Asfaltohen dy rrugë në qytetin e Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot ka përcjellë nga afër përfundimin e punimeve në asfaltimin e rrugës “ Maliq Xhema” në lagjen “ Arbëria” të qytetit të Klinës, si dhe fillimin e asfaltimit të segmentit tjetër të kësaj rruge. Rruga me dy segmentet është e gjatë 415 metra.

Kryetari Bashota i ka uruar banorët për asfaltimin e rrugëve dhe ka premtuar edhe projekte tjera. “Pothuajse në të gjitha fshatrat dhe në qytet janë duke u kryer projekte të shumta në infrastrukturë rrugore, shëndetësore e arsimore. Pushteti lokal mbetet i përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët. Në kuadër të kësaj është edhe ky projekt rrugor që po realizohet sot me buxhet të Komunës, i cili do të krijojë kushte më komode dhe lëvizje shumë më të lehtë për qytetarët. Projektet tona në epiqendër të vëmendjes kanë qytetarin, familjen e tij, komunitetin, problematikën e tij; fshatrat, lagjet, mjediset urbane, shkollat, rrugët, kanalizimet, rrugicat, gjelbërimin, pastrimin etj. Kujdesi ndaj qytetarit dhe familjes si institucion themelor i shoqërisë, mbeten angazhime të mëtejme për mua dhe institucionin që udhëheq”, ka thënë me ketë rast kryetari Bashota.

Banorët e kësaj rruge, kanë falënderuar kryetarin Bashota për përkushtimin e treguar në realizimin e këtij projekti dhe shumë projekteve tjera që janë duke u zhvilluar në komunën e Klinës. Komuna e Klinës sivjet ka planifikuar edhe asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe fshatra.

Kontrolloni gjithashtu

Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion “Abdullah Bugari”, drejt finalizimit

Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion “Abdullah Bugari” është drejt finalizimit si projekt i bashkëfinancuar …