Ambasadori i ri francez Jean-François Huchet nis detyrën në Kosovë

Ambasadori i ri i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, ka nisur zyrtarisht detyrën në Prishtinë pas dorëzimit të letrave kredenciale te ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Gjatë takimit, Haxhiu ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kontributin e Francës në Kosovë, fillimisht gjatë periudhës së luftës dhe më pas në procesin e shtetndërtimit. Ajo ka theksuar se bashkëpunimi franko-kosovar është zgjeruar në fusha të ndryshme, përfshirë politikën, ekonominë, sigurinë, arsimin dhe kulturën. Huchet është emëruar në këtë pozitë nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe vjen në Kosovë pas një karriere të gjatë në akademi dhe në fushën e arsimit të lartë. Ai ka drejtuar Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Civilizimeve Orientale (Inalco), ndërsa ka qenë edhe profesor universitar dhe nënkryetar i organizatës France Universités. Përvoja e tij përfshin edhe drejtimin e revistës “Perspectives Chinoises”, e fokusuar në studimet për Kinën bashkëkohore. Në postin e ambasadorit në Kosovë, Huchet zëvendëson Olivier Guerot, i cili ka përfunduar mandatin e tij katërvjeçar.

Kontrolloni gjithashtu

Ehat Miftaraj: Ndërrimi i personit nuk e rinis afatin gjashtëmujor për ushtruesin e detyrës së presidentit

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se kufizimi kushtetues …