Presidenti i Këshilli Evropian, António Costa, ka paralajmëruar nisjen e turit të tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përcjellë një mesazh të qartë se perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet më aktuale se kurrë. Costa theksoi se angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj rajonit është i fortë dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një mundësi reale për të avancuar drejt anëtarësimit. “Këtë javë do të vizitoj gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real dhe po ashtu reale është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është këtu. Tani është koha për të dhënë rezultate”, ka shkruar Costa. Vizita e tij në Tiranë më 2 qershor vjen në një periudhë vendimtare për Shqipëri, e cila po kalon fazën më intensive të procesit të integrimit evropian. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat në vitin 2014 dhe nisjes zyrtare të negociatave në vitin 2022, Shqipëria ka shënuar progres të konsiderueshëm në hapjen e grupkapitujve negociues. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Costa pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, si dhe me studentë të Kolegjit të Europës. Për Shqipërinë, kjo vizitë konsiderohet një sinjal i rëndësishëm politik nga Brukseli, në një kohë kur vendi synon të përmbyllë negociatat dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
