Fillimi / Lajmet / Behxhet. Sh Shala: Prostituimi i dekorimit dhe lehtësia e pabesueshme e falsifikimit

Behxhet. Sh Shala: Prostituimi i dekorimit dhe lehtësia e pabesueshme e falsifikimit

Presidentja e posazgjedhur e Kroacisë, Kolinda Grabar – Kitareviq në çastin kur u bënë publike rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kroaci, vizitën e parë që e bëri ishte te Shoqatat e Mbrojtësve dhe atyre të dala nga lufta atdhetare. Nuk ishte një vizitë simbolike për shkak të mirësjelljes sikur që e bëjnë në disa shtete pa sovranitet dhe krenari kombëtare (e që fatkeqësisht në këtë situatë është Kosova sot) por ishte një vizitë ku shfaqej respekti dhe përkushtimi më i thellë për ata që vuajtën, u sakrifikuan dhe e dhanë të tërën e tyre për lirinë e Kroacisë, për luftëtarët kroatë të organizuar në shoqatat e luftës. Presidentja kroate, për dallim nga disa presidentët e Kosovës atyre iu drejtua me fjalët se: ”ka ardhur këtu për të shprehur respektin ndaj atyre pa luftën dhe sakrificën e të cilëve nuk do të kishte liri për popullin kroat, shtet të pavarur kroat, zgjedhje të lira dhe demokratike dhe rrjedhimisht as ajo nuk do të mund të zgjidhej presidente e Kroacisë…”.


 


Gjithashtu, presidentja kroate gjatë betimit në shenjë dashurie dhe respekti për kroatët dhe Kroacinë, e puthi flamurin kroat me të cilin mijëra dhe mijëra kroatë kaluan shekuj dhe shekuj burgje në ish Jugosllavinë, u vranë dhe u masakruan brenda dhe jashtë shtetit jugosllav për ta kurorëzuar me luftën e cila përfundimisht e bëri shtetin kroat të pavarur dhe sovran.


 


Nën dhe me këtë flamur luftuan për lirinë e popullit kroat me qëllim të bënin përgatitjet për luftë në Kosovë edhe Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Bekim Berisha dhe shumë atdhetarë tjerë shqiptarë që pastaj erdhën në Kosovë për ta shkruar historinë dhe për të kaluar në përjetësi ndonëse u penguan dhe u shpërndanë nga pasuesit e atëhershëm të një qeverie që i bënte rrush e kumbulla paratë e popullit që ishin ndarë për ta bërë luftën çlirimtare dhe të cilët jetonin duke bërë shtatë palë qejfe në hotelet e Kroacisë, vilat në Bled të Sllovenisë, në Gjermani si dhe në shumë shtete tjera të Evropës apo Europës. Kjo ishte dhe është e vërteta e cila lehtë mund të dëshmohet.


 


Presidentët e Kosovës kurrë nuk i vizituan shoqatat e luftës sepse nuk e donin luftën dhe ishin kundër saj duke e sabotuar me të gjitha mjetet e mundshme. Janë dëshmitë e kohës, si ato filmike ashtu edhe në shtypin e shkruar. Nuk është se dikush ka dëshirë tua veshë atë që nuk e kanë thënë sepse të gjithë kemi pasur dëshirë ta kemi një president i cili do të ishte në ballë të luftës çlirimtare sikur që boshnjakët e patën Izetbegoviqin apo kroatët, Franjo Tugjmanin. Natyrisht se presidenti i atëhershëm i Kosovës Ibrahim Rugova për të cilin kishim votuar të gjithë (edhe unë pasi dola nga burgu) nuk kishte as guxim e as vullnet ta luante rolin që i takonte në bazë të kushtetutës së atëhershme. Sillej si president kur nuk kishte rreziqe ndërsa në përballjen e parë me rrezikun luajti rol përqarës dhe sabotues ndaj çdo rezistence aktive e që ishte në kundërshtim me nënshtrimin eklatant që ai e zbatonte ndaj Serbisë e që e quante, për ironi – rezistencë paqësore duke aluduar në Gandin dhe Martin Luter Kingun e që nuk ishte as hija e tyre. Mos ta krahasojmë me Izetbegoviqin i cili ndonës ishte zënë peng nga serbët në aeroportin e Sarajevës dhe kur nga ai, në këmbim të faljes së jetës kërkohej që boshnjakët ta ndërprejnë luftën, ai, në bisedë telefonike me të bijën kërkoi që lufta të vazhdojë pavarësisht se ç’do të bëhej me te. Kjo asnjëherë nuk ndodhi me Ibrahim Rugovën i cili kërkonte liri dhe pavarësi për Kosovën duke mbajtur konferenca për shtyp dhe duke bërë jetë mondane në kohën kur pjesa dërrmuese e popullit luftonte për mbijetesë.


 


Kur studentët e Universitetit të Prishtinës që udhëhiqeshin nga rektori Ejup Statovci dhe Albin Kurti organizuan protestë për lirimin e objekteve universitare, Ibrahim Rugova me Sabri Hamitin dhe të tjerët e formuan ad hoc një union studentor paralel që kundërshtonte protestat. Ky është fakt i pamohueshëm. Nuk kam thënë unë e as ndokush tjetër se UÇK është dorë e zgjatur e Serbisë dhe nuk kam kërkuar unë e as dikush tjetër që FBI të hetojë kush është prapa UÇK-së dhe të hetojë se kush qëndron prapa vrasjeve të policëve të Serbisë por këtë e ka bërë kryetari i LDK-së dhe presidenti i atëhershëm. Janë deklaratat dhe dëshmitë e kohës. Ishte jashtëzakonisht veprim i pamoralshëm organizimi i zgjedhjeve “të lira“ në Kosovën e okupuar në kohën kur ndodhën masakrat në Drenicë dhe në kohën kur në mënyrë të vetëdijshme u flijua familja Jashari në Prekaz, së bashku me ata që luftuan me ta deri sa u vranë. Këto janë fakte për ata që kanë mend për të gjykuar, sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar!


 


Po t’i merrte përgjegjësitë që i takonin sipas kushtetutës së Kaçanikut, po të kishte guxim, po ta donte lirinë, po ta çmonte sakrificën dhe gatishmërinë për flijim të atyre që luftuan dhe e përkrahën luftën Ibrahim Rugova nuk do të sulmohej nga askush dhe, lufta çlirimtare do të kishte tjetër rrjedhë si dhe tjetër përfundim. Askush nuk po thotë diçka që nuk e ka thënë Ibrahim Rugova prandaj fyerja, nënçmimi aq i ulët që po u bëhen organizatave të dala nga lufta që e kanë kundërshtuar dekorimin e presidentit Nishani bërë Rugovës dhe disa sabotuesve tjerë të luftës në mesin e të cilëve ka edhe bashkëpunëtorë të UDB-së dhe anëtarë aktiv të KOS-it famëkeq të ushtrisë jugosllave, janë vërtetë të pamoralshme. Në fund të fundit veteranët e bënë luftën dhe atyre u takon respekti, nderi dhe lavdia për sakrificën që e bënë në çdo vend ku çmohet liria. Nëse dikush prej tyre ka bërë diçka jo të mirë pas përfundimit të luftës është çështje tjetër, mirëpo luftën definitivisht nuk e bëri Ibrahim Rugova sepse ishte kundër saj. Edhe anëtarët e LDK-së dhe partive tjera që luftuan dhe u sakrifikun e meritojnë respektin më të madh dhe unë u përkulem të gjithë atyre që e bënë luftën, pa bërë dallime në baza partiake dhe politike.


 


Më herët kam qenë kundër hapjes së dosjeve sepse do të shkaktonte shumë thyerje dhe vuajtje në mesin tonë. Po tash jam për hapjen e tyre fuqishëm. Realisht Serbia është pronare e dosjeve dhe ajo është në gjendje të fabrikojë dosje “ të buta“ në mbrojtje të spiujve dhe bashkëpunëtorëve që kanë punuar për ta dhe që ende janë në listën e tyre e që në opinion njihen si gazetarë, opinionistë, profesorë, shkrimtarë, akademikë dhe profile të tjera e që janë shumë aktiv edhe sot. Madje, disa prej tyre, apo baballarët dhe majkat e tyre dikur kanë qenë hetues tanë, na kanë rrahur, gjykuar, dënuar, madje edhe na kanë vrarë për shkak të aktivitetit tonë kombëtar dhe që e kemi dashur lirinë duke mos e mohuar lirinë e të tjerëve. Ata kanë emra dhe mbiemra dhe lehtë identifikohen në aktakuzat apo aktgjykimet që i kemi, por që nuk i kemi bërë publike shkaku se nuk mendojmë që fëmijët e tyre duhet ta pësojnë për poshtërsitë dhe krimet e baballarëve dhe majkave të tyre. Dikush, ndoshta me të drejtë na gjykonë pse nuk i kemi denoncuar publikisht por u kemi lënë hapësirë t’i riciklojnë poshtërsitë dhe krimet!


 


Nuk ka shtet në rajon ku janë sulmuar më shumë të burgosurit politikë, vlerat kombëtare dhe ushtarët e lirisë si në Kosovë. Shembulli i Kroacisë dhe presidentes kroate është përmendore se si duhet të sillet shteti ndaj atyre që e sollën lirinë. Edhe në Kosovë veteranët e sollën lirinë për të gjithë, pa bërë dallime mirëpo disa e konsiderojnë mbase me të drejtë se liria e tyre e vërtetë ishte në kohën e Titos dhe Millosheviqit! Të tillët sot janë infiltruar në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nuk po dihet se kush ka luftuar për këtë vend dhe se kush ka qenë në anën e Jugosllavisë dhe Serbisë ?! Faji i madh që ua kanë mundësuar këtë hapësirë veprimi kanë edhe disa politikanë aktualë që kanë dalë nga radhët e UÇK-së, kanë bërë maskarallëqe të shumta dhe për t’u arsyetuar, kanë rënë në të njëjtin shtrat me ta dhe normalisht tash po ndahen të q..ë dhe të lagur! Ia pafshin hajrin sepse i kanë shkelur idealet për çka kanë vuajtur burg me shekuj dhe luftën që e kanë bërë! Tash, ne që jemi dënuar dhe terrorizuar nëpër burgjet jugosllave dhe serbe duhet të mendojmë seriozisht që t’i bëjmë publik emrat e kriminelëve jugosllavë dhe serbë që, për fat të keq gjuhë amtare e kanë pasur gjuhën shqipe.


 


Ata kanë emra dhe mbiemra që i kanë trashëguar edhe disa që sot me aq pasion po e sulmojnë luftën dhe me aq çmenduri po i fyejnë ata që kontribuan edhe për lirinë e tyre të pamerituar! Çka na mbetet tjetër nëse nuk duam që kjo çështje të zgjasë deri në përjetësi! Janë hapur shumë tema të rënda dhe ne si shoqëri duhet t’i mbyllim ato në përputhje me kontributin në të kaluarën por edhe sot! Kosova është e vogël dhe të gjithë i njohim spiujtë dhe kriminelët tanë. Ata që kanë kontribuar për çështje kombëtare dhe ata që kanë qenë kundër. Madhësia dhe vlera e askujt nuk matet dhe nuk çmohet me lartësinë e përmendoreve që shumë herë përdoren për mbijetesë dhe qëllime politike. Edhe disa “mbrojtës“ sot të Ibrahim Rugovës janë dyfytyrësh dhe as që u intereson Rugova por karriera dhe posti i tyre politik. Ky interes i bashkon para Rugovës dhe jo respekti që e kanë pasur apo që e kanë për të! Madje, disa nga vet partia e Rugovës janë më antirugovista se vet veteranët e luftës së UÇK-së.


 


Unë nuk e vlerësoj Rugovën për shkaqe të njëjta që e kanë edhe veteranët e luftës dhe ndoshta mund ta kem gabim. Deri më sot mendoj se kam të drejtë dhe asgjë personale nuk kam kundër tij! Kulti i tij është i rremë sikur edhe glorifikimi i vazhdueshëm që i bëhet nga ata që deri dje nuk kanë lënë të zezë pa folur dhe pa shkruar për të! Përmendoret dhe shtatoret kanë qëndrueshmëri deri të hapen dosjet dhe deri të ngritet vetëdija politike dhe kombëtare. Në përputhje me këtë ato, ose shemben nga argumentet, ose forcohen, gjithashtu nga argumentet. Kemi përvoja të shumta nga shtetet ish komuniste dhe diktatoriale. Në rajon dhe në botë. Veteranët dhe ata që e bënë luftën nuk meritojnë të sulmohen dhe të fyhen për luftën që e bënë sepse ishte një luftë shumë e pabarabartë dhe madhështore. Sjelljet e disa prej tyre pas përfundimit të luftë edhe duhet të vlerësohet. Kush ka hyrë llugave dhe lakrave, le ta paguajë. Po thjesht e kam një pyetje për të gjithë mohuesit e luftës me në krye me presidentin e tyre;  – pse nuk u çlirua Kosova gjatë kohës sa ata vepruan por pasi në skenë doli e lavdishmja UÇK-ë?


 


Pa këtë luftë dhe pa këtë ushtri, me të gjitha të metat dhe gabimet që mund t’i kenë bërë, edhe sot do t’i kishim konferencat e të premteve! Asgjë më tepër. Ushtria, ku veteran paska qenë miku im Lutfi Haziri që nga viti 1993 (nuk e di nëse Luta ka qenë veteran i luftës në Vietnam) nuk ia shkrepi dot! Mund të debatojmë për këtë temë sikur që mund t’i bëj publik emrat dhe mbiemrat e 28 dëshmitarëve shqiptarë (nga të gjitha trojet shqiptare) që me dëshminë e tyre të montuar kontribuan të dënohen 9 ushtarë shqiptarë nga 3 vite deri në 12 vite burg. Unë, së bashku me Agën e Kaçanikut jemi dënuar me nga 12 vjet burg. Janë emrat e oficerëve “shqiptarë“ të KOS-it (shërbimi kundërinformativ) të ushtrisë jugosllave që ishin hetues dhe torturues. Sa për fillim. Ose, emrat e atyre që e rrahën gruan time për 11 muaj në burgun e Mitrovicës e që sot janë qytetarë të respektuar të shoqërisë. Familjarët e tyre madje janë edhe në kabinetet e kryeministrave Thaçi dhe Edi Rama.


 


Ndarja e dekoratave në Shqipëri dhe Kosovë, në disa raste nuk dallon nga porosia për disa shërbime në shtëpi publike të niveleve të ulëta! Me para fiton shërbime nga prostitutat e të dyja gjinive sikur që, me para mund të dekoroheni nga nivelet më të larta apo, në rastin më të keq mund të shpalleni qytetar nderi i cilitdo qytet në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një rast tipik të prostitucionit politik, nga ai që ndanë dekorata sikur edhe nga ata që i porosisin dhe i pranojnë këto dekorata. Aq shumë është devalvuar dhe shëmtuar ndarja e dekoratave dhe titujve “qytetar nderi” sa që, edhe ata që e meritojnë apo familjarët e tyre duhet të mendojnë mirë para se ta pranojnë një dekoratë apo çmim të tillë! Në Shqipëri nuk kanë ide fare se kush duhet të dekorohet nga Kosova pa e pranuar listën e porositur nga politikanët, mafiozët, “biznesmenët” apo të tjerët. Kështu bëri presidenti Nishani në Shqipëri sikur që e bëri edhe presidentja Jahjaga në Kosovë. Për aq sa është veprim i pamoralshëm te ndarja e dekoratave atyre që nuk e meritojnë është mbase veprim edhe më i pamoralshëm i atyre që porositin këto dekorata apo i pranojnë ato. Që të dyja palët janë bashkëpjesmarrës dhe bashkëfajtorë për këto krime morale dhe kombëtare, si donatorët ashtu edhe përfituesit!

Kontrolloni gjithashtu

Krasniqi: 28 Nëntori është festë shumëdimensionale për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar godinën e Lidhjes Shqiptare të ...