Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar propozimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit, duke i cilësuar si manovra politike pa seriozitet dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë institucionale. Hamza deklaroi se Kurti po përpiqet të gjejë fajtorë për dështimin në krijimin e institucioneve, ndonëse sipas tij ka pasur kohë të mjaftueshme për të vepruar me përgjegjësi, mirëbesim dhe partneritet politik. Ai theksoi se për Partinë Demokratike të Kosovës kjo çështje tashmë është e mbyllur dhe se qëndrimi i partisë është bërë publik përmes organeve drejtuese. Sipas Hamzës, PDK ka treguar vullnet konstruktiv për stabilitet institucional, por nuk ka hasur në mirëkuptim nga Lëvizja Vetëvendosje. Duke komentuar ofertat e fundit, ai tha se ato nuk mund të quhen oferta reale, pasi mungon serioziteti politik dhe trajtimi i barabartë ndaj partive opozitare. Hamza shtoi se çështje kaq të rëndësishme nuk zgjidhen përmes deklaratave mediale, por në tryeza serioze politike. Në fund, ai nënvizoi se propozimet aktuale synojnë vetëm konsum politik dhe se PDK tashmë do t’i rikthehet qytetarëve, anëtarësisë dhe strukturave të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
