Bedri Islami

Bedri Islami: Berishën së shpejti e pret lufta më mizore në jetën e tij politike

Pas gjashtë javësh, me 11 dhjetor, Sali Berisha do të mbledhë kuvendin e Jashtëzakonshëm të asaj  pjese të opozitës që besojnë dhe e ndjekin atë, në përplasjen me pjesën tjetër, të së njëjtës opozitë. Ajo që duket si luftë parimesh dhe për një mendësi të re do të ketë jo fundin e një rivaliteti, por fillimin e një përleshje, që, megjithë tallazet e shumta që kanë ndodhur në pas skenën e saj, nuk do të ketë një tjetër të dytë.

Për Berishën kjo është lufta më mizore në jetën e tij politike. Është nga ata që ai, si komunist i vjetër, do e quante “ lufta finale”;  për Lulzim Bashën kjo është beteja e parë reale në historinë e tij politike.

Berisha nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do i duhej të kishte përballë një figurinë politike, të cilin ishte munduar ta rriste vetë dhe që nuk e kishte marrë kurrë seriozisht. Edhe tani ai nuk e merr seriozisht dhe nuk do të jetë e largët dita kur do të gjejë mënyrën për të hapur “Dosjen Basha”. Fillimet e saj ai ka nisur t’i bëjë të njohura, por jo thelbin e asaj që di ai.

Basha, ndryshe nga sa ishte menduar nga “babai” i tij politik, e ka ditur dhe e ka përgatitur çastin për të rrëzuar mitin e së djeshmes, pa synuar të ngritë një mit të ri. Nëse ka ngurruar deri tani kjo nuk ka të bëjë me përmallimin e tij për figurën e babait politik, por me shpatullat që i kishte të zbuluara. Departamenti Amerikan i Shtetit është mjaftueshëm i gjerë për të mbuluar shpatullat e Bashës dhe, kur e ndjeu këtë, ai priti ditën e fundit të mundshme, një farë “DITA B”, për të nisur  betejën. Pa këtë mbështetje ai as nuk do e shkonte ndër mend përjashtimin e Berishës, dhe, kur në sallën e madhe i dha puthjen e fundit, ai vetë e ka ditur se kjo ishte “ puthja e Judës”, duke e ditur se kurrë farë profeti nuk kishte para vetes.

11 dhjetori do e ndajë partinë në dy gjysma, të cilat nuk do të jenë të njëjta, as në shtrirjen bazike, e,  as në majën e saj. Ndërsa e para do të vazhdojë të jetë berishiste, sepse mendon se përmes tij do të mund të vijë më shpejt në pushtet, duke përdorur si atu “besëthyerjen” e Bashës; e dyta, e zgjedhura e më shumë e emëruara, do të vazhdojë të jetë antiberishiste, por jo bashiste, sepse Basha, në politikën shqiptare, nuk do të mund kurrë të krijojë rrymë e as vizion të veçantë politik.

Tani dorezat janë veshur, ringu është ngritur, përballja nuk është e largët dhe zvetnimi do të jetë i shpejtë. Atë që do e bëjnë vetë ata, me duart e njerëzit e tyre, pra shkatërrimin e opozitës si mendësi dhe frymë, nuk do të mund të ia bënte askush tjetër. Nëse Rama , si njeri I politikës ekspresive, ka punuar disa vite për të shkatërruar lësëistët dhe këtë nuk e ka mohuar kurrë, deri sa ia injektoi në vitin 2017 edhe Lulzim Bashës, tani do të ndodhë ndryshe. Rama do të vazhdojë të qeverisë qetësisht, i bindur se komisionet parlamentare të ngritura me kërkesën ultimative të opozitës nuk do të shprishin asgjë, pa pasur drojtje nga keq qeverisja , duke ngritur malin e borxhit publik, në të cilin nuk do të mund të ngjitet asnjë qeveri tjetër, dhe,  pa i ndaluar PPP-të e famshme.

Largimi i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, pas shpalljes së tij “non grata”, ishte rënia e gongut, por jo gongu vetë. Ajo që mund të ndodhë në të ardhmen, jo të largët, mund të jetë hataja, nga e cila përpiqet të shpëtojë, mbi  gjithçka, familjen e tij biologjike, e vetmja që ka mbetur të mbrojë. Por, jo vetëm kaq. Berisha e di se 30 vite të jetës së tij politike kishin përfundimin më të llahtarshëm për njeriun që kishte qenë dora e fortë e politikës, i padiskutueshmi, liderin që përmbyste çdo gjë, I adhuruar nga një pjesë dhe i leçitur nga pjesa tjetër, që u kishte treguar derën njëri pas tjetrit, Azem Hajdarit, Aleksandër Meksit, Eduard Selamit, Olldashit; kishte larguar përmes gardës së tij cilin kishte dashur dhe kishte afruar sipas dëshirës së tij dhe të familjes , përsëri, kë kishte dashur. Ai e kishte partinë në grusht, e sillte, e përdridhte, e lëviste, e bënte detashment dhe e nxirrte në rrugë, e, tani, çdo gjë është e dyshimtë. Edhe 12 dhjetori, disa e pas Kuvendit, do të jetë kështu: fitore pa fitues, mitingashë që mendojnë se janë militantë, pasionantë dhe të zemëruar, por gjithnjë jashtë arsyes përse duhet bërë e gjithë kjo.

Basha e vendosi shefin e tij politik, njeriun e adhuruar, në boshtin e së keqes,  pikërisht atë që e kishte marrë si një të panjohur, për më tepër, të dyshimtë dhe e kishte bërë tri herë ministër, ia kishte dhënë partinë bujarisht, duke eliminuar kundërshtarin e tij politik, e kishte mbrojtur dhe rrugën ia kishte hapur bujarisht. Nëse Berisha është njëri nga kënde e së keqes shqiptare, çka është e vërtetë, atëherë, në cilin kënd është vetë PD-ja, ajo që deri dje kishte idhull dhe ekzaltohej nga lideri i saj historik?

Nëse në PD-në e tashme, që drejtohet nga Basha, askush nuk e di se deri kur, një pjesë e rëndësishme, për më tepër në majat administrative, paska qenë “ llum”, atëherë në cilën pjesë të këtij llumi ai ka vendosur Berishën, e , më tej, në cilën pjesë e ka vendosur atë Berisha. Nëse lufta po bëhet mes dy pjesëve të të njëjtit llum, atëherë çfarë duhet PD-ja në politikën shqiptare dhe , mos ka ardhur koha, që, si shoqet e saj djathtiste në vendet e Lindjes, të shkojë drejt shuarjes, për deri sa nuk është e aftë të reformohet.

Një forcë politike që, shefin e saj themelues dhe drejtues në 30 vite e quan boshti I së keqes dhe pjesën tjetër , llum, a ka vend në hartën pluraliste të Shqipërisë?

Asnjëherë , si tani, opozita nuk ka qenë më e pabesuar në vetë qenien e saj dhe, disa nga idealistët që ndodhen brenda saj, sado të përpiqen, pak mund të bëjnë. Basha nuk I do ata, do t’i mbajë larg qendrës vendosëse të partisë së tiju, që e ka mbushur me dumër, alibeaj, salianjër, si garanci që nuk do e tradhtojnë. Një forcë politike, lideri i së cilës mban afër ata që beson se nuk do e tradhtojnë, është , në fakt, një forcë e humbur. Një lider që trembet nga mendimi ndryshe, të cilin, po të ishte i mënçur, do e kishte mbjellë vetë, ai duhet të ikë, sepse nuk njeh as fillesën e demokracisë në pluralizëm dhe e trajton atë si një detashment, njëjtë si njeriu që ka përballë vetes.

Lideri që pasurohet në kohë krize dhe askush nuk e di se si u pasurua, ai vetë është pjesë e oligarkisë politike e financiare. Vizioni tek ai nuk ka as forcë dhe as nuk ndjell shpresë.  Një lider, i cili, ëndërron se ka pas vetes 97 për qind të opozitës dhe nuk ka guximin të takojë askënd nga ky 97 për qindësh, nuk ka shpresë se mund të trimërohet. Ai vetë është i shterpëzuar dhe ka vetëm një fat: tjetri, përballë tij, është i leçitur nga një forcë madhore, e cila, edhe pse nuk është pjesë e kandarit politik, mund të rëndojë përfundimisht në karrierën politike të shumë kujt. Basha e ndolli këtë rëndesë, e priti, e dinte se do të vinte dhe e përdori deri në çastin e fundit. Dhe do e përdorë.

Basha është politikani më i pabesuar nga vetë mbështetësit e tij. Të bindur se, përmes tij asnjëherë nuk marrin dot pushtetin, e më tej se kaq, të bindur se, ndërsa jeta politike ashpërsohet, lideri i tyre pasurohet , janë të paktë ata, me përjashtim të të emëruarve, që  presin të jenë pushtetarë.

Berisha, me 11 dhjetor, do të bëjë aktin e tij të fundit të mbijetesës. Nuk ka rrugë tjetër. Por, ashtu si tri dekada më parë, edhe ky, do të jetë një dhjetor i vrarë, sepse, në të dy rastet, ai ka lindur i asfiksuar, më shumë mllef se sa ide, e shtyrë nga zemërimi dhe pa dritën e së ardhmes. Si çdo gjë që ka kaluar përmes duarve të Berishës në tri dekadat e fundit.

Jeta politike e Berishës ka mbaruar. Është koha për shartet e fundit.

Ata do të nisin me 11 dhjetor.

Edhe Berisha e di këtë.

Ndërkohë që tjetri, Basha, ka lindur krijesë politike e vdekur. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …