominternë madje edhe kishte ndikuar që ai të ndiqej nga radhët, pikërisht sepse ai kërkonte lidhje të  drejtpërdrejt me Kominternin, ashtu sikur komunistët nga radhët e  popujve të tjerë. Fatkeqësisht edhe në historinë e Lëvizjes socialiste e komuniste në Shqipëri, nuk iu ka dhënë vendi i merituar Ali Kelemndit, edhe pse idetë dhe qëndrimi i tij konsekuent kombëtar e ideologjik patën ndikim vendimtar në konsolidimin e grupeve komuniste në Shqipëri. Pjesëmarrja e tij në Luftën antifashiste të Spanjës, pikërisht në kohën kur ishte i sëmurë rëndë, shpalos idealizmin e tij internacionalist të pjesëmarrjes në atë luftë edhe të rinisë antifashiste shqiptare edhe të Kosovës, e cila rënkonte nën robërinë po aq fashiste sa ajo e Frankos dhe Hitlerit.  Pjesëmarrja e përbashkët e luftëtarëve  shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia  në luftën e Spanjës, ishte tregues i mjaftueshëmçm se rinia antifashiste shqiptare kishte ideal çlirimin e popujve nga robëria dhe diktatura dhe në atë rrugë edhe çlirimin e  bashkimin e shqiptarëve në një shtet.

Gjaku i derdhur i shqiptarëve në Spanjë kundër fashizmit është një faqe e veçantë e heroizmit, pavarësisht bindjeve e përkatësive të sotme ideologjike partiake. Është po ai gjak i solidarësisë së shqiptarëve që çliruan Egjiptin, Sirinë, Palestinën dhe shumë vise të popujve që mbaheshin në robëri nga Perandoria Osmane. Solidarësia e shqiptarëve me popujt e botës nuk mund të konsiderohet krim, sepse kjo solidarësi, e cila mund të ketë pasur dhe mund të ketë një segment të mercenarizmit, megjithatë i kalon kufijtë e qyqarisë dhe kënaqjes me rezignatën.

Ali Kelmendi dhe ideologët e vërtetë të barazisë, drejtësisë dhe internacionalizmit, nuk janë një e shkuar kot, nuk janë një histori e perënduar sikur mundohen të na bindin pacifistët e zgjebosur, sepse të gjithë popujt e botës kanë nevojë për njëri tjetrin, sidomos kur udhëhiqet një politikë parimore e reciprocitetit. Jo rastësisht shqiptarët janë kombi i vetëm në Evropë, i cili  në mënyrë gati kolektive i ruajti hebrenjtë, në kohën kur jo vetëm fashizmi gjerman po i masakronte e po i zhdukte në masë, por nuk u sollën më mirë as  popujt e  Evropës, të cilët krejt gjakftohtë kishin hequr dorë prej tyre.  ( A, Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …