Arbanë Q. Gashi: Intervistë me Merjeme Asllanin, bijë e dëshmorit të Kombit, Halit Asllani

Arbanë Q. Gashi: Intervistë me Merjeme Asllanin, bijë e dëshmorit të Kombit, Halit Asllani

Pas organizimit të luftës çlirimtare në zonën e Dukagjinit, në pranverë të vitit 1998, zjarri i luftës u përhap me shpejtësi të madhe edhe në Rekë të Keqe. Fundi i prillit e gjeti atë në luftë çlirimtare. Meqenëse ndodheshin në brezin pranë kufirit që simbolizonte ndarjen e dhunshme të Kosovës nga pjesa tjetër e Shqipërisë natyrale, forcat serbe i mbanin fshatrat e Rekës së Keqe nën shënjestër të sulmeve të vazhdueshme… Halit Asllani ishte njëri prej të parëve që iu përgjigj kushtrimit të lirisë dhe u angazhua në formimin e pikës ushtarake të fshatit, duke dhënë shembullin personal të mobilizimit për një kauzë të përbashkët. Ky akt ndikoi që shembullin e tij ta ndjekin dhjetëra bashkëfshatarë të tjerë, duke i bashkuar forcat e armët nën emblemën e UÇK -së…

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Merjeme Asllani, bijë e dëshmorit të Kombit, Halit Asllani

Merjeme Asllani: Mirë se ju gjej dhe faleminderit për kohen.

 

RKL: Për dëgjuesit e tanë çka mund të veçoni nga aktiviteti i Babit Tuaj?

Merjeme Asllani: Ndonëse kam qenë e vogël në moshë por mjaftueshëm e rritur sa për të mbajtur mend disa aktivitete dhe ngjarje të cilat kanë ndodhur gjatë viteve 1998-1999, kujtime këto që ende janë të freskëta në mendjen time e që më janë bërë shumë më të qarta dhe kuptimplota me kalimin e kohës dhe zhvillimin tim personal e intelektual. Veprimtaria e Babit nuk daton vetëm prej rënies heroike të Majit 98, por qysh në moshë të hershme deri në flijimin e tij për Atdhe.

Aktivitetet dhe angazhimet për çështjen kombëtare dhe lirinë e vendit kanë filluar dhe marr formë organizative prej kohës së studimeve përmes realizimit të aktiviteteve të shumta kundër regjimit Serbo sllav prej lindjes së idealit KOSOVA REPUBLIKE deri në betejën e lavdishme dhe heroike të 29 majit 1998. Babi ka qenë plotësisht i vetëdijshëm që gjërat vetëm sa përkeqësoheshin dhe duhej të ishte i gatshëm për çdo gjë. Duke qenë që Reka e Keqe-Brovina dhe e gjithë zona kufitare në përgjithësi, ashtu siç edhe ju e përmendët ishte i synuar nga regjimi sllav dhe rreziku që kjo pjesë të vendosej nën kontroll të rreptë nga forcat serbe ishte shumë i madh ashtu siç edhe ndodhi më vonë. Në pranverën e hershme të 98-s forcat paramilitare dhe ushtarake serbe ia kishin mësyrë zonës kufitare të Dukagjinit, fshatrave të Rekës së Keqe të Gjakovës dhe në anën tjetër nga Deçani për në Junik.

Kështu synohej të vendosej nën kontroll kjo pjesë strategjike nga rexhimi i asaj kohe. Vendosja e forcave serbe në fshatin Ponoshec rezultoi me ofensivat e para të 3 majit 1998. Mobilizimi ishte bërë në të gjithë zonën po ashtu edhe në Brovinë. Meqenëse regjimi nuk kursente pleq, gra dhe fëmije nga masakra makaber në Prekazin e Jasharajve, familjen tonë Babi e zhvendosë në Junik në shtëpinë e dajve, Ukë dhe Qamil Qestaj, zonë pak më e sigurt në atë kohë. Ndërsa Babi qëndroi në Brovinë duke thelluar mobilizimin e vazhdueshëm për t’iu kundërvënë edhe më ashpër armikut. Situatë e tensionuar ka vazhduar deri më 29 Maj 1998 ku vazhdimisht tentohej të pushtohej dhe të vihej nën kontroll e gjithë zona e kufirit shqiptaro-shqiptarë, sepse në këtë formë bllokohej një ndër korridoret më të rëndësishme të furnizimit të UCK-së me armatim dhe logjistike nga Shqipëria. Në orët e hershme të mëngjesit fillojnë bombardimet nga të gjitha anët me artileritë më të rënda dhe më të sofistikuara të cilat i posedonin forcat kriminele në atë kohë. Mëngjesi i hershëm i asaj dite të Premte Maji, Babin e kishte gjetur të gatshëm sepse ishte në vëzhgim dhe roje gjatë natës. Duke e parë që këto forca nuk kishin të ndalur Babi hyn në tërë fshatin, shtëpi më shtëpi dhe fillimisht bënë largimin e banorëve që ende kishin mbetur, kryesisht të moshuar, më pastaj për tu kthyer në front. Armatimi të cilin posedonte Babi ishte gjysmë-mitraloz, minahedhës, kallashnikov që nuk e largonte nga vetja asnjëherë dhe disa bomba dore. Hiq më shumë nuk kishin as shokët që ishin me të. Ndonëse me armatim shumë të pakët, sepse në ato momente të betejës ishin të pa disponueshme për Babin, ngaqë ato ishin të bllokuara në xhaminë e fshatit, çelësin e të cilës, bashkë me radiolidhje e kishin marrë me vete bashkëfshatarët, gjë që pamundësuan komunikimin me ushtarë të tjerë të UÇK-së për t’iu ardhë në ndihmë.

Sidoqoftë me një guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme Babi vazhdon luftimet ballë për ballë, kundër një artilerie të tërë tanke e autoblindash të cilat iu kishin vërsulur Brovinës. Me qëllim që të dërgon sinjal tek armiku që po ballafaqoheshin me shume luftëtarë të UCK-së , Babi përgjatë luftimeve ndërron pozicionet dhe gjuan nga vende të ndryshme, duke kursyer në maksimum municionin e pakët që i kishte mbetur. Ndërkohë, plagoset disa herë gjatë këtyre lëvizjeve, por asnjëherë nuk ndalon së luftuari derisa flijohet për Atdhe. Pasi që i gjithë armatimi kishte mbaruar Babi nuk ndalon pa e zbrazur edhe predhën e fundit në drejtim të tankeve dhe autoblindave të ushtrisë serbe. Këmbëngulja e tij që të zmbrapsë armikun medoemos e bën atë që të ngrihet në këmbë, dhe ballë përballë me tankun e armikut jo më larg se 100 metra, shkrepë murtajën e fundit me të cilën e shkatërron edhe një tank, dhe njëkohësisht plagoset rendë nga artileria e predhave dhe tankseve. Shokët të cilët ishin më të: Axha Ramiz Asllani shokët Florim Sadriu, Ali Jaha, Zenel Asllanin nën breshëri plumbash e granatimesh e zhvendosin Babin për në fshatin Nivokaz, ku pas disa minutave ndërron jetë, duke lënë lavdinë dhe amanetin që të vazhdohet lufta për çlirimin e Kosovës.

 

RKL: Rënia dëshmorë e Halit Asllani ishte humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për UÇK-në, por edhe për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Merjeme Asllani: Humbja është shumë e madhe dhe mungesa sa vjen e rritet çdo ditë për të. Mirëpo qëllimi për të cilin janë flijuar Babi dhe shumë dëshmorë të tjerë tejkalon dhe dhimbjet më të papërballueshme. Rënia e Babit në luftimet e para të zhvilluara në pjesën e Dukagjinit, në Reken e Keqe ka qenë humbje e madhe për luftën e UÇK-së, sepse jam e bindur që po të ishte ai gjallë bashkë me shokët që kishte në atë kohë dhe të tjerë që do të mund të bashkoheshin, Reka e Keqe nuk do të binte aq lehtë në duar të armikut ashtu siç ra menjëherë pas vdekjes së tij.

Pas lufte, në atë kohë, çdo ish-pjesëtarë i UÇK-së ka qenë miku më i mirë dhe më i çmuari për ne. Secili ka pasqyruar një pjesë të asaj me të cilën simbolizohej lufta dhe veprimtaria e Babit. Ndonëse këtë nuk mund ta them dhe tani, por për vitet e hershme të pasluftës ishte një lloj ngushëllimi. Meqenëse kemi qenë shumë të vegjël, një pjesë të shoqërisë së Babit i kemi njohur më vonë dhe ende vazhdojmë të takojmë shokë të cilët e kanë njohur dhe kanë bashkëvepruar për çështjen kombëtare dhe lirinë e këtij vendi. Normalisht mbajmë kontakte me ata që i kemi më afër sepse disa prej tyre jetojnë dhe veprojnë jashtë Kosovës, por ruajmë një respekt dhe konsideratë të veçantë për të gjithë për shokët e betejës. Gjithashtu, dua të veçojë një ndër shokët e ilegales, Mujë Prekupi i burgosur politik atëkohë, i cili pas lirimit na ka vizituar dhe është interesuar në vazhdimësi për familjen tonë dhe që atëherë mbajmë kontakte me të.

 

RKL: Ku jeni sot Ju bijat e bijtë e dëshmorit Halit Asllani, a studioni, a punoni?

Merjeme Asllani: Ne jemi 5 fëmijë, tri motra dhe dy vëllezër. Si çdo fëmijë tjetër i dëshmorëve edhe ne nuk e kemi pasur aspak të lehtë vetëm me një prind, dhe shpesh jeta ka qenë e vrazhdë dhe e pamëshirshme. Sidoqoftë, të gjitha këto janë tejkaluar falë përkushtimit e kujdesit të jashtëzakonshëm të Nënës tonë, e cila është Heroinë e kohës së paqes, sepse përkundër vështirësive me të cilat është përballur në vazhdimësi, na ka edukuar, shkolluar, dhe përgatitur për jetën në formën më të mirë të mundshme, dhe me vlerat më të mirëfillta shqiptare. Ne kemi jetuar në Brovinë deri në vitin 2006, pastaj jemi zhvendosur në Prishtinë, ku kemi vazhduar shkollimet.

Për shkak të situatës jo të mirë sociale dhe ekonomike, dhe duke e parë që nuk po mund të bëjmë asgjë këtu përkundër shkollimeve, disa prej neve jemi shpërngulur nga Kosova. Dhe kjo me shpresë që një ditë të kthehemi dhe të mund të kontribojmë njohuritë dhe përvojën e përfituar jashtë në zhvillim të vendit tonë!

Ne jemi shkolluar dhe kemi përfunduar studime në disa fusha. Unë kam përfunduar studimet në Shkenca Politike dhe Administratë Publike, Master për Menaxhment dhe gjithashtu kam përfunduar Kursin e Lartë të nivelit ushtarak për Siguri dhe Mbrojtje në Tiranë. Profesionalisht jam e orientuar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtës. Intensivisht jam angazhuar në projekte, punëtori, takime dhe konferenca të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Momentalisht jam e angazhuar në fondacionin gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung.

Motra e dytë, Mirlinda, jeton dhe punon në Amerikë. Ka studiuar në Kosovë për Menaxhment dhe Informatikë. Ne Amerikë ka diplomuar për Administrim Biznesi me sukses të lartë dhe si studente e dalluar, njëkohësisht është duke vazhduar studime të tjera për Biznes dhe Marketing Ndërkombëtarë në “Pace University” në New York. Merita, motra e vogël punon si arkitekte në një Korporatë në New York, e cila merret me dizajnimin e lokaleve të brendeve më prestigjioze si: Gucci, Louis Vuitton, Prada, YSL, Tom Ford, Balenciaga etj.

Vëllai i madh Besniku, shtylla e familjes tone, të cilin të gjithë e veçojnë për karakter të fortë, guxim, vendosmëri, e besnikëri, njëkohësisht edhe rol model për vëllaun e vogël momentalisht është pronarë dhe menaxhues i biznesit tonë familjarë.

Ndërsa vëllai i vogël që mban me shumë krenari emrin e Babit, Haliti, ka përfunduar vitin e kaluar gjimnazin, dhe duke pasur një dëshirë të flaktë që të ndjekë hapat e Babit e të ndjejë uniformen që dikur ai e ka mbajtur me gjithë angazhimin që vjen me të, deshi të bëhej kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës andaj dhe aplikojë, mirëpo nuk u pranua. Duke mos shkuar në detaje, sepse të gjithë e dimë si funksionojnë gjërat në shoqërinë tonë, dhe sa vihet në konsideratë dituria apo të jesh djalë dëshmori, unë personalisht nuk e kam lejuar që të aplikojë prapë, sepse nuk dua të zhgënjehet por të ruaj një kujtim sado pak të mirë për uniformen dhe qëllimin për të cilin ekziston FSK-ja. Si pasojë e kësaj me qëllim për të marr një arsimim të mirëfilltë vëllai, Haliti është përgatitur dhe do të fillojë studimet në Gjermani.

 

RKL: E nderuara Mejreme, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?

Merjeme Asllani: Realisht, të gjitha qeveritë e pasluftës kanë qenë pothuajse të njëjta sa i përket trajtimit nga ana e tyre, ose të mostrajtimit fare të familjeve të dëshmorëve, me përjashtime specifike. Unë jam bijë dëshmori, por asnjëherë se kam menduar Babin që më takon ose na takon vetëm neve por çdo here si person veprimtaria dhe flijimi i të cilit i takon të gjithëve, kësaj shoqërie që frymon e jeton në tokën për të cilën kanë derdhur gjak, që të gjithë ne të gjallët të jetojmë ditë më të mira. Qeveritë tona asnjëherë nuk kanë qenë aq të afta sa të bëjnë këtë dallim. Pra, funksionet shtetërore dhe ardhja në pushtet në Kosovë është marr më së shumti si mundësi e përfitimeve e pasurimeve personale e klanore brenda natës, zhvatje e interesit publik e kombëtarë dhe si e tillë nuk lë hapësirë për të pasur kujdes të shtuar për çështje të tjera më të rëndësishme; si trajtimin e mirëfilltë të familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të luftës apo ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë. Sepse deshe apo jo, ne jemi trashëgimia më e çmuar e historisë më të re të Kosovës. Si të tillë duhet pasur edhe trajtim specifik dinjitoz. Jo që të veçohemi nga shoqëria, absolutisht jo, por të paktën të ndjehemi që i përkasim këtij vendi.

 

RKL: Po nga OVL e UCK, dhe nga Presidenca po shpalljen e tituj e grada për dëshmorët, ata po selektohen kush dëshmor e martir e dikush hero, cili është komenti i Juaj?

 Merjeme Asllani: OVL e UÇK-së kanë qenë shtylla ose institucioni më i rëndësishëm që është dashur e duhet të trajtojë këto kategori siç e meritojnë, por nuk e kanë bërë dhe puna e tyre nuk ndryshon shumë prej qeverive sepse nuk kanë arritur të veprojnë të pavarur nga ta. Normalisht që ka përjashtime sepse dhe brenda tyre ka njerëz të pakënaqur me këtë situatë por që nuk kanë kompetenca për të ndryshuar diçka, dhe në fakt nuk i dëgjon askush. Realiteti jonë i hidhur është që dëshmorët dhe emrat e tyre janë bërë lloj biznesi, promovimi dhe përmendje për fitim të votave vetëm në kohë zgjedhjesh. Çdo gjë është kthyer në përfitim dhe madje dhe gradat, mirënjohjet dhe titujt për dëshmorë jepen në të shumtën e rasteve për shkak të një interesi paraprak të dikujt. Nuk mund të nderohet një dëshmorë dhe dëshmori tjetër të mos përmendet kurrë. Lufta dhe flijimi i tyre nuk ka pasur dallime. Qëllimi për të cilin kanë rënë ka qenë i njëjtë dhe është turp që kjo mundohet të ndryshohet nga funksionarët tanë. Prandaj dhe e kemi një situatë të tillë kaotike dhe të pa qartësuar të kategorive të luftës. Fokusimi i tyre siç shihet ka qenë që të rrisin numrin e veteranëve dhe jo kot i kemi mbi 60.000 veteranë të UÇK-së! Dmth jo pa shkas jemi në një situatë të atillë që secili kërkon kompensimin për hisen e vetë të ‘kontributit’ në luftë dhe kjo është absurde sepse i bie që luftën e paskemi bërë si me qenë mercenarë, dhe tash për çdo gjë duhet bërë kompensimi material.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Merjeme Asllani: Në ligjet për kategoritë e luftës – për familjet e dëshmorëve janë të cekura disa të drejta dhe beneficione të cilat qëndrojnë vetëm të shkruara dhe realiteti është krejtësisht ndryshe. Përjashtim të pensionit që merret për dëshmorë dhe lirimet nga shpenzimet e semestrit në fakultet, për disa nga ne,  sepse jo të gjithë kemi vazhduar shkollimet këtu, nuk kemi pasur absolutisht asnjë mbështetje tjetër. Ka vite të tëra që jetojmë me qira dhe përkundër interesimit tonë tek institucionet përkatëse përfshirë dhe OVL-të e UÇK-së, nuk kemi marrë asnjë ndihmë konkrete për zgjidhje të çështjes së banimit. Sidoqoftë të gjitha këto mund t’i konsiderojmë si forma të mbështetjes në aspektin material, sado që janë të nevojshme nga njëra anë dhe nga ana tjetër, qe nuk janë më të rëndësishme sesa interesimi i qeverise për gjendjen tonë, mbështetja morale përmes vizitave të ndryshme dhe realizimi i amaneteve të dëshmorëve për një Kosovë ku jetohet me dinjitet.

 

RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

Merjeme Asllani: Dëshmorët luftën e flijimin e bënë bashkë sepse edhe qëllimi dhe idealet ishin të përbashkëta dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Dallimi tani është që të gjallët e sidomos ata që kanë qenë pjesë e luftës në një formë apo tjetër (sepse kritikat tona më të mëdha janë drejtuar atyre), qëllimet e paqes për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë e dinjitoz nuk i kanë të përbashkëta por për përfitime personale, prandaj dhe bëjnë dallime e ndarje të tilla duke ulur e njollosur dhe vet vlerën e luftës së UÇK-së. Patjetër që ne si familje të dëshmorëve duhet të reagojmë, por duhet ta keni parasysh që një zë nuk mund të bëjë diferencën kundër zërit të tyre.

Jo pa qëllim jepen grada e mirënjohje dhe tituj të caktuar për dëshmorë, në këtë formë edhe është zbehur dhe zëri kundërshtues ndaj parregullsive dhe trajtimeve jo të barabarta që vazhdojnë të bëhen.

Fakt tjetër është që nuk ka qenë në interes të kësaj klase politike që të tregojë kujdes të shtuar për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, dhe nuk ka investuar aspak për fëmijët e dëshmorëve që ti mbajë afër e t’i përgatisë, dhe të ju mundësojë të kontribojnë në ndërtimin e shtetit të Kosovës në paqe, ashtu sikur kontribuan prindërit tanë në luftë. Prandaj, jo pa shkas, nëse pyet e shikon se ku janë sot fëmijët e dëshmorëve, do të gjesh që shumica prej tyre ose janë martuar, kanë ikur jashtë vendit, punojnë e kontribuojnë diku tjetër, e një pjesë e vogël ka mbetur në Kosovë. Është e dhimbshme të shikosh sesi çdo ditë shkelet amaneti i dëshmorëve në format më të ndryshme dhe nuk ke mundësi për të bërë asgjë, prandaj dhe në të shumtën e rasteve pa dashje dhe kundër vullnetit të brendshëm shpirtërorë merren rrugët e lartë përmendura.

 

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Merjeme Asllani: Absolutisht jo, në mos me thënë shumë pak ose hiq! Në traditën tonë shqiptare kur dikush len diçka amanet ajo patjetër duhet jetësuar, përndryshe pason ‘mallkimi’ i mos përmbushjes së saj. Gjendja jonë aktuale si shtet e shoqëri që lenë shumë për të dëshiruar është pasojë e mos përmbushjes dhe mos përfilljes së amaneteve të dëshmorëve e gjeneratave të tëra të flijuara ndër vite në histori. Historia që harrohet është e paraprirë të përsëritet dhe një gjë e tillë nuk duam të ndodhë. Përderisa nuk kthehemi tek kuptueshmëria e amanetit të dëshmorëve dhe përfillja e përmbushja e tyre, nuk do të kemi as një zhvillim sikur duam e as ndërtim të shtetit tonë për gjeneratat e tashme dhe aq më pak për gjeneratat e ardhshme.

 

RKL: E nderuar Mejreme, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistavenë Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!

Merjeme Asllani: Ndihem e nderuar që pata mundësinë të bëhem pjesë e RKL. Ju faleminderit juve që për të mbajtur gjallë valët e vetme që ishin shpresë e kurajo gjatë luftës e kujtim në nderim të historisë sonë më të re, përkundër të gjitha vështirësive me të cilat përballeni çdo ditë, vazhdoni ende të punoni me përkushtim e entuziazëm të njëjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …