Atifete Jahjaga: Mbështetja e Berlinit kyçe për drejtësinë tranzicionale dhe fuqizimin shoqëror

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar një takim mirëseardhës me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në zyrat e Fondacionit Jahjaga, duke riafirmuar partneritetin e ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë. Jahjaga e ka uruar ambasadorin Rudolph për misionin e tij të ri diplomatik, duke e falënderuar njëkohësisht për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, veçanërisht në forcimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin shoqëror. Gjatë takimit janë diskutuar projektet aktuale dhe të ardhshme të Fondacionit Jahjaga, me theks të veçantë në drejtësinë tranzicionale, fuqizimin e grave dhe të rinjve, përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, si dhe ballafaqimin me të kaluarën. Jahjaga ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e nismave që kanë ndikim afatgjatë për shoqërinë kosovare. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe vizitës në Muzeun e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë “Çast”, një hapësirë kujtese dhe edukimi që, sipas Jahjagës, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të ruajtjes së së vërtetës dhe nderimit të të mbijetuarve. Ky muze është realizuar falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane.  Takimi u zhvillua në një frymë pozitive dhe konstruktive, me shprehje gatishmërie nga të dyja palët për thellimin e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet Fondacionit Jahjaga dhe Ambasadës së Gjermanisë, në funksion të së mirës së përgjithshme dhe forcimit të paqes e dialogut në shoqërinë kosovare.

Kontrolloni gjithashtu

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake. NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme. “Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte. Ajo do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti, duke qenë se ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020. Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mirçea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

NATO: Shqipëria dhe Kroacia aleatë kyç në dialogun Kosovë-Serbi mbetet prioritet

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka komentuar takimin trilateral mes Kosova, Shqipëria dhe …