Arban Bislimi: Urime Dita e Gruas të gjitha grave dhe vajzave Shqiptare!

Arban Bislimi: Urime Dita e Gruas të gjitha grave dhe vajzave Shqiptare!

Urime Dita e Gruas të gjitha grave dhe vajzave Shqiptare! Uroj secilës nga juve lumturi, shëndet, mirëqenie dhe mbarëvajtje në studime, në punë, në shtëpi, në familje. Përgëzoj edhe gratë e lagjes që sot mbajtën në shtëpinë e kulturës në Vërban një tubim shumë të dinjitetshëm për të shënuar këtë datë. Rilindësit Shqiptar, ndër të cilët Sami Frashëri, kanë qenë ndër iluministët evropian më përparimtar dhe më të zëshëm për të drejtat e grave qysh në shekullin XIX-të duke argumentuar dhe pasur në projektin politikë dhe shoqëror Kombëtar të Rilindjes që mund të konsiderohet vepra e Samiut “Shqipëria çfarë ka qenë, çfarë është dhe çfarë do të bëhet”: të drejtën për arsimim falas të djemve dhe vajzave, të drejtën e gruas për pjesëmarrje në jetën shoqërore, në punët Shtetërore, etj. Shteti i parë Evropian që ka aplikuar të drejtën e grave për të votuar nuk është Zvicra (1971), nuk është Franca (1945) por Turqia e Shqiptarit Kemal Ataturkut, Shteti i të cilit mbështetej thuajse tërësisht në ideologjinë e një Shemsedin (Sami) Frashëri, në vitin 1929.

Përtej të drejtës së votës, arsimimit, etj, lëvizja feministe qysh në zanafillën e saj lidhet me çështjen e kundërshtimit të shfrytëzimit të paskrupullt të grave dhe punëtorëve në raportet e punës. Lindur si iniciativë e Internacionales socialiste, ajo bëhet edhe festë komemorative e flijimit të 148 punëtoreve të tekstilit që humbën jetën të djegura për së gjalluari në vendin e punës në New York ku padronët kishin kyçur dyert mizorisht. Ende sot me miliona gra punojnë anekënd botës në kushte të një mizorie të tillë në vendet në zhvillim për të mbajtur familjet. Ende sot, gratë paguhen në çdo vend demokratik dhe të zhvilluar më pak se burrat për punën e njëjtë. Këtu është thelbi dhe vendi i betejës për të drejtat e grave. Feministëve të vërteta ashtu si dhe demokratëve të vërtetë që kërkojnë përtej raporteve të sferës familjare një demokraci në raportet e punës, në organizimin e raporteve të punës, ndarjen e pasurive dhe pronës në shoqërinë njerëzore si tërësi; u uroj punë të palodhshme në betejën e tyre të vështirë.

Feminizmi as në gjenealogji nuk ka qenë as nuk kufizohet sot si një betejë ndërmjet gruas dhe prindit, as një betejë ndërmjet gruas dhe burrit a vëllezërve siç mundohen ta banalizojnë sot disa rrogëtar e “ngjyes” (zhvatës fondesh) të OJQ-ve. Arsimimi, emancipimi, pjesëmarrja në punë, në hapësirën dhe debatin publik, pjesëmarrja në vendimmarrje e barabartë e gruas në shoqëri ka qenë qysh në zanafillën e Rilindjes shqetësim dhe mjet vendimtar i emancipimit Kombëtar, çështje përcaktuese e ekzistencës dhe mbijetesës së Kombit dhe shoqërisë. Të drejtat dhe emancipimi i gruas ka qenë dhe është, veçanërisht për një Komb të vogël siç është i yni, çelësi i të ardhmes, mbijetesës dhe begatisë së Kombit.

Pa pjesëmarrjen e grave nuk është zhvilluar asnjë luftë në trojet Shqiptare asnjëherë, pa pjesëmarrjen e grave nuk është zhvilluar asnjë lëvizje politike, pa pjesëmarrjen e grave nuk ka funksionuar asnjë ndërmarrje ekonomike, pa pjesëmarrjen e grave nuk është ngritur asnjë shtëpi dhe kulturë familjare fisnike. Por, është bota materiale e një shoqërie dhe raportet e punës që e karakterizojnë që dikton jetën dhe vetëdijen e një familje dhe individëve që e përbëjnë. Prandaj le të festojmë të arriturat e grave Shqiptare që nuk janë tjera prej arritjeve të burrave dhe te Kombit Shqiptar. Shqiptarët edhe atëherë kur jeta e tyre materiale ishte e mjerueshme nuk kanë hezituar të shkollojnë, të përkrahin, të avancojnë, të nderojnë, të krenohen me të arriturat e grave dhe bijave të tyre për t’u bërë anëtare dhe përfaqësuese të denja dhe të rëndësishme të shoqërisë. Uroj të festojmë tutje të arritura edhe më të mëdha për vajzat dhe djemtë tanë. Urime!

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …