Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, duke vendosur që deputetët e saj të marrin pjesë dhe të qëndrojnë në sallë gjatë seancës konstituive të Kuvendit. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se vendimi është marrë me synimin për t’i kontribuar përfundimit të procesit të konstituimit dhe rikthimit të funksionalitetit të institucioneve të Kosovës. “Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme që institucionet të kthehen në funksionalitetin e tyre”, ka deklaruar Lushaku. Ajo ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes nuk është diskutuar çështja e Presidentit, duke theksuar se kjo temë aktualisht nuk ka qenë pjesë e diskutimeve të grupit parlamentar. “Çështja e Presidentit nuk është diskutuar sepse nuk është temë”, ka thënë Lushaku. Sipas saj, të gjithë deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm në seancë, duke nënvizuar se grupi parlamentar do të veprojë si një tërësi. “Të gjithë deputetët do të qëndrojmë në seancë, jemi një grup parlamentar”, ka deklaruar ajo. Qëndrimi i LDK-së vjen pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, në të cilën u diskutua për pjesëmarrjen e deputetëve në vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
