leoni

Arben Bajram Ahmetaj (18.1.1970 – 13.8.1998)

Arben Bajram Ahmetaj (18.1.1970 – 13.8.1998)

Dëshmori Arben Ahmetaj u lind më 18 janar të vitit 1970, në një familje atdhedashëse të fshatit Gllogjan të Deçanit. Kjo familje, edhe përkundër shtypjes së egër nga regjimi serb, edhe përkundër torturave e keqtrajtimeve që iu bënë anëtarëve të saj, sidomos gjatë aksionit famëkeq në emër të mbledhjes së armëve, në dimrin e vitit 1956, nuk u gjunjëzua asnjëherë. Xhxhai i dëshmorit, Dinë Ahmetaj, ishte pjesë e Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar, organizatë e formuar në vitin 1979 nga Jusuf Gërvalla me bashkëveprimtarë. Ai ishte anëtar i Komitetit të Vendit të kësa organiyate në Deçan, që udhëhiqej nga mësuesi atdhetar Ismajl Haradinaj. Siç dihet, qendër e kësaj organizate ishte Gllogjani, prej ku shumë shpejt u shtri edhe në vende të tjera të Kosovës. Anëtarët e këtij grupi ilegal u zbuluan pas demonstratave të vitit 1981, me ç’rast Dinë Ahmetaj u dënua me tre vjet burg politik.
Arbeni shkollën fillore e kreu në Irzniq. Ndërsa shkollën e mesme nuk arriti ta kryejë për shkak të rrethanave të kohës. Edhe pse në kushte të vështira ekonomike, prindërit Bajram dhe Nepe Ahmetaj, rritën tetë fëmijët e tyre, të cilët edhe i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare.
Dëshmori Arben Ahmetaj apo Arben Lami, siç e thërrisnin shokët e bashkëluftëtarët, asnjëherë nuk hezitoi që t’i dalë në ndihmë vendit dhe popullit të vet. Në protestat dhe demonstratat e viteve 1989/1990 e më pas, gjithnjë ishte pjesë aktive e tyre, madje shpesh herë provoi në kurriz dhunën e egër të policisë serbe. Me rastin e protestave më 1 tetor 1997 në Pejë, Arbeni u keqtrajtua rëndë nga policia serbe.
Arbeni si shumë shokë të gjeneratës së tij, ishte i përndjekur nga regjimi, pas refuzimit për të kryer shërbimin ushtarak në armatën vrastare jugosllave. Për këtë arsye një kohë bëri jetë gjysmilegale, për t’i shërbyer më vonë denjësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dashurinë për atdheun dhe lirinë e shumëpritur e dëshmoi denjësisht me veprimtarinë dhe luftën që zhvilloi për çlirimin e Kosovës, duke i kurorëzuar me rënien e lavdishme në Altarin e Atdheut.
Ndonëse kontaktet e para me UÇK-në i kishte që nga janari i vitit 1998, në radhët e saj u radhit menjëherë pas betejës së 24 marsit 1998 në Gllogjan.
Pasi kreu stërvitjet ushtarake, nën drejtimin e eprorit Ajet Potera në qendrën stërvitore në objektin e shkollës fillore të Gllogjanit, Arbeni vijoi të qëndrojë në vijat e para të frontit, kudo që e kërkoi nevoja.
Ai gjatë tërë kohës u tregua luftëtar i zellshëm, i rregullt, i zoti e mbi të gjitha i gatshëm për çdo sakrificë. Tregoi zotësi sidomos në përdorimin e mitralozit kundërajrorë. Për këtë arsye emërohet komandant i Njësitit Kundërajror të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit me seli në Gllogjan. Mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat e zhvilluara në zonën e Rrafshit të Dukagjinit, pëkatësisht në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Do veçuar kontributi i tij gjatë luftimeve të zhvilluara në fshatin Prejlep kundër forcave të armikut që tentonin të bënin zhbllokimin e rrugës magjistrale Gjakovë – Deçan, ku u përdorën edhe sulmet nga ajri me aeroplanë luftarakë. Në periferi të fshatit Prejlep, më 4 qershor 1998, Arben Ahmetaj me shokë kishte zënë pozicionet për të penguar depërtimin e forcave serbe nga drejtimi i Deçanit, meqë forcat serbe përmes mjeteve të informimit publik kishin paralajmëruar se me çdo kusht do ta bënin zhbllokimin e kësaj rruge. Në atë betejë u arrit të pengohet depërtimi i makinerisë së rëndë serbe, autoblinda, tanke e mjete të tjera të ardura nga drejtimi i Deçanit dhe i Gjakovës. Një ditë më vonë u përdorën edhe aeroplanët ushtarakë për bombardimin e pozicioneve të UÇK-së në Prejlep e Rastavicë.
Arbeni u shqua edhe në luftimet e zhvilluara në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, më 2 gusht 1998. Atë ditë forcat serbe kishin depërtuar deri në mes të fshatit, por rezistenca e luftëtarëve të lirisë të ardhur në ndihmë, në mesin e të cilëve bënte pjesë edhe Arben Ahmetaj, forcat serbe u detyruan të largohen nga fshati.
Dëshmori Arben Ahmetaj veçanërisht u shqua në luftimet e zhvilluara prej 9 deri më 12 gusht 1998 në vijën e frontit Gramaçel – Bitesh – Shaptej – Gllogjan.
Më 11 gusht, në luftimet e zhvilluara në Shaptej, ishte plagosur rëndë vëllai i Arbenit, Astrit Ahmetaj. Vetëm dy ditë më vonë, më 13 gusht 1998, gjatë një beteje të rreptë me forcat serbe, Arben Lami ra dëshmor në fshatin Irzniq.
Arbeni ishte ndër luftëtarët më të spikatur të UÇK-së, i cili luftën për liri e konsideronte më tepër se obligim. Ai u përkiste atyre që flisnin pak e punonin shumë. Në Gramaçel e Baballoç, në Prejlep e Carrabreg, në Rastavicë e Shaptej, në Shqiponjë e Gllogjan… kudo tregoi guxim e heroizëm të pashoq, deri në rënien heroike.
Trupi i Arbenit u rivarros natën e 13 gushtit në fshatin Lumbardh, për t’u rivarrosur me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Gllogjan, më 25 gusht 1998. Trupi i dëshmorit u rivarros sërish në ditë lirie, më 24 gusht 1999, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, përkrah dhjetëra bashkëluftëtarëve dëshmorë.
Arbeni nuk ishte i martuar. Familja Ahmetaj është nderuar me mirënjohje të shumta për birin e tyre dëshmor, si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj.
Në vendin e rënies së dëshmorit është e ngritur pllaka përkujtimore në shenjë kujtimi e nderimi. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …