Ambienti, bujqësia, transiti dhe shtrati i lumit, prioritet i Malishevës për vitin 2017

Në Malishevë, organizuar nga OSBE misioni në Kosovës dhe Drejtoria Komunale, u mbajt një punëtori, lidhur me zhvillimin e buxhetit komunal, për vitin 2017.  Krahas kryetarit dhe qeverisë komunale, në këtë punëtori morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, pastaj anëtarë të Kuvendit të Komunës së Malishevës dhe anëtarë të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, duke folur në këtë punëtori, tha se “është shumë e rëndësishme që konsultimet për buxhetin të mbahen edhe në këtë formë”. “Ne kemi një strategji të hartimit të buxhetit dhe ajo strategji është konsultimi me qytetarë dhe buxheti, përkatësisht investimet kapitale, orientohen sipas nevojave që kanë qytetarët”, tha Begaj, sipas të cilit, ambienti, bujqësia, arsimi, transiti dhe shtrati i lumit, do të jenë prioritete për vitin e ardhshëm.

“Procesi i zhvillimit të buxhetit është shumë i rëndësishëm për komunën, pasi është mjet i rëndësishëm për caktimin e prioriteteve  dhe i planifikimit”, tha Yusuke Hara, zyrtar i OSBE-së.

Më pas, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, e bëri një prezantim të hollësishëm të procesit të hartimit të buxhetit komunal, duke filluar nga qarkorja e  parë buxhetore, pastaj debatet me qytetarë, tryezat apo punëtoritë si kjo e sotmja, e deri në hartimin final të projekt buxhetit. “Këtë vit, kemi arritur që kërkesat e dy sektorëve ti fusim si kode buxhetore, atë për çështje gjinore dhe për rini”, tha Krasniqi, ndërsa sipas tij, buxheti për vitin 2017 do të jetë  12.866.848,00 euro, i ndarë në pesë kategori buxhetore, kurse për investime kapitale, do të jenë rreth katër milion. Po ashtu Krasniqi, bëri të ditur, se Malishevës, buxheti i ndahet për 54 613 banorë.

Më pas edhe drejtorët e drejtorive veç e veç, e kanë bërë prezantimin e drejtorive të tyre dhe prioriteteve për vitin 2017, kurse në fund pjesëmarrësit në këtë punëtori i kanë dhënë opinionet e tyre për buxhetin, si përfaqësues te kuvendit, ashtu edhe përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare në Malishevë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …