Fakti që Gjykata Speciale zgjodhi të vijë në Prishtinë, madje në një gjimnaz si “Sami Frashëri”, për të ligjëruar nxënësit për mandatin e saj dhe proceset ndaj krerëve të UÇK-së, nuk është një veprim neutral edukativ, është akt politik, simbolik dhe narrativ. Është përpjekje për të normalizuar një version të njëanshëm të historisë, ku lufta çlirimtare relativizohet dhe udhëheqësit e saj paraqiten si problem juridik, jo si themel i lirisë së këtij shteti.
Por po aq i rëndë sa ky veprim i Hagës është dështimi i Republikës së Kosovës. Sepse kjo situatë nuk ra nga qielli. Për pesë vite me radhë, sistemi ynë arsimor, Ministria e Arsimit, DKA-të, komunale dhe vetë mësimdhënësit, kanë heshtur. Nuk kanë ndërtuar asnjë kurrikulë serioze, asnjë orë tematike të strukturuar, asnjë program institucional që t’u flasë nxënësve për të vërtetën historike të UÇK-së, për karakterin çlirimtar të luftës, për kontekstin e gjenocidit serb dhe për arsyen pse kjo ushtri lindi.
Në këtë boshllëk institucional hyri Haga.
Kur shteti nuk flet, të tjerët flasin në vend të tij.
Kur arsimi nuk edukon, narrativa importohet.
Kur institucionet heshtin, drejtësia selektive merr formë “pedagogjike”.
Gjykata Speciale nuk është thjesht një trup gjyqësor, ajo është produkt i një kompromisi politik të imponuar mbi një shtet të dobët, që pranoi një mekanizëm jashtëzakonisht të njëanshëm, ku vetëm shqiptarët gjykohen, ndërsa krimet masive të Serbisë mbesin kryesisht të pandëshkuara. Tani e njëjta gjykatë po tenton të hyjë në mendjen e brezit të ri, përpara se ky brez të ketë marrë nga shteti i vet versionin e plotë të historisë.
Kjo është e rrezikshme.
Sepse nuk po flasim për debat akademik, por për ndërtim narrative: kush ishte agresori, kush ishte viktima, kush ishte çlirimtar dhe kush kriminel. Nëse këtë narrativë nuk e ndërton Republika e Kosovës me dinjitet, e ndërton dikush tjetër, dhe zakonisht jo në favorin tonë.
Por përgjegjësia nuk mbaron te Haga. Përgjegjësia kryesore është e jona.
Shteti ynë ka zgjedhur komoditetin politik në vend të mbrojtjes institucionale të historisë. Ka zgjedhur të vetëkënaqet me statuse në Facebook, me deklarata të vakëta, me patriotizëm ceremonial, në vend që të ndërtojë mekanizma realë edukimi, mbrojtjeje juridike dhe diplomacie aktive për krerët e UÇK-së, dhe për narrativën e luftës sonë çlirimtare.
Ndërkohë, familje që kanë të dashurit e tyre në Hagë, për ta kjo nuk është teori, nuk është ligjëratë, nuk është debat, është jetë e përditshme, dhimbje, pritje, padrejtësi konkrete. Dhe shteti që duhej t’i mbronte, i ka lënë “në mëshirë të fatit”, më shumë si barrë politike sesa si obligim kombëtar.
Kjo ligjëratë në një gjimnaz nuk është incident i izoluar. Është test. Test për të parë sa rezistencë ka shoqëria jonë. Test për sa reagon shteti. Test për sa e kemi seriozisht mbrojtjen e së vërtetës sonë historike. Dhe deri tani, rezultati është i zymtë.
Sepse reagimi erdhi vetëm pasi dëmi u bë. Vetëm pasi narrativa hyri në klasë. Vetëm pasi simbolika u konsumua. Dhe kur reagimi vjen pas faktit, ai është më shumë alibi morale sesa zgjidhje reale.
Në fund, mbetet një pyetje që nuk është thjesht retorike, por thelbësore për dinjitetin e këtij shteti: A do të vazhdojmë të zgjohemi vetëm pasi na ndodh padrejtësia, apo më në fund do të veprojmë para se dëmi të bëhet i pakthyeshëm?
Sepse nëse vazhdojmë kështu, rreziku nuk është vetëm për krerët e UÇK-së në Hagë.
Rreziku është që brezi i ri i Kosovës të rritet me një histori të deformuar, ku çlirimi relativizohet, viktima barazohet me agresorin dhe liria paraqitet si problem juridik.
Dhe atëherë do të jetë vërtet shumë vonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
