David Helvarg: Duke mohuar shkencën e përvojën udhëheqësit e botës po përgatitin terrenin për një numër të madh vdekjesh

Pas Luftës së dyte Botërore, përmes një politikë pajtimi që sot e ndesh shumë rrallë, Amerika e rindërtoi Gjermaninë dhe Italinë sipas Planit Marshall, duke ngritur demokracitë në këto 2 vende nga rrënojat e fashizmit. Rindërtimi i ekosistemeve tona duhet të jetë “Plani Marshall” i këtij shekulli dhe atij të ardhshëm, duke filluar me ngritjen e një Organi Civil të Klimës që është propozuar nga administrata e Biden, senatori Ed Markejk dhe kongresmenia Alekandria Okasio-Kortez, për të mobilizuar energjitë dhe idealizmin në rritje të brezit të sotëm të të rinjve

Si një gazetar që mbulon luftërat, fatkeqësitë dhe mjedisin, unë kam arritur të kuptoj se kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballemi sot, nuk janë vetëm njerëzit e këqij dhe qeveritë që kryejnë vrasje masive; por edhe eliminimi i vazhdueshëm i sistemeve natyrore që e mbështesin jetën në Tokë.

OKB-ja e përkufizon gjenocidin si një veprim të qëllimshëm “për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Por sikur veprimet e disa të kenë për qëllim të ruajnë përfitimet e asaj që deri vonë ishte “kombinati” më i madh industrial në historinë njerëzore?

Nëpërmjet një mohimi të qëllimshëm të shkencës dhe përvojës së gjallë, udhëheqësit botërorë dhe industria e karburanteve fosile, duken gati të përgatitin terrenin për një numër në rritje vdekjesh përgjatë shumë brezave në të ardhmen.

Kjo është e dokumentuar në Indeksin e ri të UNICEF-it mbi Rrezikun e Klimës për Fëmijët . Raportohet se afro 1 miliard fëmijë, gati gjysma e fëmijëve në botë, janë që tani “shumë të rrezikuar” nga ndryshimet klimatike.

Tani që dukuritë ekstreme të motit po fillojnë të shfaqen në të gjithë botën, do të sjellin vdekje dhe zhvendosje, të cilat do të lënë në hije edhe tmerret e Luftës së Dytë Botërore, vetëm se të shtrira në një periudhe shumë më të gjatë kohore.

Me ritmin aktual, ndryshimi i klimës do të vrasë deri në fund të këtij shekulli më shumë njerëz, sesa të gjitha sëmundjet infektive të marra së bashku. Vera e këtij viti, ashtu si vera shumë e nxehtë e vitit 1988, kur Xhejms Hansen i NASA-s e paralajmëroi për herë të parë amerikanët mbi rrezikun e ndryshimit të klimës, po shfaqet si një tjetër katalizator që më në fund mund të nxisë marrjen e disa masave konkrete kundër katastrofës që na pret.

Në mesin e shumë fatkeqësive globale, korriku i këtij viti shënoi muajin më të nxehtë në historinë e regjistruar (2020-a dhe 2016-a ishin vitet më të nxehta). Por këto rekorde do të thyhen shumë shpejt.

Raporti i më i fundit i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, të cilin Sekretari i Përgjithshëm e ka quajtur “një dritë të kuqe alarmi për njerëzimin”, paralajmëron se ne kemi hedhur hapat për rritjen e ngrohjes globale për të paktën 3 dekadat e ardhshme.

Në vitin 2008, ambjentalisti Bill Mekiben dhe disa miq të tij themeluan nismën “350.org”. Ata argumentonin se ne duhet të ruajmë nivelin e dioksidin e karbonit në atmosferë deri në 350 pjesë për 1 milion, në mënyrë që të kemi një planet të shëndetshëm dhe të jetueshëm.

Në vitin 2020, niveli i dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës arriti në 412.5 pjesë për 1 milion, më i larti në të paktën 800 mijë vjet, bazuar në mostrat e bërthamës së akullit të Antarktidës. Në aspektin e zhdukjes aktuale të diktuar nga veprimtaria njerëzore e jetës së bimëve dhe kafshëve në të gjithë planetin, ne nuk kemi përjetuar një shkallë të tillë humbje  në mbi 66 milion vjet, që kur një meteor i shfarosi dinozaurët.

Dhe po flasim për llojet e ndryshimeve globale, që kanë ndodhur 80 deri në 600 herë më herët sesa periudha që identifikojmë me ngritjen e qytetërimit tonë 10 mijë  vjet më parë. Të kuptuarit e kohëve të tilla gjeologjike, është gati i pamundur për llojet  tona jetëshkurtra, prandaj merrni parasysh këtë të fundit.

Shumica e atij ndryshimi kataklizmik ka ndodhur sa hap e mbyll sytë gjatë periudhës së jetës time, një periudhë 70-vjeçare, gjatë së cilës popullsia njerëzore gjithashtu  u rrit  nga më pak se 3 në gati 8 miliardë njerëz.

Që kur mora pjesë në festimet e parë të Ditës të Tokës në vitin 1970, gjysma e kafshëve të egra të mëdha të planetit janë zhdukur, së bashku me gati 1/3 e shpendëve të Amerikës së Veriut. Edhe lakuriqët, bletët dhe pjalmuesit e tjerë, janë aktualisht në një rënie të shpejtë. Një lajm i keq për ta, por edhe për të korrat tona, dhe për bimët e lulëzuara.

Kombet e vogla ishullore, do të jenë të parat që do të zhduken si kultura dhe si njerëz, si rezultat i rritjes së nivelit të detit të nxitur nga karburantet fosile. Pranverën e këtij viti Komisioni i Lartë i OKB-së për Refugjatët, vlerësoi se numri i njerëzve të zhvendosur nga fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike është rritur në  21 milionë në vit brenda 1 dekade.

Mjerisht, ndërsa forcat e tregut po zhvendosen drejt energjisë më të lirë të rinovueshme, qeveria amerikane vazhdon ta trajtojë emergjencën klimatike më shumë si pushtimin e Grenadës në vitin 1983 sesa si Luftën e Dytë Botërore, herën e fundit që Amerika mobilizoi të gjitha burimet e saj njerëzore dhe industriale, për të mposhtur një kërcënim global ekzistencial.

Pas asaj lufte, përmes një politikë pajtimi që sot e ndesh shumë rrallë, SHBA-ja e rindërtoi Gjermaninë dhe Italinë sipas Planit Marshall, duke ngritur demokracitë në këto 2 vende nga rrënojat e fashizmit.

Rindërtimi i ekosistemeve tona duhet të jetë “Plani Marshall” i këtij shekulli dhe atij të ardhshëm, duke filluar me ngritjen e një Organi Civil të Klimës që është propozuar nga administrata e Biden, senatori Ed Markejk dhe kongresmenia Alekandria Okasio-Kortez, për të mobilizuar energjitë dhe idealizmin në rritje të brezit të sotëm të të rinjve.

Por së pari, ne duhet të mposhtim kërcënimin e vazhdueshëm nga oligarkët e karburanteve fosile, menaxherët dhe ndihmësit e tyre, duke përfshirë edhe politikanët në të paktën një nga dy partitë kryesore në SHBA. Djegia e drurit, qymyrit, naftës dhe gazit, mund t’i ketë bërë ata “Carët” e Energjisë në shekujt XIII, XVI, XIX dhe XIX.

Por vazhdimi i përfitimit nga nxjerrja dhe djegia e karbonit, duke ditur atë që dimë tani, përfshirë raportin më të fundit, sipas së cilit 60 për qind e naftës dhe gazit dhe 90 për qind e rezervave të qymyrit duhet të qëndrojnë nën tokë, nëse duam që të kemi ndonjë shans për të jetuar në të ardhmen, nuk i bën ata udhëheqës të “gjenerimit të energjisë”. Përkundrazi, ajo duhet t’i bëjë ata subjekt të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që heton krimet kundër njerëzimit.

Shënim: David Helvarg, është gazetar i çështjeve mjedisore, dhe drejtor ekzekutiv i “Blue Frontier”, një grupim ambjentalistësh për mbrojtjen e oqeaneve. (“The Hill” – Bota.al. )

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …