Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se institucioni që drejton po shqyrton kërkesën e organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, të cilët kërkojnë që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Qelaj tha se është ende herët për të përcaktuar qëndrimin e tij. Ai theksoi se çdo veprim do të ndërmerret brenda mandatit kushtetues dhe ligjor të Avokatit të Popullit, me synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe interesit të drejtësisë. Qelaj sqaroi se institucioni nuk vlerëson vendimet apo aktgjykimet e gjykatave, por shqyrton procesin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Në raportin e publikuar për Dhomat e Specializuara, sipas tij, janë ngritur shqetësime për transparencën dhe llogaridhënien, kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e administrimit të provave nga Serbia. Sa u përket ndryshimeve të fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi, Qelaj tha se kompetenca e Kuvendit për të nxjerrë dhe ndryshuar ligje nuk duhet të kontestohet. Megjithatë, ai ngriti pikëpyetje për efektin juridik të ndryshimeve dhe përputhshmërinë e tyre me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Ai theksoi se vlerësimi nëse procesi gjyqësor ka qenë i drejtë i takon Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara dhe se vendimet duhet të respektohen deri në shqyrtimin e tyre nga shkalla tjetër. Njëkohësisht, Qelaj kërkoi mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe nga gjykata, si dhe monitorim nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Qelaj tha se Kosova duhet të kërkojë mënyra institucionale për të garantuar të drejtat e njeriut dhe procesin e drejtë, pa krijuar përshtypjen se po pengon drejtësinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
