Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me një batutë në nisje të fjalimit të tij në Konferencën Evropiane për Rindërtimin e Ukrainës, e cila po mbahet në Gdansk të Polonisë. Para se të trajtonte çështjen e rindërtimit të Ukrainës, Rama ka bërë një koment të shkurtër që është pritur me të qeshura dhe duartrokitje nga salla. “Jam i sigurt që kontributi më i mirë që prisni nga unë është një fjalë e shkurtër, dhe këtë do ta bëj”, është shprehur ai. Në vijim të fjalës së tij, Rama ka theksuar se procesi i rindërtimit të Ukrainës nuk duhet të shtyhet deri në përfundimin e luftës, por duhet të vazhdojë paralelisht me përpjekjet për mbrojtjen e vendit. Ai ka nënvizuar se rindërtimi përfaqëson një strategji afatgjatë për krijimin e një Ukrainë moderne, demokratike dhe të integruar në Evropë, e jo thjesht rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta. Sipas Ramës, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor dhe rindërtimi i Ukrainës janë procese që mbështesin dhe forcojnë njëri-tjetrin, ndërsa ka shtuar se Ukraina, përveç rindërtimit të vendit të saj, po rikthen edhe besimin dhe guximin e vetë Evropës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
