Behxhet Pacolli

Behxhet Pacolli: Një shpresë që po rilindë

Të nderuar qytetarë e mbështetës kudo qofshi, Fillimisht më lejoni të ndaj me Ju një emocion timin të veçantë dhe shumë të fuqishëm njëkohësisht, teksa po ju drejtohem Juve përmes këtyre rreshtave. Të shumta kanë qenë momentet në jetën time kur kam ndarë më rrethin tim, familjar, shoqëror, më bashkëpunëtorët e mi e më gjerë, emocione që sublimojnë lidhjen time personale me punën, sukseset dhe arritjet e mia në shumë sfera të jetës. Por të pakta kanë qenë momentet e krenarisë sime që do i ndaj me Ju në këto fjalë në vijim.

Teksa po ju shkruaj sot, në mendje kam gjithë rrugëtimin dhe sakrificën tonë ndër vite, gjithmonë në përpjekje që Kosovën tonë ta bëjmë ndryshe, shumë më ndryshe se që e kem sot, dhe natyrshëm shumë më të mirë se që po e jetojmë unë bashkë me Ju çdo ditë.

Nën këto motivacione, në më tepër se dy vite unë Ju kam shtrënguar dorën gjithandej Kosovës. Kam takuar pleqtë në rrudhat e të cilëve kam lexuar lodhjen dhe krenarinë.

Kam takuar fëmijët në sytë e të cilëve kam parë dritën. Kam takuar të rinjtë tanë aq të shumtë në numër dhe kam ndjerë energjinë e madhe tek u qarkullon vrullshëm në shpirt. Kam shkelur gjithë ato rrugë e shtigje gjithandej Kosovës, që sa herë më bënin të dëshpëruar, po aq shumë herë më mbushnin me shpirt, me energji e dashuri për Kosovën.

Kosova është dashuria jonë e madhe. Është dhembja jonë dhe motivi jonë i pashtershëm. Këtë ja kam thënë e ri thëne vetes shumë herë. E ndjej thelle dhe e marr me vete kudo që jam. Në shkretëtirat e largëta të Afrikës, në kancelaritë moderne të Evropës, në tokën e premtuar Amerikane, e në qiejt e akullt të globit gjithandej.

Ju dhe unë bashkë me Ju, kemi nisur një rrugëtim të përbashkët të cilin presim ta kulmojmë bashkë më datën 20 të këtij muaji.

Ky nuk është thjesht një proces klasik riorganizimi partiak. Jo. Është një përbashkim njerëzish në kuadër të një lëvizje të madhe që po e masovizon shpresën tonë. Shpresën për ta bërë Kosovën siç e duam vet. Për ta bërë atë me të cilën ne do të krenohemi.

Është hera e parë në jetën time që shoh një vullnet kaq të madh njerëzish të organizohen në parti politike për të bërë diçka të jashtëzakonshme. Dhe jo vetëm në aspektin procedural që kemi krijuar precedentin e parë demokratik të zgjedhjes brenda partiake në Kosovë (një anëtar një votë), por edhe në pjesën përmbajtjesorë, jemi mishëruar me njëri tjetrin në kuadër të motivit tonë të madh për t’i dhënë shpresë Kosovës.

Fitoren tashmë ne e kemi arritur. Përbashkimi ynë kaq masovik është institucion në vete. Pjesa tjetër në bindjen time është vetëm procedurë që duhet ndjekur.

Shumë të respektuar mbështetës,

Pas vendimit të strukturave partiake që zgjedhja e presidentit të AKR-së të bëhet sipas parimit një anëtar një votë, Dega e AKR në vendbanimin tim në Hajvali më ka nominuar për një mandat tjetër në krye të lëvizjes për ndryshim dhe shpresë.

Në planin personal kjo është sfiduese për mua.

Por dashuria dhe përkushtimi im dhe i Juaji për Kosovën, më bën të mos e kontestoj dhe ta pranoj pa hamendësim. Natyrisht lutem shumë dhe dua të mos jem i vetmi kandidat sepse vetëm kështu për-plotësohet demokracia shumë e sfiduar e vendit tonë. Ne përfundimisht duhet të jemi shembull edhe në këtë pikë.

Në një proces transparent, modern dhe unik në vendin tonë nga data 18 shkurt, deri më 20 shkurt në orën 19:00, do të jetë i hapur votimi online për të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e AKR-së. Kjo u mundëson për herë të parë përfshirje të drejtpërdrejtë edhe qytetarëve tanë në diasporë.

Ndërsa në datën 20 shkurt nga ora 08:00 e deri në 19:00 të po asaj dite, në të gjitha degët e AKR në nivel vendi do të votohet drejtpërdrejtë për Presidentin e ardhshëm të partisë. Për herë të parë në Kosovë për lider partie, praktikohet modeli i votimit një anëtarë një votë.

Këto janë momentume të jashtëzakonshme në jetën politike të një vendi, sepse përtej interesave tona si AKR, në Kosovë po instalojmë një praktikë të re të funksionimit të një demokracie.

Unë Ju ftoj ta masovizojmë sa më shumë këtë proces.

Ti japim frymë, e ta rrisim bashkë këtë nismë historike për AKR-në dhe për Kosovën.

Lëvizja jonë e shpresës jeni Ju të dashur qytetarë e mbështetës.

Vetëm bashkë jemi më të fuqishëm dhe kuptimplotë.Ne veçse jemi nisur. Andaj paçim fat e na priftë e mbara!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …