leoni

Më 28.05.2018 në fshatin Pasomë të Vushtrrisë zbulohet pllaka përkujtimore në 19 vjetorin e rënies së dëshmorit Arsim Tahiri

Arsim Arif Tahiri (2.11.1979 – 28.5.1999)

I pari nga pesë fëmijët që i patën prindërit Arif e Xhivzide Tahiri, Arsim Tahiri u lind në fshatin Sumë, komuna e Vushtrrisë, më 2 nëntor 1979. Gjyshi i tij, Raifi, ishte bashkëluftëtar i Ahmet Selacit, Bislim Bajgorës, Ukshin Kovaçicës e Adem Vocës.
Shkollën fillore Arsimi e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e vazhdoi në SHMT të Vushtrrisë. Në moshë të re fëmijërore, ai përjetoi maltretimin fizik të të atit, Arifit, nga policia serbe më 1995 në Mitrovicë. Ajo pamje trishtuese te Arsimi kishte formuar ndjenjën e hakmarrjes jo vetëm për babain, por edhe për Kosovën e robëruar, një ditë kur do të rritet e të bëhet burrë. Dhe u rrit, u bë djalë i sjellshëm, e mbi të gjitha trim. Ai u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me gjithë sugjerimet e prindërve dhe të disa eprorëve, që të presë derisa të sigurohen armë të mjaftueshme. Ai ngjeshi automatikun dhe bombat e dorës dhe iu qep llogoreve të luftës.
Stërvitjet e para i bëri në Zabërgjë e në Bare, ku tregoi aftësi të shkëlqyeshme. Sistemohet në Batalionin II të brigadës 141″Mehë Uka”, në kompaninë e Sumës. Për një kohë shërbeu nëpër fshatrat e Shalës së Bajgorës, por më së shumti në Sumë. E pati komandant oficerin Ajet Dedinë-Dedia, më vonë Isë Mërnicën, i cili edhe ai e pat fatin të bie dëshmor më 24 mars 1999.
Më 2 maj 1999, në ditën e masakrave trishtuese në Martiraj (ish-Studime), Arsimi, Jakup Tahiri e Fadil Sadiku u ndihmuan afër pesëqind njerëzve të strehuar në malet e Gumnishtës, te Përroi i Hajdarit. Me rastin e bombardimit nga forcat serbe të vendosura në Kutllovc, më 15 maj 1999, Arsimi me axhën, Jakupin e me shokun Naser Mustafa, ndër të parët u fut brenda dhe mori armë e municion për luftëtarë të lirisë. Mori pjesë në betejat në Sumë, Mazhiq, Rasha e Gumnishtë.
UÇK-ja tashmë ishte forcuar dhe po marshonte drejt lirisë së afruar. Në anën tjetër, forcat ushtarake-policore e paramilitare serbe ishin tërbuar edhe për shkak të sulmeve të NATO-s. Ato shfryheshin mbi popullsinë civile, pa kursyer as pleq, gra e fëmijë. Ato, te Guri i Metërizëve mbi Sumë, ishin pozicionuar për t’i pamundësuar lëvizjet nëpër korridorin e lirë Gumnishtë-Sumë-Smrekonicë. Arsimi me shokë i vuri vetes detyrë t’i sulmojë ato. Të shoqen, Havën, shtatzënë, e kishte porositur që nëse do t’i lindte djalë, ta pagëzojë me emrin Çlirim, e nëse do t’i lindte vajzë ta pagëzojë me emrin Çlirimtare.
Atë natë, Arsimi me bashkëluftëtarët: Sadri Begolli e Xhavit Shallci, ndeshet ballpërballë me armikun dhe lufton me heroizëm të rrallë. Në orën 23 të datës 28 maj 1999, te lagjja e Kamberajve në Sumë, Arsimi, duke u goditur nga një breshëri automatiku e forcave serbe bie dëshmor për t’u ngritur përgjithmonë në altarin e lirisë. Trupi i dëshmorit konsiderohej i humbur, pasi armiku kishte arritur ta marrë trupin e tij. Trupi i tij u gjend në vitin 2003, në varrezat e Suhodollit. U rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë. Pas rënies, gruas së Arsimit i lind vajzë, e cila u pagëzua me emrin Çlirimtare. Ndër shenjat që ruajnë kujtimin e dëshmorit Arsim Tahiri janëë kapela dhe thika ushtarake, të cilën ia kishte dhënë luftëtari Bashkim Jashari. Emri i Arsimit gjendet i skalitur në lapidarin e dëshmorëve të ngritur në Bletajë, ndërsa në qendër të qytetit të Vushtrrisë është ngritur një lapidar i përbashkët me emrat e fotot-portrete e dëshmorëve, në mesin e të cilëve edhe ato të dëshmorit Arsim Arif Tahiri. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …