Azem Syla: Është e turpshme të ketë të tillë që ushqehen me bukën e pastër të Kosovës dhe i shërbejnë Serbisë

Po dëgjoj dhe lexoj ide, mendime, gjykime, poshtërime, paragjykime, akuza, kundër-akuza, mashtrime e kundër-mashtrime, abuzime e kundër-abuzime. Jam vërtet i habitur. Nuk e kam pritur që pasi të luftoj për çlirimin e vendit, atdheut, popullit e kombit tim do të akuzohem pse kam luftuar. Gjithë këtë kohë nuk kam reaguar fare, sepse kam qenë duke studiuar, në kërkim të asaj, nëse ka edhe diku tjetër, që veprohet kështu. Por, jo, nuk gjeta një shembull të ngjashëm. Gjithkund gjeta e pashë se luftëtarët janë vlerësuar krejt ndryshe. E ne sot, në vend që të merremi me hallet e popullit, që kemi marrë përgjegjësinë ta udhëheqim në rrugën e zhvillimit, po hedhim gur mbi shenjtërinë kombëtare, mbi luftën çlirimtare. >>>


 


Të gjithë na e kanë nderuar luftën. Të gjithë na e kanë vlerësuar luftën. Edhe ata që u bënë bashkëluftëtarët tanë në atë luftë të shenjtë, siç ishin presidenti Klinton, kryeministri Bler, kancelari Shreder, presidenti Shirak, sekretarja e shtetit të SHBA-ve, Ollbrajt, gjenerali Klark etj., kanë shprehur simpati për atë luftë të madhe. E duke vlerësuar këtë ecuri, po më duket se po përdoret kazma për t’i shkulur vlerat kombëtare dhe për t’i shkatërruar ato elemente të mira që i kemi. Kjo më bën që shpesh ta pyes veten, se me çfarë do të merret kjo kategori pasi të mbarojë punë me zhvleftësimin e luftës çlirimtare. Me siguri me atë që ne (shqiptarët) “nuk dimë të qeverisemi”, “me atë që ka pasur me shumë siguri në Kosovë në kohën e Titos e Millosheviqit sesa sot”. Ndaj, shpesh pyes veten: kush është kaq i interesuar të krijojë një imazh në popull se “ka qenë më mirë nën Serbi sesa sot”? Kjo është absurde. Kësaj nuk i gjej asnjë arsyetim.


 


E meqenëse e shoh këtë gjendje po pyes dhe arsyetoj:


Vëllezër, ç’keni me luftën? A nuk e dini se nuk fitohet pushteti duke rrëzuar vlera?


Vëllezër, pse po e përdhunoni vetveten? Duke u vetëpërdhunuar nuk fitohet pushtet.


Vëllezër, në luftë fishekun e fundit e kemi ndarë me njëri-tjetrin, e sot, pse bëjmë gabime kaq të rënda?


Vëllezër, ndani vlerat nga antivlerat!


Ju lutem, mos i jepni brezit të ri këtë portret të shëmtuar për luftëtarët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.


Nuk është mirë të thuhet në medie se “Azem Syla ishte agjent i SHIK-ut”, sepse të rinjtë do të mendojnë se është e vërtetë, pasi shkojnë me mendimin se të mëdhenjtë i dinë më mirë këto probleme e i njohin më mirë ato kohë.


Duke bërë këtë më keni detyruar t’u them edhe një herë të gjithë shqiptarëve, se unë, Azem Syla, kam qenë komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Shërbimi Informativ i UÇK-së ka pasur për mision ta ndihmojë luftën sikurse gjithë sektorët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm.


 


 


Kur ka dalë ky model, një shërbim informativ ta rekrutojë komandantin e përgjithshëm të një ushtrie? Sipas kësaj praktike, u dashka që edhe në paqe kryeministri dhe presidenti i shtetit të jenë agjentë të shërbimit informativ të vendit të tyre.


Mosni vëllezër, se sot ju “besojnë” ndoshta, por nesër do t’ju qeshin e do t’ju vijë turp nga vetja!


 


 


Të gjitha këto më sipër i thash për ata që janë dhe e ndjejnë veten plotësisht shqiptarë, pavarësisht se ç’pikëpamje partiake kanë.  Se për atë kategori të njerëzve qofshin në politikë, në medie, në inteligjencë apo në rrugë, e merren me shpifje e më poshtërime të luftëtarëve e të luftës çlirimtare, kam një mesazh tjetër: mesazhi im fillon me deklaratën e sinqertë, se kurrë, kurrë dhe kurrë, nuk kam për t’u ndjerë i turpëruar pse kam luftuar për vendin tim. Kurrë nuk kam për t’u trembur pse kam luftuar për vendim tim. Po pati nevojë atdheu e populli im – unë prapë e përjetësisht do të jam ushtar i devotshëm i tij.


 A vërtet mendon ndonjëri se mund ta trembë Azem Sylën? Nëse po, unë i them, jo. Azemin edhe mund ta vrisni, por kurrë nuk keni për ta pasur fatin ta trembni.


Kush luan me portretin e luftës çlirimtare të Kosovës duhet t’i thërrasë mirë mendjes, se po luan me një shenjtëri.


Le ta ndajmë politikën e ditës nga lufta çlirimtare. Në politikë le të bëhen debatet si në çdo medie e në çdo politikë në botë. Po pse fillohet me politikën dhe kalohet te lufta? Kujt i prish kaq shumë punë shenjtëria e luftës sonë? Unë e di, por nuk kam dëshirë që në politikën, në medien, në inteligjencën dhe në rrugët e atdheut tonë të ketë të tillë që ende i shërbejnë pushtuesit e shërbimeve sekrete serbe. Por, nëse ka, duhet të dinë se ne jemi luftëtarë dhe nuk kemi asnjë rënie nga e djeshmja. Jemi pikërisht ata luftëtarë, që bashkë me popullin dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë e shporrëm Serbinë nga Kosova dhe nuk kemi bërë e nuk bëjmë asnjë hap prapa.


 


Është e turpshme të ketë ende në Kosovë të tillë që të ushqehen me bukën e pastër të vendit e t’i shërbejnë Serbisë. Unë u bëj apel të gjithë atyre që mund të jenë të mashtruar ose nuk kuptojnë se çka po bëjnë: Mos u mashtroni prej agjenturës serbe dhe ligësisë së disa shteteve të Evropës, të cilat kanë ende rezerva për shtetin e Kosovës, sepse në këtë mënyrë bëni krim mbi shenjtërinë.


 U bëj apel policisë, prokurorisë dhe gjykatave të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it të mos aktivizojnë kriminelë dhe agjentë të pushtuesit të djeshëm, se mjaft ua kemi parë të zezat atyre. Kanë bërë aq të zeza mbi Kosovën dhe shqiptarët në këto treva sa nuk ka llogari që i mban.


 U bëj thirrje këtyre institucioneve, të angazhohen seriozisht për të zbardhur gjithçka deri në fund. Dhe nëse ka fakte që luftëtarët kanë dalë jashtë misionit të tyre, le të ndëshkohen sipas shkallës së fajit. Edhe Azem Syla, në qoftë se ka bërë veprime që bien ndesh me luftën çlirimtare të Kosovës, le të dënohet. Por, askush të mos guxojë të bëjë akuza ndaj luftëtarëve duke angazhuar agjentët e UDB-së. Ata meritojnë të dalin para drejtësisë për krimet që kanë bërë në Kosovë deri më 22 qershor 1999. Të jeni të sigurt se asnjë agjent i UDB-së nuk ka kaluar pa i larë duart me gjakun e djemve dhe vajzave shqiptare. Mjaft më! Kjo praktikë duhet të marrë fund menjëherë.


 


Të tjerë që shpifin kundër luftës e luftëtarëve për interesin e tyre, këto institucione duhet t’i sqarojnë plotësisht pozicionet dhe ta japin dënimin e merituar për çdo njeri që del jashtë kuadrit të qytetarisë. Nëse themi ta ndërtojmë shtetin modern ligjor, ai nuk ndërtohet nëse nuk ndëshkohet gjithkush që është fajtor para ligjit.


  


U kërkoj këtyre institucioneve të ngjiten në nivelin e kërkesave të kohës, për të mos vazhduar më me informacione bombastike, vetëm e vetëm për ta mbajtur popullin pezull, që ai të mos ecë në rrugën e zhvillimit, por të mbetet me kokën prapa duke pyetur vetë me vete: “A është e vërtetë?!”


Mjaft më! Është koha të flitet e të veprohet vetëm seriozisht në Kosovë e për Kosovën.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …