Arben Gashi: Aksidentet në rrugë nuk janë fat i keq – janë dështim institucional i shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas debatit të mbrëmshëm mes përfaqësuesve të pushtetit dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me aksidentet në autostradë. Gashi theksoi se aksidentet e përsëritura nuk mund të trajtohen si rastësi apo fat i keq, por si pasojë e mungesës së sistemit dhe dështimit institucional. “Kur qytetarët vdesin në rrugë, nuk është ‘rastësi’. Kur ndodhin aksidente të përsëritura, nuk është ‘fat i keq’. Është mungesë e sistemit: mungesë e kontrollit, mungesë e standardeve, mungesë e zbatimit të ligjit dhe, mbi të gjitha, mungesë e përgjegjësisë institucionale”, u shpreh ai. Në një reagim më të gjerë, Gashi tha se shteti nuk mund të fshihet pas deklaratave apo të sillet si komentues i tragjedive, por ka përgjegjësi direkte për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sipas tij, kjo përgjegjësi është e matshme dhe lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve. Ai shtoi se debati publik nuk duhet të reduktohet në përplasje politike, por duhet të fokusohet te pyetja thelbësore: pse shteti nuk po arrin të garantojë sigurinë në rrugë dhe hapësira publike. Gashi theksoi se roli i institucioneve është parandalimi, kontrolli, ndëshkimi dhe garantimi i sigurisë, ndërsa dështimi në këto fusha përbën, sipas tij, jo vetëm problem teknik, por edhe dështim politik e institucional. “Ky është momenti për seriozitet, jo për justifikime; për përgjegjësi, jo për alibi; për veprim, jo për propagandë”, përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

SHBA sinjalizon ndryshime në KFOR – NATO paralajmëron rishikim gradual të pranisë në Kosovë

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s …