Bedri Hamza fton profesionistët t’i bashkohen PDK-së: “Kosova ka nevojë për njerëzit e saj më të mirë”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që besojnë se mund të kontribuojnë për vendin përmes politikës, që t’i bashkohen listës së kandidatëve të kësaj partie për deputetë. Përmes një video-adresimi, Hamza deklaroi se Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz të përgatitur, profesionistë dhe të përgjegjshëm, të gatshëm për të punuar në shërbim të shtetit. “Në Partinë Demokratike të Kosovës, lista jonë për deputetë nuk do të jetë vetëm listë politike, por një listë e hapur për të gjithë. Kemi garantuar hapësirë për profesionistë, për gra e burra të aftë, për njerëz që ndoshta deri më sot nuk kanë qenë pjesë e politikës”, tha Hamza. Ai theksoi se kriteri kryesor për t’u bërë pjesë e listës së PDK-së është vullneti dhe dashuria për vendin. “Nëse besoni se mund të kontribuoni për Kosovën, koha është tani. Koha që njerëzit e mirë të mos qëndrojnë më anash. Koha që profesionistët të mos heshtin më. Koha që Kosova të bashkojë dijen, përvojën dhe energjinë e saj më të mirë”, u shpreh ai. Hamza u bëri thirrje të gjithë të interesuarve që të kontaktojnë përmes emailit zyrtar për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi politik.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Rama: Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të jehojë përjetësisht zëri i komandantit legjendar Adem Jashari

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë shpallur projektet fituese për …