Yuri Kim:

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, iu përgjigjet disa deklaratave të ish-kryeministrit, Sali Berisha

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ju kundërpërgjigj disa deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili përsëriti se vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit që i ndalon atij dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara është i bazuar mbi shpifje.

“Qartazi, ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit”, shkruan ambasadorja Yuri Kim duke theksuar se kjo përfshin dhe rastet e parashikuara nga ligji i posaçëm mbi bazë të të cilit Sekretari i Shtetit Antony Blinken mori në maj vendimin që e futi Berishën në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.

Reagimi i ambasadores Kim erdhi nga Uashingtoni ku ajo bëri të ditur se ndodhet “për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”. Pak ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim, duke folur për “rastin Berisha” ishte shprehur se “në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

Pikërisht këtij shpjegimi të saj, i ishte referuar Berishës nga Fieri, në një takim me një grup demokratësh, kur ju drejtua ambasadores se “ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje”, u shpreh zoti Berisha duke përsëritur se “ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje”. Takimi në Fier, ishte ndalesa e dytë i një aksioni në bazën demokrate që zoti Berisha ka ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për ta lënë atë jashtë grupit parlamentar. Gjuha dhe akuzat e Berisha kanë ardhur duke u ashpërsuar, ndërsa qartazi ai po kërkon largimin e zotit Basha nga drejtimi i Partisë.

Kontrolloni gjithashtu

Smajl Latifi: KU ËSHTË UKSHIN HOTI?

25 vjet më parë, ishte hera e fundit që u pa i gjallë veprimtari, kryengritësi, …