leoni

Arbër Ahmeti – Mic Sokoli

Kur flasim për historinë e kombit tonë, hasim në figura që tërë veprimtarinë dhe jetën e tyre ia kanë kushtuar atdheut. Populli ynë ka dhënë nga gjiri i tij shumë emra të cilët qëllim të vetëm e kishin çlirimin e atdheut, dhe në këtë drejtim prej këtyre patriotëve dikush luftonte me pushkë e dikush me penë, sidoqoftë këto dyja plotësojnë njëra tjetrën dhe kjo gjë na u vërtetua gjatë epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tashmë jemi në 128 vjetorin e betejave të lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër forcave okupatore Osmane, dhe po ashtu në 128 vjetorin e rënies së Heroit Kombëtar Mic Sokolit.
Mic Sokoli, i biri i Sokol Ramës, lindi në vitin 1839 në lagjen Fang të fshatit Bujan në Malësinë e Madhe. Babai i tij ishte një ndër prijësit e Malësisë i cili së bashku me xhaxhin e tij, Binak Alinë, udhëhoqi dhe organizoi kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit, që do të thotë se ishte kontribuues edhe në krijimin e Lidhjes së Prizrenit, edhe pse u vra disa dekada pa ndodhur kjo.
E them këtë sepse kryengritjet dhe revoltat e shumta kundër reformave të Tanzimatit, si kryengritjet e Dibrës (1833, 1836, 1838-39, 1844, 1855, 1860, 1872, 1876-77), të Prishtinës dhe Vuçitërnës (1834-1835, 1837), kryengritja e Myzeqesë (1837), e Beratit (1839), e Prizrenit (1839, 1843, 1847), ajo e Gjakovës (1845, 1862, 1864, 1867-69), kryengritja e Jugut (1833), ajo e nëntë krahinave toske (1834-35), kryengritjet e Mirditës(1862, 1876-77), e Shkodrës (1835, 1862, 1863, 1869, 1871), kryengritjet e Prizrenit e Pejës(1864, 1869), kryengritja e madhe fshatare e vitit 1847, kryengritja e Matit (1869) si dhe revoltat e Korçës (1850) dhe Tiranës (1869), krijuan elitat udhëheqëse dhe frymën liridashëse përkrah përvojës ushtarake që ishin themeli i krijimit te Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këto kryengritje krahas luftëtarëve të shumtë veçuan edhe emra si Tafil Buzi, Hamëz Kazazi e “Sheh Shamia”, Alush Frakulla, Balil Hesho, Dervish Cara, Binak Alia e Sokol Rama, Zenel Gjoleka e Rrapo Hekali, Hodo Nivica, Hasan Capari, dhe te tjerë prijës dhe luftëtarë që do ishin frymëzimi për brezat që do vinin.
Mic Sokoli që si fëmijë filloi të frymëzohej me legjendat dhe këngët për kreshnikët, me bëmat e trimave të ndryshëm që do kishin ndikim të madh në krijimin e personalitetit të tij. Një ngjarje tjetër që do ndikonte në jetën e tij ishte vrasja e babait kur Mici ishte vetëm 7 a 8 vjeç. Edukimi sipas dokeve të Malësisë ku urtësia dhe trimëria rrinin të pandara, Micit i dhanë natyrë të rreptë, dhe fakti se ishte i vetmi burrë në shtëpi e bëri të burrërohej para kohe. Po ashtu puna që bënte çdo ditë për të siguruar mbijetesën, zhytjet në lumin e Valbonës për të zënë peshq, ngjitjet në malin e Hekurave dhe në stanet e larta, bënë që Mici të fitonte një trup plot me muskuj. Ndeshjet e para me armikun Mici i pati qysh në moshë të re, pritat që u bënte Turqve, lufta përkrah malësorëve tjerë kundër agresorëve malazez qysh në moshën 16 vjeçare, Micit i dhanë mësimet e para mbi luftën, e veshën atë me trimëri edhe më të madhe. Ai burrërohej çdo ditë, dhe i shtohej përherë e më shumë dëshira për të luftuar, përderisa i shihte çetat e Sef Koshares tek bredhin nëpër malësi dhe nuk i linin turqit te endeshin lirshëm. Në moshën 19 vjeçare tashmë i përgatitur me trimëri dhe i ushqyer me artin ushtarak popullor ai u fut në çetat e komitëve të cilat kryenin sulme ndaj postave ushtarake turke, ekspeditave të ndryshme etj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, përkrah shumë trimave që mblodhi rreth vetes, Mic Sokolin e gjeti në krye të 3.000 malësorëve, të cilët Micin dhe Ali Ibrën i kishin zgjedhur për udhëheqës. Mic Sokoli pati një rol shumë të rëndësishëm në këtë organizim mbarëkombëtar. Ai kishte Gradën e Kapedanit( që është e barabartë me gradën e sotme të gjeneralit) dhe ishte në krye të 3 mijë kalorësve nga malësia e madhe, që më vonë u transformua në Gardën e Lidhjes Shqiptare.
Mic Sokoli ishte pjesëmarrës në ngjarjet e 2 shtatorit të vitit 1878, ku u vra Mehmet Ali Pasha, i cili kishte ardhur për të zbatuar vendimet e konferencës së Berlinit. Ndër udhëheqësit e revoltës së Gjakovës ku mbeten te vrarë qindra luftëtar nga të dy palët ishin Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Mic Sokoli, Ali Ibra, Islam Batusha dhe krerë të tjerë popullorë. Këta treguan nivel të lartë të pjekurisë së tyre politike dhe tërë humanitetin e luftës së tyre të drejtë, duke flakur ndjenjën e hakmarrjes që mund ta zgjonte në të tilla raste, vrasja e një numri kaq të madh shokësh a farefisi (Skënder Rizaj – Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885, fq. 152).
Mori pjesë në luftën e Nokshiqit më 4 dhjetor të vitit 1879, ku forcat shqiptare dërrmuan forcat malazeze të cilat po përpiqeshin të okuponin Plavën dhe Gucinë. U dallua në luftimet që u zhvilluan tek ura e Lumit Lim, ku forcat e Mark Milanit të zëna në kurth u shpartalluan pothuajse krejtësisht. Po ashtu ishte pjesë e shtabit që formoi Ali Pashë Gucia, shtabi i cili bëri planin operativ të operacionit të gjerë të forcave të Lidhjes për mësymje ndaj Forcave Malazeze, i cili filloi më 7 janar dhe përfundoi me shpartallim të plotë të forcave malazeze më 8 janar 1880.
Po ashtu ishte pjesëmarrës edhe në luftën për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës nga ofensivat malazeze të cilat përfunduan turpshëm. Pati një rol të rëndësishëm në aksionet ushtarake të lidhjes për çlirimin e Shkupit (4 janar 1881), Prishtinës (18 janar 1881), Mitrovicës (25 janar 1881) dhe më vonë Vuçitërnit dhe Gjilanit (Historia e Popullit Shqiptar II, fq. 175). Kur ekspedita e Dervish Pashës kishte mbërritur në Ferizaj, dhe po përgatitej të marshonte drejt Prizrenit, Qeveria e Përkohshme e Lidhjes formoi shtabin e mbrojtjes me rreth 25 anëtar nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit. Pjesëtarët e shtabit që njohim janë Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqiria aga, Mullah Hyseni, Mustafa aga, Halil efendiu, Xhelil efendiu etj.( Kristo Frashëri- Lidhja Shqiptare e Prizrenit). Mbi datën e rënies së Mic Sokolit ekzistojnë 2 mendime, njëri që thotë se Dervish Pasha e lansoi ekspeditën drejt Slivovës më 22 prill, dhe tjetri që thotë se kjo ekspeditë filloi më 20 prill, ndërsa Mici ra po ditën e fillimit të sulmit.
Rrjedha e ngjarjeve filloi me marshimin e njësive të komanduara nga Haxhi Osman Pasha drejt Slivoves. Me t’iu afruar Slivovës forcat turke u sulmuan në befasi nga luftëtarët e Lidhjes dhe u detyruan të tërhiqen. Pasi bëjnë përpjekjen e dytë dhe u zunë ngushtë sërish, forcat turke filluan të rrihnin me artileri pozicionet shqiptare. Artileria u bënte dëme të konsiderueshme, dhe në këto momente Mic Sokoli me disa shokë të tij lanë pozicionet mbrojtëse dhe u turrën në drejtim të kodrës ku ishte vendosur artileria osmane, me qëllim shkatërrimin e saj që shkaktonte dëme në radhët e forcave të qeverisë së përkohshme. Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, i cili ra heroikisht duke i vënë gjoksin topit armik (Kristo Frashëri – Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq. 407). Ndërsa sipas kallëzimeve që bëjnë malësoret edhe sot e kësaj dite, thuhet se ishte një i ri nga Bujani që mbijetoi dhe tregoi më vonë për trimëritë e Micit dhe shokëve.
Mici ra heroikisht në moshën 42 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare. Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Ky nip i Mic Sokolit, ra dëshmorë duke luftuar për Bashkim Kombëtar, dhe quhet Tahir Sinani.
Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, mirëpo vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe. Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë, dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri tek ne.

Ndër këngët që këndohen edhe sot me lahutë e çifteli për veprën e këtij kolosi janë:

Mic Sokoli Vesh jelekin,
Hip në tel, kuvend me mretin:
-Do ta djeg, ty mret asqerin,
Se na prishi Pasha venin:
Na ka pre Zmajl Mehmetin,
Hup’e tretë Zmajl Hysenin;
Zmajl Hysenin hup’e tretë,
Fort po e lyp babloku i vet,
Po i shplon vorret e nuk e gjet.
-Qinro, plak, e ban gajret,
S’do ta lamë asqerin mret!
Hysen Zmajli i hipi kalit,
I çon fjalë Bajraktarit:
-Mblidhi burrat e shkepi malit!
Man Avdia po pyet fisin:
– A m’i patë Zmajlin e Micin?
-Fyt’ëm fyt tha, me Dervishin.

Këngë tjetë shumë e njohur është:

Mic Sokoli n’dy tagana,
– Udhamarë!- m’i ka thane nana,-
Lufto, bir, ti për Shipni,
Mos i len turqit me hi;
N’koftë nevoja, vi me ty.
Mic Sokoli ni fjalë po e flet,
Po i thotë nanës: – Të mire mbeç!
Pa u farue Malsia krejt,
Ktu nuk hi’krajl as mret!

Po ashtu për Mic Sokolin është shkruar edhe një roman nga Sylejman Krasniqi i cili ka fituar çmimin e Republikës për letërsi në vitet ‘70a.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …