Kandidati për kryeministër Ardian Gjini dhe përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë thirrje për rikthimin e unitetit qytetar dhe ruajtjen e vizionit kombëtar, duke theksuar se Kosova nuk duhet ta humbasë ëndrrën mbi të cilën është ndërtuar rrugëtimi i saj shtetëror. Duke kujtuar periudhën e viteve ’80 dhe ’90, Gjini tha se qytetarët e Kosovës ishin të bashkuar rreth një ideali të përbashkët, i cili, sipas tij, u manifestua edhe përmes këngës “Besa-Besë” në Stadiumin e Prishtinës. “Kosova duhet me e kthy andrrën e vet. Ne e kemi pasur një ëndërr që nga fëmijëria. Atë ëndërr që nuk mundi ta thyente askush, as regjimet më shtypëse. Ishte pikërisht kjo ëndërr që prodhoi ata djem e ato vajza që luftuan për lirinë tonë”, deklaroi Gjini. Ai vlerësoi se pavarësia e Kosovës është vetëm një etapë e ndërtimit të shtetit, derisa theksoi se shoqëria duhet të vazhdojë të ushqehet me vizion dhe solidaritet qytetar. Sipas Gjinit, mungesa e një ideali të përbashkët rrezikon të sjellë përçarje sociale dhe rritje të ekstremizmave. “Nuk guxon kush me e mbyt vizionin, sepse kur vdes vizioni, gjithçka tjetër shkapërderdhet. Solidariteti do të thotë që nëse ka vërshime në Kaçanik, të mërzitem unë në Gjakovë dhe anasjelltas. Pa ëndërr, ne fillojmë të mos e duam njëri-tjetrin, rriten ekstremizmat dhe nuk na intereson më e ardhmja e fëmijëve tanë pas 10 vitesh”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
