Brickos

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë vizitoi komunën e Shtimes

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç, me stafin e vet, e shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA, z. Necip Ozay Ozutok, kolonelin e KFOR-it turk z. Cem Shen, me seli në Prizren dhe udhëheqësin e Grupit të LMT ( Grupi për Monitorim i KFOR-it turk, në komunën e Shtimes, z. Yzgur Tashçi ), janë pritur nga kryetari i komunës së Shtimes z. Naim Ismajli.

Në takimin e mbajtur në Zyrën e Kryetarit Ismajli, mori pjesë edhe nënkryetari z. Fatmir Rashiti dhe kryesuesi i Kuvendit, z. Rrahman Jakupi.

Qëllimi i këtij takimi ishte përurimi i Projektit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA, në QKMF, në Shtime, në vlerë 30.000€.

Në pritjen që i bëri kryetari ambasadores turke, e njoftoi atë, në përgjithësi, me komunën e Shtimes. Duke folur për të arriturat, kryetari falënderoi KFOR-in turk, në krye me kolonelin e Grupin LMT, e veçmas falënderoi drejtorin e TIKA-s, z. Necip Ozay Ozutok për ndihmën që i ka ofruar QKMF-së.

Lidhur me këtë, kryetari bëri të ditur se investimi nga Qeveria Turke, përmes TIKA-s është bërë në segmentin më të rëndësishëm, në shëndetësi sepse, sipas tij, pajisjet e dhuruara në vlerë 30.000€ do t’i shërbejnë stafit mjekësor për t’ju ofruar qytetarëve shërbime cilësore. Pastaj njoftoi ambasadoren me bashkëpunimin që ka komuna e Shtimes me disa qytete të Turqisë si dhe me komunat e tjera në Kosovë.

Lidhur me infrastrukturën, kryetari Ismajli tha se atë bazike e kemi përmbyllur, duke shtuar se tash jemi përqendruar në fushën e ambientit dhe gjetjen e donatorëve për investime të reja, në fusha të ndryshme.

Ndërkaq, ambasadorja, znj Kiliç, pasi u njoftua nga kryetari për të arriturat në komunën e Shtimes, tha se kjo është një e arritur e madhe për qytetarët tuaj dhe se kjo tregon nivelin e zhvillimit të një komune e pse jo edhe të një shteti. Keni krijuar atmosferë të mirë për punë prandaj ne ndihemi krenar që sot jemi këtu, tha ajo, duke shtuar se jemi të gatshëm për bashkëpunim të mëtejmë në fushat që ju mund t’i identifikoni me projekte konkrete.

Në fund të takimit u shkëmbyen dhurata ku kryetari z. Naim Ismajli, në shenjë respekti për vizitën e parë të ambasadores në komunën e Shtimes, i dhuroi emblemën e komunës së Shtimes kurse drejtorit të TIKA-s i ndau Falënderimin për projektin e realizuar ( pajisje ) në QKMF. Edhe ambasadorja Kiliç kishte sjellë për kryetarit Ismajli një dhuratë, simbol nga shteti Turk.

Pas takimit në Zyrën e Kryetarit, ambasadorja, e shoqëruar nga kryetari, z. Naim ismajli, nënkryetari, z. Fatmir Rashiti dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, z. Rrahman Jakupi, është pritur në QKMF nga drejtori i DSHMS, z. Musa Baftiu, drejtoresha e QKMF-së, znj. Mirdita Hajdari dhe stafi i QKMF-së ku edhe është bërë përurimi i Projektit të TIKA-s, në vlerë 30.000€.

TIKA, me këtë Projekt-donacion ka pajisur QKMF-në me: analizatorë biokimikë, analizatorë ( numërues ) hematolohjikë, fotometër, EKG-6 kanalshe, komplet, peshore pediatrike, peshore për të rritur, pulsoximetër, otoskop+oftalmoskop(set), rregullator për tuba të oksigjenit, aparat për inhalim, ambu-balona, set për reanimacion ( RKP ), optopi ( për sy ), mantela, uniforma, karrige lëvizëse, turbinë për karrige stomatologjike, mikromotor me kundërkand, heliollampë, kompozite ( SET ), sterilizator etj.

Drejtori i DSHMS, z. Musa Baftiu dhe drejtoresha e QKMF-së, znj. Mirdita Hajdari kanë falenderuar ambasadoren për këtë ndihmë të Qeverisë turke e sidomos drejtorin e TIKA-s, z.  Necip Ozay Ozutok dhe KFOR-in turk për bashkëpunimin dhe realizimin e këtij Projekti.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.P.K

Komuna e Deçanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.PK. “Nënshkruam kontratën me kompaninë …