Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë, i ndodhur në shtator të vitit 2023. Reagimi i BE-së erdhi pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill dënoi Bllagoje Spasojeviq dhe Vladimir Tolliq me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim. Sulmi i 24 shtatorit 2023 la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjes u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë organizator dhe udhëheqës të grupit të armatosur. Megjithatë, ai vazhdon të qëndrojë në Beograd, pa aktakuzë të ngritur nga autoritetet serbe. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO, Serbia deri më tani nuk ka ndërmarrë veprime konkrete penale ndaj të dyshuarve kryesorë për këtë sulm./Rel/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
