leoni

Avdylgafurr Merxhan Luma (12.4.1961 - 22.5.1999)

Avdylgafurr Merxhan Luma (12.4.1961 – 22.5.1999)

Në agun e 12 prillit të vitit 1961, derisa bora e Sharrit ende dyluftonte me lulevjollcat që dëshironin të mbulonin fushat dhe malet e Qafës së Shqipes, nënë Zylfija lindi më të bukurin djalë, Avdylgafurrin, të cilin që nga fëmijëria; babai, nëna, familja dhe shokët e tij do ta thërrasin Gafurr.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në rrënjët e Sharrit vigan, në majën e të cilit Gafurri kishte shkelur shpeshherë për ta vështruar Kosovën, Shkupin e Pollogun. Kishte dëshirë të njihte bukuritë e atdheut, nga peizazhet e të cilit, që herët zbuloi se ky atdhe kaq i bukur e aq historik para banorëve të tij shfaqte “buzëqeshje të ngrirë”.
I etur për dituri, pas shkollës fillore regjistrohet në gjimnazin e Kaçanikut, i cili më parë kishte emrin “Skënderbeu”, por që politika pansllave ia kishte shartuar në një emër tjetër. Meqë gjimnazi nga vendlindja e Gafurrit ishte larg dhe kushtet për të udhëtuar të rënda, ai do të banojë në një banesë private në Lagjen Bobaj të Kaçanikut, por mësimit nuk iu nda, sepse me kohë kishte kuptuar se arsimimi i shqiptarëve ishte domosdoshmëri për të shkrirë “buzëqeshjet e ngrira” të atdheut dhe siç deklarojnë shokët e paraleles të gjimnazit matematikor, Avdylgafurri ishte lexues i pasionuar. Lexonte libra të ndryshme dhe shtypin ditor. Në banesën private në lagjen Bobaj, kontakton me veprimtarin Ferid Çallaku nga fshati Gajre, i cili që herët ishte angazhuar në veprimtarinë ilegale dhe njëherësh ishte njëri ndër organizatorët e demonstratave të 5 majit të vitit 1981 në Kaçanik dhe më pas i dënuar me burg politik. Gafurri kishte rënë në kontakt me lëvizjen ilegale kombëtare të kohës, prandaj, nën ndikimin e Feridit e të veprimtarit Kadri Luzha, bashkë me shokun e shkollës Remzi Elezi, që nga viti 1980 përfshihet në veprimtarinë atdhetare.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Avdylgafurr Luma në vitin 1980, ftohet në shërbimin ushtarak në Armatën Jugosllave, pas të cilit shërbim, në tetor të vitit 1981 fillon studimet në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë, ku arrin t’i përfundojë tri vite.
Demonstratat e vitit 1981 bënë kthesë të madhe historike, andaj jo vetëm që i përkrahu ato, por aktivitetin e tij politik e drejton në propagandimin e kërkesës “Kosova – Republikë”. Bashkë me studentin, Remzi Elezi, vazhdon punën e filluar që nga viti 1980 edhe pse Organizata ku vepronin ata, tanimë përballej në hetuesi me torturat e tmerrshme të UDB-së. Avdylgafurri përsëri bie në kontakt me shtypin ilegal, përkatësisht me revistën “Liria”, e cila shpërndahej dorë më dorë nëpër Kosovë e që Avdylgafurri numrin e saj të parë e kishte pasur që në vitin 1980. Gazetën si dhe trakte e komunikata të ndryshme, pos që i lexonte, ia jep edhe studentit të Fakultetit Juridik, Bajram Dernjanit nga Paldenica e Hanit të Elezit. Në anën tjetër Remzi Elezi nga Sllatina e Kaçanikut, i cili në të veprimtarinë së tij ilegale kishte rërë në kontakt me Agron Morinën nga Ferizaj, Avdylgafurr Lumën e pajis me materiale të tjera ilegale nga Komiteti Organizativ, një Organizatë, e cila tanimë bënte përpjekje t’i shkrinte grupet e vogla në një organizim më të madh. Ndërkohë, në fshatin Sllatinë në një objekt të vetmuar, formohet edhe Komiteti i Rrethit për Kaçanik dhe në mbledhjen konstituive të Komitetit marrin pjesë: Remzi Elezi, Avdylgafurr Luma, Bajram Dernjani dhe Remzi Krraba. Në këtë mbledhje Remzi Elezi zgjedhet sekretar organizativ, ndërsa Avdylgafurr Luma ngarkohet me detyrën e sekretarit për propagandë dhe agjitacion ku edhe i caktohet emri konspirativ “Avdiu”. Asokohe shfaqet nevoja për ngritjen e një baze të tipografisë. Ilegalët së bashku me Avdylgafurrin, një makinë shkrimi e sigurojnë nga grupi i Paldenicës. Pas formimit të këtij komiteti të cilit i bashkohen edhe Bajram Dernjani, Shaban Çupi, Sejdi e Naser Dernjani, (grup i cili deri në këtë fazë kishte vepruar i pavarur) Komiteti i Rrethit për Kaçanik do të masivizohet duke përfshirë në gjirin e vet edhe Remzi Krrabën (i dënuar edhe më parë), Mefail Vishin, Ismail Malësiun, Kadri Rakën, Emrush Tafilin, Muhamet Qorrin dhe të tjerë, të cilët gjatë procesit të hetuesisë mbetën të pazbuluar. Gjatë ngritjes organizative, grupi shkëmben materiale të tjera ilegale si Projekt-programin dhe Projekt-statutin e organizatës, revistën “Pararoja”, shumë ekzemplarë të revistës “Zëri i Kosovës”, “Këngët e Lirisë”, “Pushka amanet”, librin “Titistët”, Traktin kundër tradhtisë, Traktin “Armiku na ka në dorë vetëm aq sa e lejojmë ne vetë”, e materiale të tjera ilegale.
Në vazhdë të këtij aktiviteti që ideja e lirisë të përhapet në çdo shtëpi shqiptare, më 4 nëntor të vitit 1985 zbulohet organizata, e cila kishte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare e në këtë rast zbulohet edhe komiteti i Rrethit për Kaçanik dhe krahas arrestimit të anëtarëve tjerë, më 12 nëntor 1985 arrestohet edhe Avdylgafurr Luma dhe pas hetimeve 6 – mujore në Gjilan e Prizren, ai më 9.6.1986 dënohet me 4 vite burg, në kuadër të grupit të veprimtarëve prej 23 pjesëtarëve, ku krahas të lartpërmendurve në kuadër të këtij grupi dënohen edhe: Metush Krasniqi, Ramadan Haziri, Sylejman Bytyqi, Hyzer Haxhiu, Muzafer Lika, Nexhat Xhokli, Jahir Haliti, Ruzhdi Shkodra, Xhemajl Azemi, Daut Shkodra, Skënder Osmani, Ahmet Bekteshi dhe Nuhi Ramadani. Avdylgafurr Luma dënimin e vuan në Prishtinë dhe Gurrakoc gjithnjë i dashur, dhe i respektuar nga të gjithë.
Pas daljes nga burgu, Avdylgafurr Luma do të vazhdojë edhe më pas studimet e mbetura nga arrestimi i parë, por kushtet e vështira ekonomike dhe situata gjithnjë e më e rëndë, që pasoi pas viteve të 90-ta, Avdylgafurri, një kohë punon mësues në shkollën “Kongresi i Manastirit”në Qafshqipe, e më pas si sekretar i kësaj shkolle. Ndërkohë, martohet me Hidajete Luzhën nga Begraca e Kaçanikut. Nga kjo martesë e shkurtër u lindën dy fëmijë: Lirimi dhe Kaltrina.
Krahas përballimit me kushtet e vështira ekonomike, kontributin e tij Abdylgafurri e jep edhe në jetën politike, qoftë në Këshillin e Financave, në KMLDNJ, qoftë në alternativën politike. Për shkak të aktiviteti legal politik, disa herë do të ftohet në sigurimin shtetëror serb në të ashtuquajturat biseda informative. Por meqë situata politike në Kosovë gjithnjë e më tepër ashpërsohej e dhuna kishte prekur pothuajse çdo derë të shqiptarëve, Avdylgafurr Luma kontakton me veprimtarin e njohur, Ekrem Jashari, nga i cili njihet më shumë lidhur me ekzistimin e UÇK-së. Bislim Zogaj nga Drenasi, tregon se në muajin shkurt të vitit 1996, për nevojat e bërthamav tashmë të formuara dhe aktive në zonën e Drenicës, kishte arritur një pjesë e armatimit nga Perëndimi, deri në brezin kufitar me Maqedoninë. Për ta strehuar këtë sasi armatimi angazhohet edhe Abdylgafurri.
Duke qenë në kontakt me drejtues të UÇK-së, më vonë, ai pothuajse ishte personi kyç në përcjelljen e pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me rastin e lëvizjes së tyre nga Kosova për në Maqedoni dhe anasjelltas. Më 10 gusht 1998, pak orë pasi bien në luftë me pushtuesin Komandanti i UÇK-ës për Kaçanik, Agim Bajrami dhe dy bashkëluftëtarët e tij: Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj, krahas Avdylgafurr Lumës burgosen edhe vëllai i Xheladinit, Danush Kurtaj, Hasan Dalloshi, Fatmir Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Xhavit Haziri. Aktakuza në mungesë u ngrit edhe kundër Qamil Ilazit, Naim Bekës, Hajrush Kurtajt, Berat Luzhës, Naser Kukës, Reshat Salihajt, Bexhet Imishtit dhe Remzi Elezit. Nga ky grup veprimtarësh gjashtë prej tyre kanë rënë dëshmorë, 4 prej të cilëve janë ekzekutuar në Burgun e Dubravës, ndërsa Naim Beka dhe Komandanti i Brigadës 162, Qamil Ilazi kanë rënë në fushëbetejat për lirinë e Kosovës.
Më 8. 10. 1998, Gjykata serbe e Prishtinës, Abdylgafurrin e dënoi me 6 vjet burg, të cilin nuak arriti ta përfundojë.
Avdylgafurri në burgun e Dubravës dërgohet nga burgu i Gjilanit, më 30 prill 1999, bashkë me shokët e tjerë nga Komuna e Kaçanikut, ashtu sikur i dërguan edhe të burgosurit shqiptarë nga burgjet tjera. Para se të sistemoheshin të burgosurit në pavijone, në aneksin e këtij bregu, torturohen rëndë për të vazhduar torturat edhe brenda pavijonit, si dhe në çelitë e këtij burgu famëkeq, ku të burgosurit krahas torturave, përballen edhe me uri.
Më 22 maj 1999 do të pushkatohet nga serbët në burgun famëkeq të Dubravës, së bashku me 165 të burgosur të tjerë. Avdylgafurri fillimisht merr plagë në kokë, në pavijonin “C” edhe me 19 maj 1999, në çastin kur vriten Enver Topalli, Avdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj.
Pas vrasjes së Avdylgafurr Lumës, serbët kufomën e tij dhe të të burgosurve të tjerë i varrosin në varrezën masive të Rakoshit. Pas luftës bëhet zhvarrimi dhe trupat e të rënëve rivarrosen me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Dy fëmijët e dëshmorit, sot rriten në prehrin e ngrohtë të nënës, Hydajetes, në vendlindje.
Edhe vëllai i Avdylgafurrit, Qani Luma, i lindur më 17.5.1976 bie heroikisht më 8 mars të vitit 1999, si pjesëtar i UÇK-së, në fshatin Ivajë të Kaçanikut, në luftën frontale që u zhvillua ballë për ballë me pushtuesin serb. Ai ishte ushtar i Brigadës 162 “Agim Bajrami” të UÇK-së.
Kjo familje, e cila priti e përcolli natën e ditën, atdhetarë të trevave të ndryshme etnike, përveç Avgylgafurrit dhe Qaniut, më 8 mars 1999 jep dëshmor edhe Osman Lumën, i cili ra në përballje frontale me armikun, në fshatin Ivajë të Kaçanikut.
Pas rënies, në shenjë nderimi e krenarie, shkolla fillore në Qafëshqipe, mori emrin e dëshmorit Abdylgafurr Luma. Në oborrin e kësaj shkolle, bashkëfshatarët kanë ngritur bustin e tij, aty ku edhe mori mësimet e para. Në ditët e majit nxënësit, arsimtarët dhe veprimtarët anë e kënd Kosovës, Shkupit e Pollogut, me lulemaji të Sharrit përkujtojnë bilbilin e këngës së lirisë, Avdylgafurrin e lavdishëm dhe të paharrueshëm. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …