Arsim Mehmeti: Letër e hapur organeve të PDK-së!

Arsim Mehmeti: Letër e hapur organeve të PDK-së!

Pas humbjes së turpshme dhe të meritueshme të PDK-së në Zgjedhjet e Përgjithëshme më 14 shkurt 2021, kërkoj nga organet qendrore të PDK-së që të filloni menjëherë RIFORMIMIN E PARTISË DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, që nga kreu i saj i dështuar Enver Hoxhaj, e deri tek baza në të gjitha strukturat e nëndegëve dhe të degëve të PDK-së në tërë Kosovën!
Kërkoj nga organet qendrore të PDK-së, që ta marrni seriozisht analizën time personale të bërë para katër vitesh, më 27 korrik 2017 në fb, që nuk kam nevojë t’ia heq asnjë pikë as presje! Lexojeni me vëmendje dhe më pyetni për çfarë të doni rreth saj, si dhe merrni edhe analiza të tjera nga njerëz të pastër që i kanë mbetur PDK-së, nën hijen tuaj të strukturave fiktive e pasive të saj, ose në të kundërtën thyeni qafën shpartallohuni si zogjtë e qyqeve…!!!
———————————————————-
ANALIZË PERSONALE PËR PDK-në!
Në vjeshtë 1999 viti i themelimit!
Në vjeshtë 2007 fitoi Zgjedhjet!
Në vjeshtë 2012 “mori në thua”
Në pranverë 2017 “u rrëzua”
Shancë për ringritje, vjeshta 2017!
Partia Demokratike e Kosovës, subjekti politik më i rëndësishëm i shekullit 21 në Republikën e Kosovës, i themeluar më 10.10.1999, e lindur pas transformimit të UÇK-së, ishte katalizatori kryesor politik shtetformues dhe shtetndërtues përgjatë këtyre 18 viteve që ka kaluar Kosova.
PDK-ja ishte shembulli më i mirë i një opozite konstruktive, të paparë deri më tani në Republikën e Kosovës, me pjesëmarrjen e saj kredibile nëpër të gjitha sfidat që kaloi Kosova në fazën e tranzicionit të pas luftës 1999 e deri në 2007.
PDK-ja hovin e zhvillimit dhe lulëzimit të saj e pati me ardhjen e meritueshme në qeverisje të Kosovës, në vjeshtën 2007 dhe me seriozitetin e jashtëzakonshëm të saj, së bashku edhe me partnerët politik të kohës, ku lideri themelues historik i PDK-së, z.Hashim Thaçi përgatiti dhe e Shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës, më 17 Shkurt 2008 në Seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.
Përgjatë dhjetë viteve të qeverisjes së PDK-së me partnerë të koalicioneve, krahas zhvillimit të shtetndërtimit, këtij gjiganti politik dhe më të madhit në vend i hyri dalëngadalë dukuria negative e kancerit shoqëror global (krimi dhe korrupcioni). Ky kancer filloi ta grryej palcën kurrizore të PDK-së.
Shumë kuadra të dëshmuara të PDK-së, të të gjitha niveleve që vetë i kishte krijuar, u lënë pas dore si pasojë e vrapimit dhe shtyerjes me bërryla e disa matrapazëve e kriminelëve ordinerë që hynë në PDK, kryesisht gjatë kohës kur po fillonte me qeverisjen e Kosovës! Ky turr i pakontrolluar i tyre ishte me qëllim të grabitjes së pozitave nga më të ndryshme të institucioneve të Shtetit, për përfitime materiale e sociale, personale e klienteliste, ndërsa shumë dyshoj që kanë hyrë edhe me misione të caktuara djallëzore për rrënimin e vetë PDK-së, rrënimin e Shtetit të Kosovës dhe të ardhmën e tij. Nga që e pamë se ç’ndodhi dhe ç’po ndodh edhe në ditët e sotme…
Shumë luftëtarë të shkëlqyeshëm të UÇK-së dhe aktivistë të devotshëm të PDK-së u eliminuan politikisht dhe ngelën pa punë e pa pozita në Parti nga strukturat e pushtetit të margjinalizuar, nga disa përfitues të turpshëm që iu dha hapësira të jenë edhe zyrtarë të lartë shtetëror, apo njerëz të pabesë që e mashtruan lidershipin e PDK-së dhe e izoluan nga njerëzit e besës dhe të veprës që i kishte dikur!
Zgjedhjet e brendshme të PDK-së në vjeshtën e vitit 2012, ishin më të tmerrshmet të papara në gjithë historinë e këtij subjekti politik. Ato u bënë pa asnjë kriter! Madje në seksionet e PDK-së zgjedhnin dhe zgjidheshin në struktura të saj, individ pa qenë as të atij seksioni dhe as anëtar apo simpatizant i Partisë! Paramendoni pastaj se kush ka mundur të depërtoi në hierarkinë e lartë të nëndegëve, degëve dhe organeve Qendrore! Aty një pjesë e vogël e anëtarëve apo e simpatizantëve të merituar, mezi kanë kaluar në ato procese votimi me plot e pêrplot hile e bërryla nga terrpia e njerëzve të shfrenuar dhe të paskrupullt!
Kjo është koha kur PDK “mori në thua”, ndërsa lideri i saj z.Hashim Thaçi e shtyu “me gjoks” me struktura të margjinalizuara e pasive tërë makinerinë gjigante politike, siç ishte PDK-ja, me qindramijëra anëtarë e simpatizantë që përbënin ajkën, nderin dhe krenarinë e qytetarëve patriotë që kishte Republika e Kosovës!
Gjatë kēsaj periudhe të molisjes së PDK-së, lideri historik i saj z.Hashim Thaçi u lodh dhe u dëshpërua kur e pa që shumë nga “besnikët” e tij e linquan dhe e keqpërdorën autoritetin e tij të pakontestueshëm, pas publikimit ( rastësisht apo qëllimisht i mbetët kohës ta vërtetojë) të telefonatave me biseda private me ish shefin e GP, z.Adem Graboci, me të cilat pastaj PDK-së iu bë padrejtësisht “gjyqi publik”, me të ashtuquajturën “afera pronto” nga shantazhi i jashtëzakonshëm i partive opozitare duke e quajtur pa të drejtë Partinë më të madhe në Vend, sherri i disa individëve.
Në Zgjedhjet Parlamentare të 8 Qershorit 2014, pas fitorës së PDK-së u bë bllokadë institucionale nga partitë opozitare, të cilat formuan “bllokun e famshëm” për t’ia pamundësuar PDK-së formimin e qeverisë. Pas disa muajve bllokade, u dashtë që të dërgohet në interpretim të Gjykatës Kushtetuese dhe pas sqarimeve që dha kjo e fundit, u rrënua blloku opozitar dhe PDK-ja e formoi koalicionin e ri bashkëqeverisës, me të cilin LDK-së iu dha posti i Kryeministrit, ndërsa në bazë të asaj marrëveshjeje, lideri historik i PDK-së z.Hashim Thaçi u zgjodh President i Republikës së Kosovës.
Rrethanat e reja të PDK-së, pas detyrimit kushtetues të dorëheqjes nga lideri dhe nga Partia e z.Hashim Thaçi, e njeriut që e kishte themeluar dhe udhëhequr për 16 me radhë, në krye të saj erdhi z.Kadri Veseli.
Z.Veseli e mori timonin e PDK -së në rrethana të një bashkëqeverisje të brisht të Kosovës 2015-2017 me Kryeministër të LDK-së, të udhëhequr nga Isa Mustafa (bashkëpunëtor i afërt i komunistit të asaj kohe Rrahman Morina), i cili është njeriu më i dyshimt i kompromituar në aspektin kombëtar gjatë viteve të 80-ta, 90-ta, si dhe gjatë periudhës së luftës 1998/99 e deri në ditët e sotme! Nga ana tjetër z.Kadri Veseli ishte Kryeparlamentar në periudhën më të zezë të dhunës së egër dhe të paparë të partive opozitare kosovare që pengonin punën e Kuvendit të Kosovës me gas lotësjellës nga brenda e me protesta me zjarrëvënie dhe sulme molutovi mbi ndërtesën e Kuvendit!
Ndërsa rrethanat e brishta brenda vetë PDK -së i ranë hise ballafaqimi dhe rëndese e vetë liderit tanimë z.Kadri Veseli, i cili ka një personalitet me virtyte të larta morale me kontribute të jashtëzakonshme kombëtare për luftën dhe çlirimin e Kosovës. Por nga ana tjetër, në të njëjten kohë ishte dhe është një personalitet i kontestuar tmerrësisht dhe padrejtësisht për të kaluarën e tij, si Shef i SHIK-ut ( Organ Informativ i UÇK-së) nga partitë opozitare e më së shumëti nga partia e VV-së…
Lideri i PDK-së, z. Kadri Veseli sfidën e parë në krye të udhëheqjes së Partisë e pati me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, në Dhjetor 2016, të cilën sfidë e kaloi plogshëm! Aty për herë të parë, bastioni më i fuqishëm i PDK-së u dërgua në balotazh, nga një pjesë e PDK-së e ndarë më heret e që tani është subjekt politik, bile edhe i rëndësishëm parlamentar, NISMA e udhëhequr nga z.Fatmir Limaj. Por megjithatë ia arritëm të nxjerrim fitues kandidatin tonë të PDK-së, z.Ramiz Lladrovci. Prandaj këtë fitore e quaj si “fitore e Pirros” me gjithë angazhimet tona titanike…
Zgjedhjet Parlamentare, këto të fundit të mbajtura më 11 Qershor 2017, ishin ato që e rrëzuan keq PDK-në. Kjo rënie drastike e Partisë shtetformuese e shtetndërtuese dhe më të madhe në Republikën e Kosovës e barazoi pothuajse me partitë minoritare të Kosovës, pavarësisht se PDK është pjesë e koalicionit PAN, që doli subjekti më i madh në Kosovë. Thjeshtë e deshtëm ose s’e deshtëm këtë realitet të hidhur, kjo është humbja më e madhe e shënuar në historinë e PDK-së!
Nuk kam nevojë ta elaboroi për së dyti herë se çka ndodhi, sepse janë shumë shkaqe e faktorë, por thelbin e shkaqeve i spjegova më lartë, ndërsa ajo çka mbetet për t’i shtuar, është që një pjesë të fajit duhet ta merr edhe vetë lideri i saj, z. Kadri Veseli, që nuk arriti t’ia ndaloi ambiciet e sëmuara të disa prej kandidatëve për deputetë anekënd komunave të Kosovës, ndërsa ia mohoi disa prej tyre që kanë qenë, janë dhe do të mbesin idealistët dhe më meritorët që e kanë themeluar dhe ngritur me mendjen dhe djersën e tyre të pastër Partinë Demokratike të Kosovës!
Vjeshta po afrohet, Zgjedhjet lokale janë shpallur se do të mbahen më 22 Tetor 2017, Është shanca e fundit kur PDK-së duhet dhënë “infuzioni i fundit” para kapitulimit të saj përfundimtar! Kërkohet vigjilencë dhe vendosmëri e liderit z.Kadri Veseli, që ta mbledh rreth vetës ajkën e venitur që ka mbetur në PDK me aq mbështetje sa tanimë ka mbetur nga anëtarësia dhe simpatizantët besnikë të saj, që të rikthejmë shpresën e tyre të humbur dhe shpresën e fëmijëve tanë që po i lindim e po i rrisim në Kosovën e lirë, në Kosovën e izoluar dhe në Kosovën e ëndrrave tona euro-atlantike, përndryshe disfata do të jetë edhe më e thellë!
P.S. Për këtë shkrim i kërkoj falje anëtarësisë, simpatizantëve, familjes, miqëve, bashkëluftëtarëve dhe bashkëpartiakëve të dashur të mij që i kam dhe më mbajnë të motivuar, ndaj dhe do të vazhdoj bashkë me ta jetën dhe veprintarinë time politike dhe atdhetare, pra sot vendosa ta publikoj në fcb, si adresë e vetme që më ka mbetur për të thënë atë që e dinë mendja dhe zemra ime, bile tepër shkurtimisht prej asaj që dij, mbase jam njëri prej protagonistëve të shumë ngjarjeve si njëri prej themeluesve të strukturave të PDK-së, përkatësisht të Rinisë Demokratike, që nga këshilli i parë inicues i themelues në Qendër, më 26 Janar 2000 e deri në 2013 si anëtarë i KD, pastaj si themelues dhe kryetar i Degës së RDK-së në Drenas, më 14 Shkurt 2000 e deri në 2004, si dhe në themelimin dhe funksionimin shembullor të Degës me 10 nëndegë e 43 seksione aktive. Ndërsa nga 2013 e deri sot vazhdoj që të jam vetëm anëtar i thjeshtë me nderë dhe krenari me gjithë kontributin tim modest për 18 vite me radhë në maratonën e gjatë politike në PDK dhe prap vazhdoj të jap kontributin tim aq sa ma lejon koha e shëndeti…
Pra JAM, AI QË JAM vertikalisht si gjithnjë, prejse kam rrokur armën në dorë në UÇK kundër pushtuesit serb e deri në ditët e sotme. Për ata që më njohin dhe që s’më njohin, veq paksa jam i thinjur, kryefamiljar dhe baba i tre fëmijëve si pasuria ime më e çmuar në botë. Kjo le t’u shërbei si informacion atyre që nuk më kanë parë apo takuar kohë të gjatë, por që jo me dëshirën time, por për shkakun e “halleve” të tyre që kanë për Kosovën!
I uroj suksese PDK-së në përcaktimin e kuadrove meritore që janë në gjendje të marrin përgjegjësinë për sfidën e radhës, për Zgjedhjet Komunale 22 Tetor 2017!

Kontrolloni gjithashtu

Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)[1] shpreh shqetësimin për publikimin e fundit të Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme…

Mungesa e Konsultimeve Publike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) I nderuar Kryeministër i Republikës …