Avni Dehari: Që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje kam mbështetur angazhimin dhe programin e saj

Avni Dehari: Pesha e dhembjes

(Bijve të mi, që humbën jetën në rrethana të errëta: Arbënori më 2014 dhe Astriti më 2016)

 

Atdheu dhe alfabeti

Kurorë nderi vunë shkronjën A.

Për hapat drejt agimeve të purpurta,

A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

 

E rëndë dhembja,

Sa pesha e Alpeve Shqiptare!

Sa dheu i gjakut tonë!

 

E thellë dhembja,

Sa thellësia e Adriatikut,

E Jonit valëshumë,

E oqeanit pa fund!

 

E lartë krenaria,

Sa kreshtat e Sharrit,

Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!

 

Krahëhapur krenaria,

Si fushat e gjera,

Si rrafshnaltat e bjeshkëve,

Si shqiponja jonë e shenjtë

Në qiellin e paanë!

 

Hijerëndë fisnikëria,

Si pyjet e dendura!

Si Moti i Madh

Në oqeanin e kujtesës sonë!

 

Det i trazuar pikëllimi,

Plot valë ngushëllimi, plot valë freskie

Cep më cep zemërdhembshurës sonë,

Për Ju,

Që hodhët hapin me shkronjën e parë të ATDHEUT!

 

Prishtinë, 11. 9. 2019

Avni Dehari

 

 

PSE TË VRANË O ASTRIT DEHARI!?

 

 

U hap lajmi si rrufe

Lajm ugur po për atdhe,

E torturuen pastaj e vranë

Astrit Deharin djal bujar.

 

Atje n´burg mbyllun me dry

Korba t´zi ia kan msy,

U thanë lulet, e thanë barin

Kur e vranë Astrit Deharin.

 

Drini Bardhë e ndal valërimin

Prizerenit ia vranë gzimin,

Kur u vra Astriti djal

Po ja qojnë Arbnorit n´varr.

 

O Astrit djal i Arbnisë

Djal besnik i Dardanisë,

Tanë shoqnia po lotojnë

Dhe familjen ta ngushllojnë.

 

Ti ngushllojnë babe e nanë

Ta ngushllojnë nusen e re,

Tash Arbnorin merre ngryk

Se u flijove për atdhe.

 

O Astrit ti lul` bajraku

Pa Ty hije ma ska konaku,

Mundi yt nuk ka shkue kot

Hero i vërtetë për jetë e mot!

 

#drejtësipërAstritin

 

Avni Dehari

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …