Bekim Shaban Lushaku (15.10.1978 - 15.9.1998)

Bekim Shaban Lushaku (15.10.1978 – 15.9.1998)

Në rajonin e Llapit, përgjatë brezit kufitar Kosovë-Serbi, shtrihen shumë fshatra në një vijë kufitare rreth 100 km. Njëri nga këto fshatra është edhe fshati Herticë, i cili shtrihet 12 km. në juglindje të Besianës. Fshatarët e Herticës njihen për trimëri dhe bujari dhe çdo herë kanë qenë si pararojë e këtyre anëve, meqë janë shumë afër kufirit me Serbinë. Në të gjitha luftërat, ky mes ka dhënë trima. Edhe në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës dha shumë luftëtarë të lirisë, si dhe disa dëshmorë të kombit, të cilët si ushtarë të UÇK-së dhanë jetën e tyre për liri. Në mesin e këtyre dëshmorëve është edhe Bekim Shaban Lushaku.
Ashtu si lagjet tjera të këtij fshati, edhe lagja e familjes Lushaku ka dhënë kontribut të çmueshëm për lirinë e Kosovës. Në këtë lagje, lindi dëshmori i kombit, Bekim Shaban Lushaku, më 15 tetor 1978. Bashkëshortët: Shaban dhe Nefise Lushaku kishin pesë djem dhe tri vajza: Samiun, Sevdaimin, Sadriun, Ramadanin, Bekimin, Miniren, Fatmiren dhe Makfiren. Bekimi ishte më i vogli nga djemtë, por që herët ishte përcaktuar për rrugën e lirisë.
Në këtë fshat malor të brezit kufitar, meqë kushtet për jetesë ishin të vështira, si shumë familje tjera të kësaj ane, edhe familja e Bekimit, shpërngulet dhe vendoset në qytet, ku punonte edhe i ati i tij, në organizatën pyjore në Besianë. Kur okupatori deshi të shkatërrojë çdo gjë shqiptare dhe kur filloi të përzë punëtorët nga vendet e punës, ndër të parët që u larguan nga organizata pyjore në Besianë, ishte edhe, Shaban Lushaku, babai i dëshmorit. Kështu kjo familje mbeti edhe pa të vetmin burim të ekzistencës, por kjo i bëri edhe më të fortë dhe armiku nuk arriti t’i nënshtroijë ashtu si nuk arriti ta nënshtrojë as Kosovën. Shabani filloi të merret me punë të tjera. Bekimi ende ishte i ri. I ri për nga mosha, por vërehej se kishte filluar të burrërohej para kohe. Bekimi shkollën fillore e mbaroi në Besianë, ku edhe e vazhdoi shkollën e mesme deri në vitin e katërt.
Në kohën kur iu bashkua radhëve të UÇK-së Bekimi ishte nxënës i vitit të katërt, në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Besianë. Që herët Bekimi kishte filluar të merrte pjesë në protestat dhe demonstrate që organizoheshin në qytet. Interesimi i tij sa vinte e shtohej. Edhe bisedat për këtë çështje me shokët e shkollës dhe të lagjes ishin më të shpeshta. Që nga rënia e Zahir Pajazitit me shokë, e më pas rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, përcaktuan qartë rrugën e Bekimit të ri, i cili tashmë filloi më qartë të përcaktohet dhe këtë nuk e fshehte. Ishin të shpeshta rastet kur ai thoshte se kur do të vije dita që edhe në Llap të dal haptas UÇK-ja, unë do të jem i rreshtuar në radhët e saj.
Edhe përkundër faktit, se duhej ta kryente shkollën, ai kontatonte se tani është koha që të çlirohemi nga okupatori shekullor, e më pas të kryejmë në liri shkollimin.
Kontaktet e para me UÇK-në i pati, në maj të vitit 1998, kur edhe kishte vendosur përfundimisht që të bëhet ushtar i lirisë. Bekimi nuk priti të fillonte viti shkollor. Në muajin gusht 1998, ia mësyu maleve të Shalës së Bajgores për tu bërë luftëtar i lirisë. Fillimisht ai ishte në njësitin e komandant Refki Jasharit-Kikës dhe pasi që i kreu ushtrimet e nevojshme, vazhdoi të jetë ushtar i rregullt në Bajgore. Nuk u kthye në shtëpi si shumë të rinjë, të cilët pasi kryenin ushtrimet ktheheshin dhe prisnin kur të ketë nevojë të shkojnë sërish atje.
Bekimi vazhdonte të qëndronte në Bajgorë, ku shumë të rinjë llapjanë shkonin përditë e më shumë në këto bjeshkë për t’u bërë ushtarë të lirisë dhe kryenin aftësimin e nevojshëm ushtarak. Përpos punëve dhe obligimeve të tjera ushtarake, ai ndihmonte shumë edhe të rinjtë e tjerë në përgatitjen sa më të mirë për luftë. Aftësitë, që kishte fituar gjatë atyre ditëve, i përcillte te shokët tjerë që kishin ardhur më vonë për të fituar njohuri nga arti luftarak. Bekimi ishte pjesëtar i Brigadës 152 “Shaban Shala” të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit. Në Bajgorë qëndroi deri në natën e14 shtatorit 1998, kur u dërgua si përforcim, në Qafën e Kaqanollit, duke qenë se Shtabi UÇK-së të ZOLL ishte informuar se përgatiteshin forca të shumta të armikut për të sulmuar këtë vend.
Hordhitë serbe, më 15 shtator 1998, ia mësyjnë të depërtojnë në Shalë të Bajgores nëpërmes fshatit Gegaj (ish Dobratin). mirëpo Bekimi me shokët e tij ishte në Rrafshnaltën mbi Gegaj, në Qafën e Kaqanollit dhe aty i priste forcat e okupatorit për t’i zmbrapsur për tri ditë me radhë, që të mos depërtojnë në ato male. Forca të mëdha serbe për tri ditë me radhë, më 15,16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në Qafën e Kaqanollit, aty ku bashkohet Llapi me Shalë. Beteja e Kaçanollit, ishte një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak, por edhe atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë.
Duke qenë të bindur për këtë edhe serbët kishin nisur forca të shumta për të zhdukur UÇK-së në këtë pjesë. Ata e dinin se plani i tyre “Patkoi” mund të realizohej shumë më lehtë, nëse nuk do të kishte rezistencë në Zonën e Llapit. Por llogaritë u dolën gabim. Këtë ua prishën luftëtarët trima të Llapit, të cilët bënë një rezistencë të shkëlqyer duke i shkaktuar forcave dhe makinerisë serbe një humbje shumë të madhe. Në mesin e këtyre luftëtarëve trima ishte edhe Bekim Lushaku.
Edhe kjo betejë, si shumë beteja tjera gjatë historisë, dëshmoi se morali i lartë i luftëtarëve dhe dëshira e madhe e popullit për liri, është më e fortë se tanket e armikut. Në këtë betejë u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve trima të Llapit, të cilët i dhanë UÇK-së një fitore të rëndësishme. Në këtë betejë, si edhe në shumë beteja tjera, komandantët e UÇK-së luftuan në vijën e parë duke u dhënë moral luftëtarëve.
Armiku këtë ditë kishte nisur një ofensivë të gjerë në veriperëndim të rajonit të Llapit dhe disa fshatra të Shalës me qëllim të shkatërrimit të strukturës ushtarake të UÇK-së si dhe shkëputjes së lidhjeve mes dy zonave operative, Llapit dhe Shalës, që funksiononin në mënyrë më të mirë, por luftëtarët e UÇK-së nuk i frikësonte një gjë e tillë, sepse ishin të vendosur të qëndronin deri në ushtarin e fundit, e të vdesin për liri. Këtë Serbia e dinte shumë mirë dhe me çdo kusht përpiqej ta parandalonte, por nuk arriti dot ta bënte asnjëherë edhe pse forcat në armatim nuk ishin të barabarta, ishte vullneti dhe morali i lartë i luftëtarëve të UÇK-së, ai i cili nuk lëvizte dot nga pozicionet e tyre, sepse ata e dinin se kishin arsye për të vdekur, ngase i mbronin tokat e tyre stërgjyshore. Kjo betejë, ku shtatë dëshmor ranë në altarin e lirisë, UÇK-në e bëri edhe më të fortë. Morali i saj po ngrihej edhe më lartë, radhët e vullnetarëve për t’u radhitur në këtë formacion ushtarak u shtuan edhe më shumë, si dhe bindja e krijuar nga populli për UÇK-së ishin fakte që tregonin mjaft mirë për suksesin e Betejës së Kaçanollit.
Gjatë këtyre luftimeve, ku forcat e UÇK-së treguan trimëri të rrallë dhe korrën suksese të mëdha, bashkë me Habib Zekën, Bekim Maliqin, Fadil Sejdiun, Nazmi Zhegrovën, Islam Rekaliun, Selim Rekaliun ra edhe Bekim Lushaku në vijën e parë të frontit. Ishte ndër dëshmorët parë që ranë në betejën e hapur, që u zhvillua mu aty, ku sot është vendosur lapidari, që ruan kujtimin për këta dhe dëshmorët tjerë, që ranë në betejat e kësaj ane.
Pas kësaj beteje, Bekimi, me nderime ushtarake u varros në varrezat e Besianë. Për heroizmin e dëshmorit, janë thurur këngë dhe poezi, ndërsa pas luftës familja e tij është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Brahim Hajdaraj (8.3.1980 – 16.5.1999)

Fejzullah Brahim Hajdaraj (8.3.1980 – 16.5.1999)

“Vrarë për vrarë, unë do të vdes në Abri!”. Këto fjalë ua kishte thënë dëshmori …